Përditësim: Pezullohen Përkohësisht Grumbullimet e Anëtarëve të Kishës në Mbarë Botën

Udhëheqësit vendorë do të këshillohen për të vendosur se si do ta vënë sakramentin në dispozicion të anëtarëve të paktën një herë në muaj

ndërtimi i kishës

Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u dërguan letrën vijuese më 12 mars 2020 anëtarëve të Kishës në mbarë botën.

Të Dashur Vëllezër dhe Motra,

Sikurse premtuam në letrën tonë të datës 11 mars 2020, ne vazhdojmë t’i monitorojmë kushtet në ndryshim e sipër të lidhura me virusin COVID-19 anembanë botës. I kemi marrë në konsideratë këshillat e udhëheqësve vendorë të Kishës, zyrtarëve qeveritarë dhe profesionistëve të mjekësisë si dhe kemi kërkuar udhërrëfimin e Zotit për këto çështje. Tani po japim drejtimet e përditësuara vijuese:

Duke filluar menjëherë, të gjitha grumbullimet publike të anëtarëve të Kishës pezullohen përkohësisht në mbarë botën deri në një njoftim të mëtejshëm. Kjo përfshin:

  • Konferencat e kunjeve, konferencat e udhëheqjes dhe grumbullime të tjera të mëdha
  • Të gjitha shërbesat publike të adhurimit, përfshirë mbledhjet e sakramentit
  • Aktivitetet e degëve, lagjeve dhe kunjeve

Atje ku është e mundur, ju lutemi, bëjeni çfarëdo mbledhjeje thelbësore të udhëheqjes me anë të teknologjisë. Pyetjet specifike mund t’iu drejtohen udhëheqësve vendorë të priftërisë. Do të jepet drejtim i mëtejshëm në lidhje me çështje të tjera.

Peshkopët duhet të këshillohen me presidentin e tyre të kunjit për të vendosur se si do ta vënë sakramentin në dispozicion të anëtarëve të paktën një herë në muaj.

Ne i nxitim anëtarët për përpjekjet shërbestare që bëjnë për t’u kujdesur për njëri-tjetrin. Duhet të ndjekim shembullin e Shpëtimtarit për t’i bekuar e lartësuar të tjerët.

Japim dëshmi për dashurinë e Zotit gjatë kësaj kohe pasigurie. Ai do t’ju bekojë që të gjeni gëzim teksa bëni më të mirën tuaj për ta jetuar ungjillin e Jezu Krishtit në çdo rrethanë.

Sinqerisht,

Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve