Një deklaratë e përbashkët nga Komuniteti i Krishtit dhe Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u nxor të martën, më datë 5 mars 2024. Një material i quajtur Pyetje që Bëhen Rëndom dhe Shtojca është nxjerrë në gjuhën angleze.
Sot, e martë, më 5 mars 2024, përgjegjësia dhe pronësia për Tempullin e Kirtlandit, disa ndërtesa historike në Navu dhe dorëshkrime e sende historike të ndryshme i kaluan zyrtarisht Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nga Komuniteti i Krishtit për një shumë për të cilën ranë dakord. Së bashku, ne tregojmë interes dhe nderim për këto vende dhe objekte historike dhe jemi zotuar për t’i ruajtur ato për brezat e ardhshëm.
Diskutimet që çuan në këtë marrëveshje historike, filluan në qershor 2021. “Ky shkëmbim i pasurive është i rëndësishëm për kishën tonë”, – tha Stivën M. Vizei, president i Komunitetit të Krishtit. “Nëpërmjet financimit nga rritja e dhurimeve, Komuniteti i Krishtit do të ketë më shumë kapacitet për të ndjekur përparësitë e misionit të vet anembanë botës, duke përfshirë vazhdimin e përmbushjes së qëllimeve të parashikuara në mënyrë hyjnore për Tempullin tonë në Indipendens të Misurit.”
“Jemi thellësisht të nderuar që morëm kujdestarinë për këto vende, dokumente dhe sende historike të shenjta”, – tha Rasëll M. Nelsoni, President i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. “Falënderojmë miqtë tanë në Komunitetin e Krishtit për kujdesin dhe bashkëpunimin e tyre të madh për ruajtjen e këtyre thesareve historike deri më tani. Zotohemi se do të bëjmë të njëjtën gjë.”
Tempulli i Kirtlandit do të mbetet një ndërtesë historike. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka në plan ta rihapë atë më datë 25 mars 2024, për t’u vizituar nga publiku pa pagesë. Po ashtu, në Navu, Shtëpia e Fermës, Shtëpia e Banimit dhe Dyqani me Tulla të Kuqe të Familjes Smith do të rihapen gjithashtu më datë 25 mars 2024, për t’u vizituar nga publiku gjatë gjithë vitit pa pagesë. Më shumë hollësi rreth transaksionit, pasurive dhe objekteve të tjera të përfshira në marrëveshje do të njoftohen më tej.
Kalimi historik i pronësisë nënvizon përpjekjet tona të gjata për të ruajtur trashëgiminë fetare dhe kulturore dhe për t’i nxitur mundësitë përkatëse për rritje dhe shërbim ndaj botës.
Komuniteti i Krishtit është një komunitet ndërkombëtar fetar i përkushtuar për të nxitur lidhje të çiltra me njëri-tjetrin dhe me Perëndinë. Ai përpiqet të rivendosë paqen e Krishtit në tokë dhe të sfidojë sistemet e padrejta që e ulin vlerën njerëzore. Komuniteti i Krishtit pohon vlerën e brendshme të çdo personi dhe siguron një vend për të pasur përkatësi, për të marrë dashuri dhe për t’u vlerësuar, për t’u rritur shpirtërisht dhe për të zbuluar një qëllim që mund të ndryshojë jetën dhe komunitetet.
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, një besim mbarëbotëror, na mëson se Ati ynë në Qiell dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, në ditët tona kanë thirrur përsëri një profet të gjallë dhe kanë rivendosur autoritetin e priftërisë dhe besëlidhjet për t’i bekuar familjet dhe individët me gëzim. Anëtarët përpiqen ta jetojnë dhe shpërndajnë ungjillin e Jezu Krishtit, të kujdesen për njerëzit nevojtarë dhe t’i bashkojnë familjet për përjetësinë. Ata i çmojnë Librin e Mormonit dhe Biblën si shkrime të shenjta.
Tempulli i Kirtlandit ishte tempulli i parë që u ndërtua nga shenjtorët në ditët e mëvonshme.
Foltoret e Priftërisë Melkizedeke në katin e parë të Tempullit të Kirtlandit. Fotografia nga Val Brinkerhoff.
Tempulli i Kirtlandit u përkushtua në mars 1836. Fotografia nga Val Brinkerhoff.
Portret i Jozef Smith të Riut, me autorësinë e David Rogers‑it, rreth vitit 1842.
Portret i Ema Hejl Smithit, me autorësinë e David Rogers‑it, rreth vitit 1842.
Dyqani origjinal me tulla të kuqe, rreth vitit 1885 ose 1886. Dyqani u shkatërrua në vitin 1890 dhe ndërtesa e tanishme e rindërtuar u përkushtua në vitin 1980.
Dyqani me tulla të kuqe i Jozef Smithit shërbeu si dyqan dhe një vend takimi që nga hapja e tij në vitin 1841.
Brenda kuzhinës së shtëpisë së fermës së Jozef dhe Ema Smithit, shtëpia e familjes Smith nga viti 1839 deri në vitin 1843.