Presidenca e Parë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka njoftuar vendndodhjen e Tempullit të Brukselit në Belgjikë.

Tempulli do të ndërtohet brenda një ndërtese ekzistuese në adresën Ave des Arts 52, në Bruksel, Belgjikë. Planet janë për një tempull shumëkatësh prej afro 2 369 metra katrorë, një shtëpi mbledhjesh dhe godina mikpritëse. Ky do të jetë tempulli i parë i qytetit.
Presidenti i Kishës, Rasëll M. Nelsoni, e njoftoi tempullin gjatë konferencës së përgjithshme të Kishës në prill 2021. “Tempujt janë një pjesë jetësore e Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit në plotësinë e saj. Ordinancat [ceremonitë] e tempullit e mbushin jetën tonë me fuqi dhe forcë që nuk janë në dispozicion në asnjë mënyrë tjetër. Ne e falënderojmë Perëndinë për ato bekime”, – tha Profeti ndërsa u njoftuan 20 tempuj të rinj, përfshirë Tempullin e Brukselit në Belgjikë.
Brukseli ndodhet në pjesën qendrore të veriut të Belgjikës, afërsisht 110 km larg bregdetit belg dhe 180 km larg nga pika më jugore e Belgjikës.
Planet e hollësishme të projektimit për tempullin janë ende në proces zhvillimi. Informacione të mëtejshme, përfshirë paraqitjet e pamjeve të jashtme, do të bëhen publike më vonë. Një datë për ceremoninë e fillimit të punimeve do të njoftohet në të ardhmen. Udhëheqësit e projektit do të punojnë me zyrtarët e qytetit për planet dhe lejet për tempullin në përgatitje për aktivitetet e ardhshme të ndërtimit.

Brukseli është një qendër kryesore ndërkombëtare dhe kryeqyteti i shtetit europian. Në Belgjikë banojnë afërsisht 7 000 shenjtorë të ditëve të mëvonshme, në 12 bashkësi. Tempulli i Brukselit në Belgjikë, do të jetë tempulli i parë i Kishës në atë vend. Predikimi për ungjillin e rivendosur filloi në Belgjikë kur mbërritën misionarët e parë në vitin 1888. Misionarët që shërbyen në Zvicër dhe Gjermani, u dërguan edhe në Belgjikë.
Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme i konsiderojnë tempujt si shtëpitë e Zotit dhe vendet më të shenjta të adhurimit në tokë. Tempujt ndryshojnë nga shtëpitë e mbledhjeve të Kishës ose godinat kishtare. Të gjithë njerëzit janë të mirëpritur të marrin pjesë në shërbesat e adhurimit të dielën dhe në veprimtari të tjera gjatë ditëve të javës në shtëpitë vendore të mbledhjeve. Qëllimi kryesor i tempujve, megjithatë, është që anëtarët besnikë të Kishës të marrin pjesë në ceremoni të shenjta të tilla si martesat që i bashkojnë familjet përgjithmonë.