Presidenca e Zonës së Europës Qendrore e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka njoftuar ndryshime në udhëheqje te Këshillueset Zonale për Organizatat. Pas tre vjetësh shërbimi me përkushtim, Motra Anxhela Karatoni, Motra Margret Sizla dhe Motra Gerlinde Merl do të lirohen nga detyrat e tyre si Këshillueset Zonale për Organizatat. Këto gra kanë shërbyer me besnikëri për t’i përkrahur udhëheqëset vendore të organizatave te Shoqata e Ndihmës, Të Rejat dhe Fillorja në mbarë zonën.
Motra Anxhela Favia, nga Italia, është thirrur të shërbejë si Këshilluese e re Zonale për Organizatat duke filluar nga data 1 gusht 2025.
“Unë sinqerisht lutem që kjo thirrje e re të më afrojë më shumë me Atin tonë Qiellor dhe të më ndihmojë të mësoj nga shërbimi i përkushtuar dhe dashuria e motrave me të cilat do të punoj”, – tha Motra Favia. “Shpresoj të arrij t’i njoh ato në një mënyrë që do të na lejojë të gjithave të lartësohemi shpirtërisht dhe të frymëzohemi për të bërë mirë.”

Anxhela Favia u lind në Bari të Italisë dhe është e martuar me Nikola De Santisin. Ata kanë tri vajza dhe jetojnë në Kunjin e Puljës, Itali. Aktualisht ajo shërben si Presidente e Shoqatës së Ndihmës në lagje dhe si punonjëse e ordinancave të tempullit në Tempullin e Romës në Itali. Më parë, shërbeu si Presidente e Shoqatës së Ndihmës në kunj, Presidente e Të Rejave në lagje dhe Presidente e Fillores si dhe si misionare kohëplotë në Sheshin e Tempullit në Solt‑Lejk‑Siti. Për afro 20 vjet, Motra Favia punoi në një shoqëri përkthimi, kur pati role si përkthyese, përgjegjëse projekti dhe përgjegjëse e përgjithshme dhe drejtore e zyrës italiane.
“E di se ungjilli i Jezu Krishtit na bekon individualisht dhe si familje, duke na e thelluar dëshirën për t’u përmirësuar duke pasur si shembull dashurinë dhe veprimet e Shpëtimtarit”,– dëshmoi ajo. “Kur i ndjekim mësimet e Jezu Krishtit dhe shërbëtorëve të Tij besnikë, ne ndiejmë dashurinë dhe udhërrëfimin e Tij në jetën tonë. Ne përjetojmë gëzim dhe marrim forcë për të kapërcyer sfidat e jetës në mënyra që e tejkalojnë shpjegimin.”
Këshillueset Zonale për Organizatat u vijnë në ndihmë udhëheqëseve vendore të organizatave të Kishës për fëmijët, rininë dhe gratë dhe zakonisht shërbejnë tre vjet në këtë rol. Krahas dhënies së orientimit dhe përkrahjes për presidencat e sapothirrura të organizatave, ato gjithashtu i ndihmojnë udhëheqëset të përfshihen te Puna e Perëndisë për Shpëtimin dhe Ekzaltimin. Këshillueset Zonale për Organizatat shërbejnë nën drejtimin e Presidencës së Zonës dhe në bashkërendim me drejtuesit e përgjithshëm të Kishës.