Barcelonë, Spanjë

Njoftohet Vendndodhja e Tempullit të Barcelonës, Spanjë

Do të jetë shtëpia e dytë e Zotit në Spanjë

Presidenca e Parë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka njoftuar vendndodhjen e Tempullit të Barcelonës, Spanjë.

Hartë që tregon vendndodhjen e Tempullit të Barcelonës, Spanjë.
Hartë që tregon vendndodhjen e Tempullit të Barcelonës, Spanjë.

Ky tempull do të ndërtohet në kryqëzimin e rrugëve Avinguda de la Vía Augusta dhe Avinguda de la Clota, Sant Cugat del Vallès, Barcelonë, Spanjë. Planet paraqitin një tempull dykatësh me një sipërfaqe rreth 2 500 metra katrorë. Një ndërtesë ndihmëse afërsisht 1 250 metra katrorë, me strehim për frekuentuesit, një qendër për mbërritjen dhe një qendër shpërndarjeje do të ndërtohen gjithashtu në ngastrën prej 2,18 hektarësh. Presidenti i Kishës, Rasëll M. Nelsoni, e shpalli fillimisht Tempullin e Barcelonës, Spanjë, në prill të vitit 2022. Ky do të jetë tempulli i dytë në këtë vend. Tempulli i Madridit, në Spanjë u përkushtua në vitin 1999. Spanja është vendi i më shumë se 61 000 shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në mbi 130 bashkësi. Meliton Gonzalez Treho, një oficer në ushtrinë spanjolle, i cili vizitoi Jutën në vitin 1874, pasi u bashkua me Kishën, luajti një rol thelbësor në përkthimin e Librit të Mormonit në spanjisht. Shenjtorët e parë të ditëve të mëvonshme në Spanjë u pagëzuan gjatë viteve 1950 dhe 1960.

Plane të hollësishme ndërtimi për këtë tempull janë në zhvillim e sipër. Informacion i mëtejshëm, përfshirë paraqitjet e jashtme, do të bëhet publik më vonë. Një datë për ceremoninë e fillimit të punimeve do të njoftohet në të ardhmen.

Udhëheqësit e projektit së shpejti do të fillojnë të punojnë me zyrtarët e qytetit për planet paraprake për këtë tempull dhe do të fillojnë të dorëzojnë dokumentet publike në muajt e ardhshëm.

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme i konsiderojnë tempujt shtëpinë e Zotit dhe vendet më të shenjta të adhurimit në tokë. Tempujt ndryshojnë nga shtëpitë e mbledhjeve të Kishës (godinat kishtare). Të gjithë njerëzit janë të mirëpritur të marrin pjesë në shërbesat e adhurimit të dielën dhe në aktivitete të tjera gjatë ditëve të javës në shtëpitë vendore të mbledhjeve. Qëllimi kryesor i tempujve është që anëtarët besnikë të Kishës së Jezu Krishtit të marrin pjesë në ceremoni të shenjta, të tilla si martesat, të cilat i bashkojnë familjet përgjithmonë, dhe pagëzimet me mëkëmbës në emër të paraardhësve të vdekur, të cilët nuk patën mundësinë të pagëzoheshin kur jetonin.