Solt‑Lejk‑Siti/Frankfurt

Përshkrimet që Mashtrojnë: Kur Krijimi Imagjinar Historik Shkakton Dëm

painting of a landscape

Një serial i transmetuar në internet kohët e fundit paraqet një interpretim imagjinar të ngjarjeve nga mesi i shekullit të 19‑të në Jutë.  Ndërkohë që krijimet imagjinare historike mund të jenë ndriçuese, kjo dramë është keqinformuese në mënyrë të rrezikshme.

Brigam Jangu, një profet i nderuar dhe një pionier guximtar, sipas çfarëdo standardi historik, është keqkarakterizuar në mënyrë skandaloze si një fanatik, i lig dhe i dhunshëm. Edhe individë dhe grupe të tjera janë përshkruar në mënyra që përforcojnë stereotipa që janë si të pasaktë, ashtu edhe të dëmshëm.

Për sa i përket Masakrës së Livadheve Malore të cilën seriali e portretizon pasaktësisht si reflektuese të një grupi të tërë besimtarësh, Kisha prej kohësh e ka nxjerrë në pah dhe e ka dënuar këtë tragjedi të tmerrshme. Kisha gjithashtu ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të zbuluar e treguar të vërtetën e plotë të asaj që ndodhi dhe për të nxitur shërim.

Problemi me tregimin kaq mashtrues, të ndezur dhe të bujshëm të historisë është se jo vetëm që e errëson realitetin dhe e pengon të kuptuarit e mirëfilltë, por mund të ushqejë armiqësi, urrejtje dhe madje dhunë. Kjo është veçanërisht shqetësuese sot kur paqebërësit nevojiten më shumë se kurrë. Në një kohë kur kaq shumë udhëheqës të përgjegjshëm po i dënojnë ndarjen dhe armiqësinë, të cilat mbizotërojnë kaq shumë nga diskutimi ynë publik, ne i bëjmë jehonë përgjërimit nga Presidenti Rasëll M. Nelson: “Mesazhi i Shpëtimtarit është i qartë: Dishepujt e Tij të vërtetë ndërtojnë, lartësojnë, nxitin, bindin dhe frymëzojnë, pavarësisht se sa e vështirë është situata. Dishepujt e vërtetë të Jezu Krishtit janë paqebërës. … Paqebërja është një zgjedhje. … Ju nxit të zgjidhni që të jeni paqebërës, tani e përgjithmonë.”

Kjo ndjenjë, e përbashkët për shumë tradita, po kumbon anembanë botës sot. Ajo është mesazhi profetik i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme – një mesazh i paqes, që e kanë shpërndarë të gjithë profetët modernë, përfshirë Brigam Jangun.