Praja, Kepi i Gjelbër

Përkushtohet Tempulli i Prajës në Kepin e Gjelbër

Tempulli i parë në vendin ishullor është tempulli i 173‑të në funksionim i Kishës 

Përkushtimi i Tempullit të Prajës, në Kepin e Gjelbër, më 19 qershor 2022

Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, përkushtoi Tempullin e Prajës në Kepin e Gjelbër, ditën e diel, më 19 qershor 2022. Tempulli në kryeqytetin Praja, në ishullin e Santiagos, është tempulli i parë në vend dhe tempulli i 173‑të në botë.

Përpara përkushtimit, Plaku Andersen zhvilloi ceremoninë simbolike të gurit të qoshes që nënkupton se ndërtimi ka përfunduar dhe tempulli i ri është gati për përkushtim. Pas gurit të qoshes janë vendosur dokumentacion historik, sende historike dhe dëshmi nga anëtarët e Kishës në Kepin e Gjelbër.

Me Plakun Andersen, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, u bashkuan edhe Plaku Ruben V. Alliod, këshilltar i dytë në Presidencën e Zonës së Europës Qendrore, Plaku Kevin R. Dankan, drejtor ekzekutiv i Sektorit të Tempujve dhe Plaku Rozvelt de Pina Teisheira, I Shtatëdhjetë Zonal. Ata u shoqëruan nga bashkëshortet e tyre.

Planet për të ndërtuar tempullin në Prajë u njoftuan nga Presidenti Rasëll M. Nelson më 7 tetor 2018. Ceremonia e fillimit të punimeve u zhvillua më 4 maj 2019.

Pjesa e jashtme e tempullit ka ngjyra me nuanca të ngrohta, me disa hollësi zbukuruese me gur gëlqeror portugez. Është një ndërtesë e veçantë, me linja të thjeshta në përputhje me pjesën më të madhe të ndërtesave tradicionale fetare në Kepin e Gjelbër.

Përpara përkushtimit, rinia e Kishës u mblodh të shtunën, më 18 qershor 2022, për të marrë pjesë në një takim shpirtëror me udhëheqës të Kishës, të zhvilluar në shtëpinë e mbledhjeve ngjitur me tempullin.

Gjatë shtëpisë së hapur prej tri javësh, më shumë se dhjetë mijë njerëz e vizituan dhe shëtitën në tempull, përfshirë udhëheqës fetarë, drejtues të komunitetit dhe banorë që jetojnë afër tempullit, si dhe anëtarë të Kishës. Midis personaliteteve që e vizituan tempullin, ishin Presidenti i Republikës së Kepit të Gjelbër, Hoze Maria Neves dhe Kryeministri, Ulises de Korreia e Silva.

Aktualisht ka më tepër se 16 000 anëtarë të Kishës në 41 bashkësi në Kepin e Gjelbër, shumë prej tyre shenjtorë të ditëve të mëvonshme të brezit të dytë dhe të tretë. Misionarët e parë që hynë në Kepin e Gjelbër, mbërritën atje në vitin 1989.

Tempujt e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme ndryshojnë nga shtëpitë e mbledhjeve ose godinat kishtare, ku anëtarët takohen për shërbimet e adhurimit të së dielës. Tempujt konsiderohen “shtëpitë e Zotit” ku ripohohen mësimet e Jezu Krishtit nëpërmjet martesës, pagëzimit dhe ordinancave të tjera që i bashkojnë familjet për përjetësinë. Brenda tij, anëtarët mësojnë më tepër rreth qëllimit të jetës dhe bëjnë besëlidhje për t’i shërbyer Jezu Krishtit dhe bashkëqenieve të tyre.