Në familjen tonë shumëkulturore, ne i kremtojmë me bollëk të gjitha festat kombëtare angleze, irlandeze dhe holandeze. Bashkëshortes sime, Kirstit, i pëlqen të bëjë çmos për zbukurimet dhe ushqimet tradicionale për festën e Hallouinit, Sinterklasit [Shën Nikolait], Krishtlindjes e shumë më tepër dhe fëmijëve tanë dhe shokëve të tyre u pëlqente tej mase.
Një mbrëmje, Kirsti dhe unë po diskutonim se si mund të krijonim një përvojë të ngjashme për fëmijët tanë gjatë konferencës së përgjithshme. Ne vendosëm të gatuanim në shtëpi brioshë me proshutë dhe djathë si ushqim të përzgjedhur për ditën e konferencës së përgjithshme. Përgatitëm letra për ngjyrosje me tema të ungjillit dhe lojëra me fjalë që do t’i ndihmonin fëmijët të përfshiheshin në bisedat e konferencës. Mëngjesin e konferencës vishnim rrobat më të mira të së dielës. Por kishim gjithashtu shumë jastëkë dhe batanije të ngrohta me të cilat fëmijët mund të ndërtonin fortesa dhe tenda për t’i bërë të ndienin mbrojtje, siguri dhe dashuri. Na pëlqente shumë që e shihnim konferencën si familje dhe i shijonim mesazhet e frymëzuara nga udhëheqësit e Kishës ndërkohë që aroma e brioshëve të sapopjekur e mbushte shtëpinë. Fëmijët më të vegjël merrnin shumë lavdërime që qëndronin ulur gjatë gjithë një sesioni të konferencës. Ndërkohë që nga fëmijët tanë më të mëdhenj prisnim pak më shumë ndërsa koha kalonte. Entuziazmi për konferencën e përgjithshme na sillte të gjithëve gëzim të madh. Tani ne jemi gjyshër, na pëlqen shumë të marrim fotografi të nipërve e mbesave tona nëpërmjet mediave shoqërore kur ata kanë një përvojë të ngjashme në konferencë.
Kur lexojmë fjalimin e mbretit Beniamin dhe se si njerëzit u përgatitën për t’i dëgjuar fjalët e tij (1), ne mund të mësojmë të paktën tri gjëra shumë të rëndësishme. Së pari, një ftesë u bë në mbarë vendin, ashtu siç na bëhet neve një ftesë e ngjashme që të vijmë e t’i dëgjojmë udhëheqësit tanë të Kishës sot. Mund t’i bëjmë vetes pyetjen: “Si po sigurohem që të ndihmoj për t’ia bërë këtë ftesë të gjithë anëtarëve të lagjes sime, si edhe fqinjëve dhe miqve të mi që nuk janë anëtarë?” Së dyti, ne lexojmë se u zhvillua një mbledhje. Sot, ne mund të mblidhemi si familje ose si grupe në shtëpitë tona ose godinat tona të mbledhjeve. Zoti ka thënë: “Sepse, kudo që dy a tre janë bashkuar në emrin tim, unë jam në mes të tyre” (2) Ka forcë të madhe në mbledhjen shpesh së bashku.(3) Dhe së fundi, ata u mblodhën përqark tempullit dhe zunë vendet për të dëgjuar fjalët e shpëtimit. A mund të sugjeroj që të përpiqemi edhe ne të bëjmë të njëjtën gjë? Tempulli është vendi ku qielli dhe toka takohen, një strehë nga stuhitë që vijnë furishëm në botën ku jetojmë dhe ku ne mund ta kushtëzojmë zemrën e mendjen tonë ndaj asaj që është me pasoja të përjetshme. Çfarë mënyre e jashtëzakonshme është frekuentimi i shtëpisë së Zotit dhe të qenit të angazhuar në punën për historinë familjare, për ta përgatitur zemrën e mendjen tonë dhe për të qenë më në harmoni nga ana shpirtërore për të marrë fjalën e Perëndisë nëpërmjet gojës së shërbëtorëve të Tij. (4) Plaku Robert D. Hejls ka thënë: “Ju premtoj në emrin e Tij se, nëse luteni me një dëshirë të sinqertë për të dëgjuar zërin e Atit tuaj Qiellor në mesazhet e kësaj konference, ju do të zbuloni se Ai ju ka folur për t’ju ndihmuar, për t’ju forcuar dhe për t’ju drejtuar në shtëpi, në prani të Tij” (5)
Unë dëshmoj se kjo është e vërtetë. Kur përgatitemi me mirënjohje dhe e presim me gëzim duke ia kushtëzuar zemrën tonë Zotit për ta marrë e vulosur atë në oborret e Tij lart, (6) koha e konferencave të përgjithshme mund të bëhet një nga më të mrekullueshmet e vitit. Madje një kohë e paharrueshme për t’u mbledhur me familjen dhe miqtë dhe për t’u ndier të privilegjuar që dëgjojmë nga profetët, apostujt tanë dhe autoritete të tjera të përgjithshme, të cilët përgatitin mesazhe të frymëzuara për ta bekuar jetën tonë. Ajo do të bëhet një kremtim i mrekullueshëm, jetëndryshues për të marrë udhërrëfim shpirtëror dhe për ta forcuar besimin tonë te Jezu Krishti.
1. Mosia 2:1, 5–6
2. Mateu 18:20
3. Moroni 6:5
4. DeB 1:38
5. Konferenca e përgjithshme e tetorit 2013, sesioni i paradites të së shtunës
6. Himni, “Come Thou Fount of Every Blessing”, muzika John Wyeth (1770–1858) dhe teksti Robert Robinson (1735–1790)