Ndihme Humanitare

Përpjekjet për ndihmë të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme përkujtohen në Ditën Botërore të Ushqimit

Dita Botërore e Ushqimit shënoi përvjetorin e themelimit të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë të Kombeve të Bashkuara.

Të hënën, më 16 tetor 2023, Dita Botërore e Ushqimit shënoi përvjetorin e themelimit të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë të Kombeve të Bashkuara në vitin 1945. Këtë vit, tema ishte: “Uji është Jetë, Uji është Ushqim. Mos Përjashtoni Askënd.” Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme i shtoi vlerë kësaj dite duke vështruar pas te përpjekjet humanitare që ajo ka zbatuar në mbarë Europën vitin e kaluar.  


Në maj, anëtari vendor i Kishës dhe arsimtari Bedri Mokreri dhe misionarët humanitarë bashkërenduan përpjekjet me njësinë administrative vendore të Proptishtit në Shqipëri, për të siguruar një sistem të ri shpërndarës të ujit në shkollën e mesme të zonës, e cila funksionon edhe si qendër komunitare.


Përveç ndihmës me hapjen e kanaleve për tubacionet e reja të ujit, Kisha punoi me bashkinë për të përmirësuar pajisjet hidrosanitare për komunitetin dhe shkollën e Proptishtit, ku tualetet e vjetra janë bërë të papërshtatshme dhe kanë dalë pjesërisht jashtë funksionit. Misionarët humanitarë punuan gjithashtu me nismat shoqërore zhvillimore për t’u siguruar që të zbatoheshin kërkesat ligjore dhe që të gjitha fondet të shkonin për qëllimet e tyre të synuara. Nënkryetari i bashkisë së Proptishtit tregoi shumë vlerësim për dhurimet nga Kisha në ndihmë të fshatrave të largëta.


Si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme pas tërmetit shkatërrues në Turqi më herët këtë vit, furnizimi me ujë të pijshëm të pastër për zonat e prekura ka pasur përparësi të lartë. Pak kohë pas tërmetit, qeveria, organizatat ndërkombëtare joqeveritare dhe dhurues privatë siguruan ujë të pijshëm të pastër. Megjithatë, shkatërrimi masiv i infrastrukturës ishte aq i madh saqë qeveria nuk mund t’i zëvendësonte linjat e prishura të ujit aq shpejt sa të siguronte sasinë e nevojshme të ujit të pijshëm të pastër.


Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme i shtoi vlerë kësaj dite duke vështruar pas te përpjekjet humanitare që ajo ka zbatuar në mbarë Europën vitin e kaluar.


Ndihma humanitare prej anetareve te Kishes se Jezu Krishtit

Kisha, në bashkëpunim me Autoritetin e Administrimit të Katastrofave Natyrore dhe Urgjencave (AFAD), siguroi dhe shpërndau më shumë se pesë milionë shishe uji 1,5 litërshe te njerëzit e prekur. Kjo rezultoi në më shumë se 290 ngarkesa kamionësh gjatë dy muajve të parë. Gjërat bazike jetësore bekojnë njerëzit në nevojë kritike që askush të mos mbetet i përjashtuar. Uji në shishe ishte përgjigjja e menjëhershme për t’u ardhur në ndihmë numrit katastrofik të individëve të mbetur të pastrehë dhe pa ushqim apo ujë. Mësoni më shumë rreth kontributeve humanitare të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme pas tërmetit në Turqi këtu.


Duke punuar me organizatën joqeveritare (OJQ) “Asociación Hogar El Buen Samaritano” (“Shoqata e Shtëpisë së Samaritanit të Mirë”), Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ndihmon me sigurimin e ushqimit të shëndetshëm dhe ndihmesës me higjienën për ata refugjatë dhe emigrantë të pastrehë në Kartagjenë të Spanjës. Është një sfidë e vazhdueshme për qeverinë spanjolle dhe organizatat joqeveritare që të merren me nevojat e atyre njerëzve teksa përpiqen të hyjnë në shoqërinë spanjolle. Kjo OJQ u vjen në ndihmë këtyre njerëzve duke siguruar ushqim bazë, shpesh duke ushqyer fëmijët e kequshqyer. Ndihmon gjithashtu me zotësitë për punësim dhe mundësitë për të kërkuar punë, si edhe kurset e gjuhës dhe trajnimet. Aktualisht, OJQja siguron ushqim javor për afërsisht 250 njerëz javë për javë përfshirë refugjatët ukrainas. Përpjekjet e saj përkrahen fort nga udhëheqja dhe anëtarët vendorë të Kishës në Kartagjenë. 


Në Serbi, Kisha ka punuar me Fondacionin “Ana and Vlade DIVAC” që të sigurojë projekte serrash dhe trajnime për familjet vendore për të zgjatur sezonin e të mbjellave dhe për të krijuar kopshte që të ushqehen familjet e tyre më gjatë. Shumica e njerëzve, veçanërisht në Serbinë Jugore, jetojnë me tokat e zotëruara prej etërve dhe gjyshërve të tyre. Për shkak se bujqësia është mënyra e tyre e jetesës, serrat u japin atyre më shumë siguri ushqimore. Prodhimet e tepërta mund të shiten gjithashtu për të gjeneruar të ardhura shtesë. Këto serra janë vërtet jetëndryshuese për serbët. Kisha është e gëzuar që është pjesë e këtyre përpjekjeve me kremtimin e serrës së saj të parë nga tri të tilla në Serbi këtë vit, me shpresën se shumë të tjera do të pasojnë.


Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme vijon vazhdimisht ta zgjerojë ndihmën e saj humanitare bashkë me përpjekje të tjera të përbotshme. Mund të mësoni më shumë rreth asaj që ka bërë Kisha nëpër botë vitin e kaluar, duke parë October 2023 World Report [Raportin Botëror Tetor 2023].