Në Kazakistan, Plaku Kirën Nxit për Paqe Nëpërmjet Mirëbesimit dhe Miqësisë

Në të njëjtin takim, Plaku Holland, i Të Shtatëdhjetëve, bën thirrje për ruajtjen dhe respektimin e hapësirës së shenjtë

Plaku Patrik Kirën, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha në një takim të udhëheqësve mbarëbotërorë të fesë në Kazakistan të mërkurën, më 17 shtator 2025, se një model për ndërtimin e një bote më paqësore mund të gjendet në rinovimin madhor në vazhdim e sipër të Tempullit të Solt-Lejkut.

Udhëheqësi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme tha se projekti i ndërlikuar, i cili përfshin qindra individë që po ofrojnë zotësi të pashoqe për “diçka më të madhe se vetja”, është një metaforë e fuqishme për ndërtimin e marrëdhënieve me të tjerët.

“Ne e dimë se çfarë ndryshimi sjell kur u afrohemi ndërveprimeve tona vetjake me të njëjtën lloj përkujdesjeje që po i kushtojmë tempullit tonë historik”, – u tha Plaku Kirënatyre që u mblodhën në Kongresin e Tetë të Udhëheqësve të Botës dhe Feve Tradicionale në Pallatin e Pavarësisë në Astana të Kazakistanit. “Jam mirënjohës për përpjekjen tonë të përbashkët – përtej mureve të tempujve, kishave, sinagogave dhe xhamive – për ta trajtuar hapësirën midis nesh me të njëjtën ndjesi nderimi e qëllimi.”

Ndërtimi i hapësirës së shenjtë midis njerëzve mund të ndodhë në disa mënyra, shtoi Plaku Kirën, si shpenzimi i kohës për të dëgjuar, zëvendësimi i gjykimit me dhembshurinë dhe të kujtuarit se “ajo që na bashkon, është shumë më e madhe se ajo që mund të na ndajë”.

“Ashtu si ndërtesat e shenjta ngrihen gur pas guri, po ashtu ndërtohen paqja dhe mirëkuptimi, çast pas çasti, takim pas takimi”, – tha ai.

Apostulli e ftoi çdo njeri të pranishëm që të merrte pjesë në kremtimin e shtëpisë së hapur të Tempullit të Solt-Lejkut, i cili fillon në prill 2027 dhe do të zgjatë për gjashtë muaj.

Tema e seancës plenare ishte “Dialogu i Feve: Bashkëpunim Fuqizues për të Ardhmen”. Apostulli u shoqërua nga Plaku Methju S. Holland, i Të Shtatëdhjetëve, i cili udhëheq përpjekjet globale të komunikimit për Kishën. Pjesëmarrës të tjerë të shquar në atë takim ishin Patriarku Kirill nga Moska dhe Kryeimami Al-Azar Sheik Ahmed el-Tajeb.

Ruajtja e Vendeve Fetare

Plaku Holland gjithashtu foli në kongres, duke iu drejtuar një sesioni të veçantë të martën, i cili u përqendrua te ruajtja e hapësirave të shenjta. Autoriteti i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë tha se mbrojtja e terrenit të shenjtë nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme.

“Ka vende dhe hapësira në këtë tokë që duhet të trajtohen me nderim dhe përkujdesje të veçantë”, – tha Plaku Holland. “Kjo është e vërtetë jo ngaqë ato thjesht janë ndërtuar apo thjesht ekzistojnë, por për shkak të asaj që ndodh brenda dhe përreth tyre.”

Me rëndësinë e vendeve fetare në mendje dhe me kaq shumë udhëheqës mbarëbotërorë të feve të mbledhur në kongres, Plaku Holland tha se është “e përshtatshme, madje e domosdoshme” që të bëhet thirrje për mbrojtjen e tyre.

“Mes gjërave të tjera, kjo do të thotë që ne t’u bëjmë thirrje qeverive, gazetarëve, turistëve dhe njerëzve të tjerë që të respektojnë shenjtërinë dhe rregullat e përdorimit, që një fe e caktuar mund t’i imponojë për vetë vendin e saj të shenjtë dhe aktivitetin ceremonial që ndodh atje.”

