“Mos lejoni që t’ju hiqet vullneti juaj i lirë, gjëja më e çmuar që zotëroni.” Kjo fjali nga një fletëpalosje e shkruar prej Helmut Hybenerit në vitin 1941, u citua dikur nga Joakim Gauku, në atë kohë Presidenti Federal i Gjermanisë. Po i njëjti citim u dëgjua në seritë e transmetimit radiofonik “Kalenderblatt”, në radion “Deutschlandfunk”, të mërkurën, më 8 janar 2025, saktësisht 100 vjet pasi lindi Helmut Hybeneri. Në këtë përvjetor, bashkësitë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në qytetet gjermane Hamburg dhe Berlin përkujtuan guximin e këtij anëtari adoleshent të rezistencës kundër nacional‑socializmit [nazizmit].
Apeli i Helmut Hybenerit është një nga “citimet më të shquara në historinë e rezistencës kundër nacional‑socializmit [nazizmit]”, – tha profesori Johanes Tushel, Drejtor i Qendrës Përkujtimore të Rezistencës Gjermane, gjatë transmetimit në radion “Deutschlandfunk”.
Shtolpershtajn‑i, një pllakëz përkujtimore sa një gur kalldrëmi për Helmut Hybenerin, është transferuar në rrugën Saksenshtrase në Hamburg të Gjermanisë.

Shtolpershtajn‑i i Helmut Hybenerit pastrohet pas transferimit të tij.


Lule në Shtolpershtajn‑in e Helmut Hybenerit, të transferuar në Hamburg të Gjermanisë.

Profesor Alan Kili (majtas) flet në një shkollë në Hamburg të Gjermanisë që mban emrin e Helmut Hybenerit.

Një shkollë në Hamburg të Gjermanisë feston 100‑vjetorin e lindjes së Helmut Hybenerit, emrin e të cilit mban.


Dr. Daniel Fingerle (majtas) dhe Hartmut Voite me kurorën në përkujtim të Helmut Hybenerit.


Në ditëlindjen e 100‑të të Helmut Hybenerit në përmendoren e Plëtcenzesë, nga e majta në të djathtë: Hartmut Voite, Dr. Ralf Grynke, Dr. Daniel Fingerle.


Kurorë me fjongo në përkujtim të Helmut Hybenerit.


Ish‑dhoma e ekzekutimit në vendin përkujtimor të Plëtcenzesë.


Përmendorja e Plëtcenzesë në Berlin të Gjermanisë.

“Pikëpamjet e Helmut Hybenerit e morën formimin nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”, – tha prezantuesi. “Ideja e vullnetit të lirë është e ankoruar fort në doktrinën e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”, – tha Plaku Nils O. Xhensen, I Shtatëdhjetë Zonal i Kishës. “Liria e zgjedhjes është një dhuratë që Perëndia ia jep çdo individi. Helmut Hybeneri tregoi se është e mundur të tregosh karakter dhe t’u qëndrosh bindjeve të tua në rrethanat më të pafavorshme dhe sfiduese që mund të përfytyrohen. Edhe sot e kësaj dite, shumë kohë pas vdekjes së tij, ai ende shërben si model dhe shembull për shumë të rinj e të reja.”
Dy shkolla gjermane mbajnë emrin e Helmut Hybenerit, njëra në Hamburg dhe tjetra në Berlin.
Më 8 janar, shkolla e qarkut “Helmut Hybener” në Hamburg, nisi një vit përkujtimor, kushtuar të riut sipas të cilit iu vu emri, në auditorin e shkollës, që ishte i mbushur plot me njerëz. “Helmut Hybeneri tregoi se guxim nuk do të thotë të mos kesh frikë. Do të thotë të bësh gjënë e duhur pavarësisht frikës. Le ta rrënjosim në zemër këtë mësim. Ia detyrojmë atij dhe të gjithë atyre që bënë rezistencë mes një rreziku të madh”, – tha me këtë rast drejtoresha Bianka Tisi. Profesori Alan Kili, i cili erdhi nga Shtetet e Bashkuara, foli në emër të një delegacioni nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. “Helmut Hybeneri ishte një qenie njerëzore që refuzoi të humbiste ndjenjën e të qenit njeri”, – tha filologu gjerman. Profesor Kili dha mësim në Universitetin “Brigam Jang” dhe bëri kërkime të gjera mbi jetën e Helmut Hybenerit.
Në mëngjes, anëtarët e Kishës morën pjesë në transferimin e Shtolpershtajn‑it të Helmut Hybnerit, një pllakëz përkujtimore sa një gur kalldrëmi, për në vendbanimin e tij të fundit siç e la porosi, në atë që tani është godina nr. 18 në rrugën Saksenshtrase. Shtolpershtajn‑i , një projekt artistik i skulptorit Gunter Demnig nga Këlni i Gjermanisë, konsiderohet si emblema përkujtimore më e përhapur në botë. Vende të ndryshme në Hamburg, qyteti i tij i lindjes, përkujtojnë përpjekjet e Helmut Hybenerit.
Në mbrëmje, Kisha i ftoi anëtarët e saj dhe palët e interesuara për një vizitë me udhërrëfim në ekspozitën e përhershme në nder të Helmut Hybenerit, në Shkollën e Administrimit të Hamburgut. Helmut Hybeneri e frekuentoi këtë shkollë deri në arrestimin e tij.
Në Berlin, anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u mblodhën te përmendorja në Plëtcenze. Dr. Daniel Fingerle, Drejtor i Komunikimit për Vendin në Gjermani, Hartmut Voite, këshilltar i lartë në Kunjin e Berlinit në Gjermani, dhe Dr. Ralf Grynke, Ndihmësdrejtor Zone për Komunikimin në Zonën e Europës Qendrore, morën pjesë në një ceremoni të vendosjes së kurorave ku ishin të pranishëm edhe anëtarë vendas.
Midis viteve 1933 dhe 1945, më shumë se 2 800 të burgosurve iu prenë kokat ose i varën në ish‑burgun e Plëtcenzesë në Berlin. Helmut Hybeneri u përball me vdekjen e tij të dhunshme atje, më 27 tetor 1942. Ai konsiderohet si anëtari më i ri në moshë i rezistencës kundër regjimit nazist në Gjermani që u ekzekutua me urdhër të Gjykatës Popullore në Berlin. “Nazistët duhet të jenë ndier jo vetëm të fyer nga një adoleshent 17‑vjeçar, tepër i guximshëm dhe i zgjuar, por edhe të denoncuar dhe demaskuar”, – shpjegoi kanali radiofonik publik gjerman NDR.
Në vitin 2018, Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, i bëri homazhe Helmut Hybenerit gjatë një vizite në përmendoren e Plëtcenzesë me fjalët vijuese: “Guximi dhe gatishmëria e Helmut Hybenerit për të qëndruar për atë që është e mirë, do të shërbejnë gjithmonë si një kujtues dhe një ftesë për të ndjekur mësimet e Krishtit”.
Një ese në faqen e internetit të Kishës jep hollësi për jetën e Helmut Hybenerit dhe lidhjen e tij me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.