Në sallat historike të Kështjellës së Pragës, vendbanimi zyrtar i Presidentit të Republikës Çeke, dhe të Pallatit Çernin, vendndodhja e Ministrisë së Punëve të Jashtme Çeke, udhëheqës të qeverive, shoqërisë civile dhe besimeve fetare u mblodhën për Konferencën e Nivelit të Lartë Ndërkombëtar të Aleancës së Nenit 18 (Aleanca Ndërkombëtare për Lirinë Fetare ose Besimin Fetar). Mes pjesëmarrësve ishin përfaqësues të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme, që iu bashkuan delegatëve nga të gjitha anët e botës për të pohuar të drejtën universale të lirisë së fesë ose besimit fetar.
Presidenti Petr Pavel, Presidenti i Republikës Çeke, e hapi zyrtarisht ngjarjen me një fjalim kryesor, duke theksuar lirinë e ndërgjegjes dhe besimit fetar:
“Kudo ku shpirti njerëzor kontrollohet nga pushteti, liria vdes”.
Ai përshkroi se si besimi i mirëfilltë bëhet një rezervuar guximi dhe dinjiteti, veçanërisht “në kohë krizash” dhe u kujtoi pjesëmarrësve se “feja e vërtetë është diçka që i lartëson njerëzit shpirtërisht, të gjithë njerëzit, jo vetëm disa prej tyre”. Mbi të gjitha, ai nxiti vigjilencën:
“Liria e vërtetë e fesë do të thotë liri nga kontrolli. Liria fetare nuk garantohet kurrë njëherë e përgjithmonë. Prandaj, ajo duhet të mbrohet, të ruhet e jetohet çdo ditë. Le të mos e marrim asnjëherë si të mirëqenë. Le të kemi guximin për ta mbrojtur atë, për veten tonë dhe për ata që nuk mund ta mbrojnë.”
Delegatët e Kishës dhe Bindjet e Saj Themelore
Në përfaqësim të Kishës ishin Plaku Xhejms W. Mek-Konki, anëtar i Presidencës së Zonës së Europës Qendrore, dhe Mihal Hanzali, Drejtuesi i Zonës për Marrëdhëniet Publike. Pjesëmarrja e tyre pasqyroi një parim të rrënjosur thellësisht në bindjen fetare të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, një parim që i bën jehonë pikërisht qëllimit të këtij tubimi global. Neni i Njëmbëdhjetë i Besimit të Kishës shpall:
“Ne shpallim privilegjin e adhurimit të Perëndisë së Plotfuqishëm në përputhje me zërin e ndërgjegjes sonë dhe u lejojmë të gjithë njerëzve të njëjtin privilegj, që ata duhet të adhurojnë si, ku dhe çfarë të zgjedhin”.
Po këto ideale përkrahen nga Aleanca e Nenit 18. E udhëhequr prej kësaj bindjeje, Kisha u bashkua me udhëheqës nga anekënd botës për të pohuar se çdo individ duhet të jetë në gjendje të adhurojë lirisht, pa frikë apo diskriminim.
Plaku Xhejms W. Mek-Konki vuri në dukje rëndësinë e tubimit: “Gjatë gjithë konferencës, reflektova mbi kujtuesin e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 134:4 se qeveria ‘duhet ta frenojë krimin, por kurrë të mos kontrollojë ndërgjegjen; duhet të ndëshkojë fajin, por kurrë të mos shtypë lirinë e shpirtit’ dhe se sa kënaqësi ishte të mblidheshim në zemër të Europës, me udhëheqës akademikë, qeveritarë dhe fetarë, të zotuar ndaj këtyre parimeve hyjnore të së vërtetës dhe lirisë së zgjedhjes”.
Temat e Konferencës dhe Zërat Globalë
Gjatë gjithë sesioneve plenare dhe ngjarjeve suplementare, temat e dinjitetit, solidaritetit dhe ripërtëritjes u ndërthurën së bashku. Delegatë nga çdo kontinent diskutuan për ndërtimin e paqes dhe kohezionin shoqëror, si dhe trysnitë e rënda me të cilat përballen komunitetet fetare në kohë lufte dhe në kontekste të tjera delikate. Folësit përfshinë Raportuesen Speciale të OKB-së, Nazila Ganean, Ambasadorin Samuel Braunbek (SHBA) dhe të tjerë nga anembanë Europës, Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut. Një homazh emocionues nderoi Hirësinë e Tij Dalai Lamën për zotimin e tij gjatë gjithë jetës për shmangien e dhunës dhe për dinjitetin njerëzor.