Plaku Kirën, të mërkurën, tregoi historinë e tij vetjake se si mësoi të vlerësonte larminë fetare dhe hapësirën e shenjtë të besimeve të tjera fetare. Ai tha se, kur ishte djalë i vogël, u shpërngul nga vendlindja e tij, Anglia, drejt një shteti të largët me një kulturë, klimë dhe peizazh fetar shumë të ndryshëm. Ai u bë i ndjeshëm ndaj asaj që ishte e shenjtë për miqtë e kombit të tij mikpritës.

“Mënyra se si familjet që ne njihnim, i trajtonin ritet dhe praktikat e tyre fetare me nderim të qetë, u bë një shembull i bukur për mua”, – tha Plaku Kirën. “Vendet e tyre të shenjta kishin status të shenjtëruar për ta dhe kjo u përçua tek unë nëpërmjet shembullit të tyre të përkushtimit. U bë një privilegj i dhembshur që të hyja në vendet e tyre të shenjta. Arrita të kuptoj se një hapësirë e shenjtëruar nuk nevojitej të ishte hapësira ime e shenjtëruar që të nxiste një ndjesi të së shenjtës brenda meje.”

Nderimi i të tjerëve në këtë mënyrë, tha Apostulli, është një element përbërës kyç në ndërtimin e paqes dhe të lidhjes njerëzore. Ai theksoi dhembshurinë, dialogun, të dëgjuarit dhe të kuptuarit si gurët themeltarë të mirëbesimit dhe miqësisë.

“Ne mund ta ndreqim atë që është thyer, të forcojmë atë që është e thyeshme dhe të krijojmë strukturën e një të ardhmeje ku paqja mund të zëvendësojë frikën”, – i tha Plaku Kirën Kongresit. “Mund të afrohemi më pranë dhe të farkëtojmë lidhje me po aq mendim e shpresë sa kur ndërtojmë e ruajmë shenjtëroret fizike. Kur e bëjmë këtë gjë, ne do të kuptojmë më mirë llojin e botës që përfaqësojnë ato godina, një vend të qiellit në tokë. Faleminderit që jeni ndërtues të tillë.”

Mbledhje dhe Ngjarje të Tjera

Përveç këtij fjalimi në kongres, Plaku Kirën gjithashtu zhvilloi disa takime private me udhëheqës të besimeve të tjera fetare dhe përfaqësues të qeverisë së Kazakistanit.

Kongresi vetë është me vlerë me fjalimet dhe sesionet e tij të ndara, tha Plaku Kirën. Aspekti më i vlefshëm i grumbullimit janë takimet individuale që ndërtojnë lidhje, kuptueshmëri dhe miqësi.

“Ne rritemi në mirëkuptim. E dimë se çfarë është në mendjen e tyre dhe kemi kaq shumë gjëra të përbashkëta”, – tha Plaku Kirën. “Veçanërisht kur takohemi në grumbullime si ky, ne nuk përqendrohemi te gjërat e pakta që mund të na veçojnë. Përqendrohemi te gjërat që na bashkojnë dhe ajo që mund të bëjmë së bashku.”

Plaku Kirën tha se vuri re që thelbi i kongresit të këtij viti ishte “dëshira e madhe e të gjitha këtyre besimeve fetare për të gjetur paqe për të sotmen, fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë”.

“Kjo është një gjë e vështirë për t’u bërë në një botë të trazuar, por kur ju i bëni bashkë miliona, ndoshta miliarda njerëzit e përfaqësuar nga udhëheqësit këtu, është e rëndësishme që ne jemi pjesë e këtyre bashkëbisedimeve dhe që së bashku të ndjekim këto synime tepër të rëndësishme.”

Ky kongres i udhëheqësve të feve që ndodh çdo tre vjet, filloi në vitin 2003 si përgjigje ndaj sulmeve të 11 shtatorit. Plaku Pol B. Pajpër, i Të Shtatëdhjetëve, i cili foli në vitin 2009, ishte udhëheqësi i parë i Kishës që mori pjesë. Pjesëmarrës të tjerë gjatë viteve kanë qenë Plaku Jorg Klebingat, i Të Shtatëdhjetëve (2015), Plaku Aleksei V. Samajkin, ish-Presidenti i Zonës së Europës Lindore (2018) dhe Plaku Ulises Soares, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve (2022).