Për botën, Geil Halvorseni mbahet mend si “Bombarduesi me Karamele”, komandant, aviator, inxhinier për anijet kozmike dhe studiues. Por për Denis Uilliamsin, ai ishte “babi”. Që para vdekjes së babait të saj në vitin 2022, Denis Uilliamsi dhe vëllezërit e motrat e saj janë përballur me detyrën për të mbështetur e vazhduar trashëgiminë e tij. Si një anëtar besnik i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Geil Halvorseni ishte i përkushtuar për t’i shërbyer vendit të tij dhe për t’u treguar njerëzve përreth tij “mësimet që mësoi gjatë një jete të tërë”.
Pas Luftës II Botërore, Gjermania ishte bërë gërmadhë dhe armiqësia ndaj gjermanëve ishte e përhapur kudo. Mes këtij mosbesimi, Bashkimi Sovjetik e bllokoi Berlinin në qershor 1948. Kjo bëri që Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të ndërmerrnin nismën “Transporti Ajror i Berlinit” për të siguruar ndihma për 2,5 milionë berlinezët që po vdisnin nga uria.
Shumë ushtarë aleatë ishin ende të zemëruar ndaj gjermanëve, përfshirë Geil Halvorsenin, i cili kishte humbur një mik në luftë. I pasigurt se si do të përgjigjej kur të shikonte burrat gjermanë teksa bënte dorëzimin e tij të parë, ai u befasua kur u prit me krahë hapur dhe lot mirënjohjeje. Denis Uilliamsi kujton fjalët e babait të saj: “Ishte në atë çast që e shova në zemër të gjithë zemërimin që kisha ndier më parë. Pse ndodhi ajo? Si ishte e mundur? Ndodhi ngaqë ishim në të njëjtin mision për të ndihmuar për shpëtimin e njerëzve.” Për Halvorsenin, akti i bashkimit për t’u shërbyer njerëzve në nevojë, e bëri t’i shihte njerëzit gjermanë përsëri si njerëz. Ky ndërveprim frymëzoi bashkëbisedimin që çoi në nismën e famshme të hedhjes së karameleve për të cilën ai është kaq i njohur.
Kur e pyetën për mësimet kryesore që mori nga historia e babait të saj, Denis Uilliamsi shpjegoi se “është një histori faljeje”. Historia e Halvorsenit “është një histori ungjilli, jo thjesht një histori për një hero lufte”. Dejvid Uilliamsi shtoi se Halvorseni “ishte një njeri i Krishtit, një njeri me besim dhe ai e pasqyroi dritën e Krishtit në jetën e njerëzve të tjerë”. Përballja e ndjenjave kontradiktore me një qëllim më të lartë dashurie dhe dhembshurie përfaqëson vetëm një pjesë të vogël të asaj që mund të mësohet nga jeta e Geil Halvorsenit dhe parimet që ai dha mësim.
Në Librin e Mormonit, një libër i shkrimit të shenjtë i përdorur nga shenjtorët e ditëve të mëvonshme përveç Biblës, një udhëheqës i quajtur Mbreti Beniamin i predikoi popullit të tij dhe shtroi pyetjen: “A nuk jemi ne të gjithë lypësa?” Shoqëria shpeshherë krijon një imazh përsosurie dhe vendos pritshmëri jorealiste, por në fund të fundit, është natyra njerëzore që dëshiron të shihet dhe të ngrihet moralisht kur gjendet në vështirësi. Në ndërveprimin e tij të parë me popullin gjerman gjatë “Transportit Ajror të Berlinit”, Halvorseni i pa gjermanët si individë që mund t’i ndihmonte dhe bekonte, në vend që t’i shikonte si isharmiq. Ky këndvështrim dhembshurie dhe shërbimi është themeli i trashëgimisë së Halvorsenit, një trashëgimi që Denis dhe Dejvid Uilliamsi janë zotuar ta mbajnë gjallë.
Duke e quajtur atë “përgjegjësinë [e saj] të shenjtë”, Denis Uilliamsi ka marrë përsipër të organizojë dhe t’ua shpërndajë dokumentet dhe sendet vetjake të Halvorsenit organizatave të ndryshme historike. Ajo merr pjesë gjithashtu në konferenca dhe ngjarje ku foli dikur babai i saj, duke treguar historinë e tij dhe, më e rëndësishmja, trashëgiminë e tij të besimit dhe shërbimit si të Krishtit. Aktualisht, çifti Uilliams po shërben si misionar për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Misionin e Hamburgut në Gjermani. Për shkak të pozicionit të tyre të ri si misionarë, ata tani po përdorin titullin Plaku dhe Motra në respekt për thirrjen e tyre. Të vendosur në Hanover, çifti Uilliams është i përkushtuar për t’i shërbyer popullatës së të rinjve në moshë madhore dhe për të ndihmuar bashkësinë vendore, duke vazhduar misionin e Halvorsenit të shërbimit e dhembshurisë.
Në një botë individualiste dhe të përqendruar te vetja, përcjellja e mësimeve nga ata që janë larguar nga kjo botë, është gjithnjë e më e rëndësishme. Për Plakun dhe Motrën Uilliams, të ndihmosh popullin gjerman nuk është thjesht një kapitull në historinë familjare, por një vazhdim i ndikimit të përhershëm të Halvorsenit. Ashtu si Jezu Krishti, Geil Halvorseni e kaloi jetën e tij duke bërë mirë dhe duke u shërbyer të tjerëve. Trashëgimia e tij e qëndrueshme vepron si një kujtesë e fuqishme për të parë përtej etiketave, për t’i parë e për t’i dashur njerëzit si individë dhe për të kujtuar pyetjen: “A nuk jemi ne të gjithë lypësa?”