Pa ata, ne nuk mund të bëhemi të përsosur

Dejvid P. Homer, Zvicër I Shtatëdhjetë Zonal
Dejvid P. Homer I Shtatëdhjetë Zonal, Zvicër

Gjatë muajve të fundit të jetës së tij, Profeti Jozef Smith reflektoi shpesh lidhur me rëndësinë e ordinancave mëkëmbëse për të vdekurit.[1]  Në fakt, ai e konsideronte punën për paraardhësit tanë aq të rëndësishme, sa dha mësim se “shpëtimi i tyre është i nevojshëm dhe thelbësor për shpëtimin tonë . . . ata pa ne nuk mund të bëhen të përsosur—as ne nuk mundemi, pa të vdekurit tanë, të bëhemi të përsosur”[2].

Është e lehtë të kuptohet se si puna me mëkëmbës e kryer për paraardhësit tanë u lejon atyre të bëhen të përsosur sepse, pa ne, ata nuk do të ishin në gjendje t’i merrnin ordinancat e nevojshme për shpëtimin e tyre.  Ajo që mund të jetë më e vështirë për t’u kuptuar është mënyra si na ndihmojnë “të vdekurit tanë” që të bëhemi të përsosur.  Ndërkohë që ajo referencë mund të jetë një koncept i përgjithshëm që e ka fjalën për vdekjen e të gjithë të gjallëve, ajo mund të ketë gjithashtu një domethënie më vetjake që na nxit të gjithëve t’i gjejmë “të vdekurit tanë [vetjakë]” sepse bërja e kësaj do të na ndihmojë të përparojmë. 

Gjetja e paraardhësve sjell në jetën tonë Shpirtin e Elijës, i cili na përmirëson e na e forcon.  E di këtë nga përvoja vetjake.  Gjenealogjia e zgjeruar që është bërë nga pjesëtarët e familjes sime e bën një sfidë të vërtetë gjetjen e paraardhësve për të cilët mund të kryhen ordinancat në tempull.  Kohët e fundit, një mik që është mjeshtër për historinë familjare, më ndihmoi të gjeja një paraardhëse që më parë nuk ishte gjetur.  Është e vështirë që ta përshkruaj atë që ndjeva atë ditë.  Teksa e përgatitnim emrin e saj për në tempull, isha i mposhtur [nga Shpirti].  Dukej sikur ajo kishte qenë duke pritur për një kohë shumë të gjatë.  E ndjeva ndikimin përmirësues të Shpirtit.  Zemra ime u duk se ndryshoi njësoj si zemra e atyre që dëgjuan mbretin Beniamin.[3]  Doja të isha njeri më i mirë.  Doja të isha besnik, në mënyrë që një ditë të mund ta shihja atë dhe ta falënderoja atë që e preku jetën time.

Gjetja e paraardhësve tanë na forcon edhe sepse, teksa e studiojmë jetën e tyre, ne shikojmë mësime që mund t’i zbatojmë në jetën tonë.  Në dimrin e vitit 1847, Rasëll King Homeri, ishte midis shenjtorëve të stërmunduar në Lagjet Dimërore të cilët po përgatiteshin të merrnin udhën drejt Jutës me Brigam Jangun më vonë gjatë atij viti.  Tri ditë përpara se grupi të nisej, Plaku Hibër C. Kimball, një anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, iu afrua Rasëllit dhe i kërkoi të bënte një sakrificë.  Rasëlli duhej të mbetej pas dhe iu kërkua t’i dhuronte karron, skuadrën dhe furnizimet e veta në mënyrë që të tjerët të shkonin në vend të tij.[4]

Duhej të kishte qenë sfiduese për Rasëllin t’i shihte të tjerët t’ia merrnin gjërat e të largoheshin.  Sidoqoftë, në vend që ta kundërshtonte apo të inatosej nga situata e tij, ai thjesht vazhdoi përpara, duke mirëbesuar se gjithçka do të ishte për më mirë.  Gjatë disa viteve të ardhshme, ai ndihmoi mijëra shenjtorë që të bënin përgatitjet e fundit dhe të kalonin rrafshinat e Jutës.  Më në fund, në vitin 1859, ai bëri udhëtimin e tij të fundit, duke udhëhequr një kompani karrocash dore drejt perëndimit ku zuri vend me familjen e tij dhe jetoi për të gjithë pjesën e mbetur të ditëve të tij.[5]

Kur jeta më jep një zhgënjim ose kërkon që unë të bëj diçka që është sfiduese, më kujtohet katragjyshi im, Rasëll Kingu.  Në vend që t’i kundërshtoj apo të inatosem prej sfidave që vijnë në udhën time, unë mund të vazhdoj përpara siç bëri ai dhe të mirëbesoj se e gjitha do të jetë për më mirë.  Në një mënyrë shumë reale, përvojat dhe mësimet e jetës së tij mund të më ndihmojnë ta përmirësoj timen.

Nuk është çudi që Profeti Jozef Smith reflektoi kaq shpesh mbi këtë doktrinë themelore.  Gjetja e “të vdekur[ve] tanë” është vendimtare për shpëtimin tonë sepse ajo sjell Shpirtin në zemrat tona dhe na jep mësime që na e përmirësojnë jetën.  Doktrina është me rëndësi vendimtare për ne sepse “ata pa ne nuk mund të bëhen të përsosur—as ne nuk mundemi, pa të vdekurit tanë”. 



[1] Doktrina e Besëlidhje 128:1

[2] Doktrina e Besëlidhje 128:15

[3] Shih Mosia 5:2

[4] History of Russel King Homer, nga William E. Homer, 2015, faqe 61

[5] Shih lds.org, Mormon Pioneer Overland Travel