Presidenca e Parë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka njoftuar një paraqitje të pjesës së jashtme të Tempullit të Brukselit në Belgjikë.

Tempulli do të ndërtohet brenda një ndërtese ekzistuese në adresën Avenue des Arts 52, në Bruksel, Belgjikë. Planet janë për një tempull shumëkatësh prej afro 2 370 metra katrorë, një shtëpi mbledhjesh dhe godina mikpritëse. Ky do të jetë tempulli i parë i qytetit.

Presidenti i Kishës, Rasëll M. Nelsoni, e njoftoi këtë tempull gjatë konferencës së përgjithshme në prill 2021.
“Ne po ndërtojmë tani për të ardhmen!” – tha ai atëherë. “Ne dëshirojmë ta sjellim shtëpinë e Zotit edhe më pranë anëtarëve tanë, që ata të mund të kenë privilegjin e shenjtë të frekuentimit të tempullit aq shpesh sa ta lejojnë rrethanat e tyre.”
Sot, gati 6700 shenjtorë të ditëve të mëvonshme në 12 bashkësi janë banorë në Belgjikë, shumë prej tyre anëtarë të Kishës prej dy, tre dhe katër brezash.
Shenjtorët e ditëve të mëvonshme e konsiderojnë secilin tempull një shtëpi të Zotit dhe vendin më të shenjtë të adhurimit në tokë. Tempujt ndryshojnë nga shtëpitë e mbledhjeve të Kishës (godinat kishtare). Të gjithë njerëzit janë të mirëpritur të marrin pjesë në shërbesat e adhurimit të dielën dhe në aktivitete të tjera gjatë ditëve të javës në shtëpitë vendore të mbledhjeve. Qëllimi kryesor i tempujve është që anëtarët besnikë të Kishës së Jezu Krishtit të marrin pjesë në ceremoni të shenjta, të tilla si martesat, të cilat i bashkojnë familjet përgjithmonë, dhe pagëzimet me mëkëmbës në emër të paraardhësve të vdekur, të cilët nuk patën mundësinë të pagëzoheshin kur jetonin.