Birmingam, Angli

Njoftohet Vendndodhja e Tempullit të Birmingamit në Angli

Shtëpia e Zotit e njoftuar në vitin 2022, do t’i ndihmojë shenjtorët vendës ta rritin “hovin shpirtëror” të tyre.

Presidenca e Parë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e ka bërë të ditur vendndodhjen e Tempullit të Birmingamit, Angli. Tempulli do të ndërtohet në një vendndodhje me sipërfaqe rreth 1 hektar në 185–187 Penns Lane, Sutton Coldfield në Birmingam të Anglisë.

Vendndodhja e Tempullit të Birmingamit, Angli.
Vendndodhja e Tempullit të Birmingamit, Angli.

Planet janë për një tempull me një kat prej rreth 1 000 metrash katrorë, me strehim për frekuentuesit e tempullit dhe godina mikpritëse. Presidenti i Kishës, Rasëll M. Nelsoni, e njoftoi tempullin gjatë konferencës së Kishës në prill 2022. “Hovi pozitiv shpirtëror rritet teksa adhurojmë në tempull dhe të kuptuarit tonë për madhështinë e gjerësisë dhe thellësisë së bekimeve që marrim atje, rritet”, – tha profeti. “Ju lutem që t’iu kundërpërgjigjeni mënyrave të botës duke u përqendruar te bekimet e përjetshme të tempullit. Koha juaj atje sjell bekime në përjetësi”, – tha ai, ndërsa u njoftuan 17 tempuj të rinj, përfshirë Tempullin e Birmingamit në Angli.

Predikimi i ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit filloi në vitin 1837 në Britani, ndërsa misionarët, duke përfshirë dy anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, filluan të jepnin mësim në Preston. Gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë, mbi 52 000 të kthyer në besim emigruan nga Britania për t’iu bashkuar trupës kryesore të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Shtetet e Bashkuara. Deri në vitin 1870 gati gjysma e popullsisë së Jutës përbëhej nga emigrantë britanikë.

Tre tempujt në Mbretërinë e Bashkuar përfshijnë Tempullin historik të Londrës në Angli (përkushtuar në vitin 1958), Tempullin e Prestonit në Angli (përkushtuar në vitin 1998) dhe Tempullin e Birmingamit në Angli (njoftuar në vitin 2022). Tempulli i Birmingamit në Angli do të jetë tempulli i tretë në funksionim në Mbretërinë e Bashkuar, ku jetojnë thuajse 187 000 anëtarë në më shumë se 315 bashkësi.

Planet e hollësishme për ndërtimin e tempullit janë ende në zhvillim e sipër. Informacione të mëtejshme, si paraqitjet e jashtme dhe datat për ceremoninë e fillimit të punimeve, do të bëhen publike në një kohë më të vonë. Drejtuesit e projektit vazhdojnë të punojnë me zyrtarët vendorë për planet paraprake për tempullin në përgatitje për veprimtaritë e ndërtimit.

Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme i konsiderojnë tempujt si “shtëpi [të] Zotit” dhe vendet më të shenjta të adhurimit në tokë. Tempujt ndryshojnë nga shtëpitë e mbledhjeve të Kishës ose godinat kishtare. Të gjithë njerëzit janë të mirëpritur të marrin pjesë në shërbesat e adhurimit të dielën dhe në veprimtari të tjera gjatë ditëve të javës në shtëpitë vendore të mbledhjeve. Qëllimi kryesor i tempujve, megjithatë, është që anëtarët besnikë të Kishës të marrin pjesë në ceremoni të shenjta të tilla si martesat që i bashkojnë familjet përgjithmonë.