Aleanca e Nenit 18
Aleanca e Nenit 18, e cila e organizoi konferencën, është një rrjet prej 38 shtetesh anëtare dhe qindra ekspertësh të bashkuar nga parimet e Nenit 18 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut. Misioni i saj është të mbrojë minoritetet fetare, të luftojë diskriminimin dhe të nxitë respekt për lirinë e fesë ose të besimit.
Këshilli i Ekspertëve të Aleancës, përfshirë Profesorin Bret Sharfs, të Qendrës Ndërkombëtare për Studime Ligjore dhe Fetare në Universitetin “Brigam Jang”, bëri bashkë zëra udhëheqës nga anekënd botës për të këshilluar e përkrahur punën e Aleancës.
Nderimi i Ndërtuesve të Urave Lidhëse
Në darkën e natës së hapjes, në Muzeun Ndërkombëtar në Sheshin historik “Venceslas” të Pragës, u paraqitën çmime ndaj individëve dhe organizatave të cilat kanë ndërtuar ura lidhjeje mes besimeve fetare dhe kanë çuar përpara lirinë fetare.
Mes të nderuarve ishte Profesori Sharfs, i dalluar për zotimin e tij afatgjatë ndaj mbrojtjes së lirisë fetare. Ky çast vuri në pah një traditë studimi dhe shërbimi që Kisha e nxit dhe e mbështet, duke dhënë mesazhin se për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, nxitja e lirisë fetare nuk është një mbrojtje me raste; ajo është një detyrë e vazhdueshme.
Duke marrë çmimin, Profesori Sharfs reflektoi: “Ripërtëritja vjen nga të punuarit së bashku, veçanërisht në kohët e errësirës. Kur bashkohemi në zotim e bashkëpunim, ne prodhojmë shpresë e forcë për ata që vuajnë përndjekje.”
“Ne Mund ta Çarmatosim Urrejtjen”
Ambasadori i Veçantë, Joshtetëror, Robert Zhehak, Kryetari i Aleancës së Nenit 18, ofroi një model praktik për të bashkëpunuar përtej ndryshimeve:
“Kur krijojmë miqësi të çiltra dhe bashkëpunim të efektshëm, ne mund ta çarmatosim urrejtjen, mund ta mposhtim polarizimin dhe përçarjen. Së bashku, mund ta shndërrojmë fuqinë e të pafuqishmëve në një forcë kolektive për lirinë e fesë, mirëkuptimin reciprok dhe paqen.”
Ajo frymë – miqësia që bëhet bashkëpunim – përshkruan qasjen e Kishës në mbarë botën. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme në mënyrë të zakonshme krijojnë partneritet me komunitete të tjera besimi fetar dhe organizata civile për të lehtësuar dhembjen, për të mirëpritur të shpërngulurit dhe për të forcuar familjet. Në Pragë, këto partneritete jo thjesht u kremtuan; ato u përtërinë.
Shikimi Përpara
Konferenca përfundoi me një deklarim që thekson se, në kohët e pasigurisë globale, të drejtat e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe fesë ose besimit fetar janë thelbësore për dinjitetin dhe përtëritjen njerëzore. Duke ndërtuar mbi këtë hov, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme do të vazhdojë ta thellojë përfshirjen e saj në dialogun ndërfetar dhe nismat për liri fetare anembanë Europës.
Fjalët kujtuese të Presidentit Pavel vënë në dukje një të vërtetë jetëgjatë: kur burrat dhe gratë janë të lirë të kërkojnë Perëndinë dhe t’u shërbejnë të afërmve të tyre në përputhje me diktimet e ndërgjegjes së tyre, ata bëhen – së bashku – veprues të shpresës. Ai është lloji i lirisë që kjo konferencë u bëri thirrje pjesëmarrësve ta mbronin – jo vetëm një herë, por çdo ditë.
Në Pragë, u shkrua sërish historia e besimit dhe e lirisë. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme japin ndihmesë në këtë dialog global, duke pohuar se liria fetare nuk është vetëm një e drejtë për ta pretenduar, por një dhuratë për ta ndarë bashkërisht.