Mesazh i Udhëheqjes Zonale

Një në Krisht – Duke Ndërtuar Ura

Shpëtimtari ynë ndërtoi urën që të çon drejt jetës dhe lumturisë. Nëpërmjet Tij ne gjejmë shpresë, udhërrëfim dhe jetë të përjetshme. 

p2
Plaku Tomas Heni, Spanjë I Shtatëdhjetë Zonal

Kohët e fundit lexova një histori imagjinare rreth dy vëllezërve të cilët jetonin në ferma ngjitur me njëra‑tjetrën dhe patën një konflikt. Pasi i kishin të përbashkëta për dekada makinerinë, të mirat materiale dhe tokën, bashkëpunimi i tyre u ndërpre. Filloi me një keqkuptim të vogël i cili arriti në ndryshim madhor, zemërim dhe javë të tëra heshtjeje.

Një mëngjes një zdrukthëtar i cili po kërkonte punë për disa ditë, trokiti në derën e vëllait më të madh. “A ka ndonjë gjë me të cilën mund të të ndihmoj?” – pyeti zdrukthëtari me kutinë e veglave në krahun e tij.

Vëllai i madh tha: “Po! Shiko atë fermën përtej përroit. Ajo i përket vëllait tim më të vogël. Javën që kaloi ai gërmoi një kanal të gjerë për ujin dhe përfundoi duke krijuar një përrua shumë të gjerë midis fermave tona. Të lutem ndërto diçka për mua në mënyrë që mos të na duhet të shohim fytyrën e njëri‑tjetrit nga përtej përroit.”

Zdrukthëtari tha: “Mendoj se e kuptoj situatën. Unë mund të të ndihmoj.” Me këtë në mendje, zdrukthëtari shkoi të punonte dhe e kaloi gjithë ditën duke matur, sharruar dhe gozhduar.

Në perëndim, vëllai më i madh u kthye te përroi pasi zdrukthëtari sapo e kishte përfunduar punën e tij. Vëllai kurrë nuk mund ta kishte përfytyruar atë që pa. Ishte një urë që shtrihej nga njëra anë e përroit tek tjetra! Dukej e bukur! Për habinë e tij, vëllai i tij më i vogël e kaloi urën për t’u takuar me të me një buzëqeshje të madhe dhe me krahët e hapura gjerë për ta përqafuar atë.

“Ti je me të vërtetë i përulur dhe dashamirës, vëllai im. Pas gjithë asaj që të kam bërë dhe thënë, ti ende më tregon se marrëdhënia jonë nuk mund të thyhet kurrë! Më vjen shumë keq për sjelljen time”, – tha vëllai i vogël teksa e përqafoi atë.

Ata u kthyen për të parë zdrukthëtarin që po e ngrinte kutinë e veglave në shpatull. “Jo, prit! Rri disa ditë. Kam shumë projekte të tjera për ty”, – tha vëllai i madh.

Jedno v Kristovi – Budovanie mostov

“Do të më pëlqente shumë të rrija”, – tha zdrukthëtari, “por kam shumë ura të tjera për të ndërtuar!”

Shpëtimtari ynë ndërtoi urën që të çon drejt jetës dhe lumturisë. Nëpërmjet Tij ne gjejmë shpresë, udhërrëfim dhe jetë të përjetshme. Ai është shembulli i mënyrës se si ne të kujdesemi për të tjerët me dashuri dhe qëllim të vërtetë. Duke e pranuar njëri‑tjetrin me të gjitha talentet, gabimet, ndryshimet dhe zakonet tona të pashoqe, ne do të hapim derën ndaj ftesës së Krishtit për ta ndjekur Atë. Besëlidhjet që bëjmë përfaqësojnë urat dhe shtigjet që na bashkojnë me njëri‑tjetrin dhe me Të. Le t’i kalojmë me Të individualisht dhe kolektivisht të gjithë lumenjtë dhe pengesat që na ndajnë nga njëri‑tjetri.

Pavarësisht se ku qëndrojmë aktualisht, ngjyrës, kulturës, interesave, profesionit, gjendjes shoqërore dhe martesore, shkollimit apo orientimit tonë seksual, ne të gjithë jemi vëllezër e motra. Ne i përkasim njëri‑tjetrit dhe kemi nevojë për njëri‑tjetrin. Ai na do të gjithëve. Ne jemi të gjithë fëmijë të Perëndisë dhe secili prej nesh vendosi të vijë në këtë tokë. Ne nuk mund t’ia dalim të vetëm. Ne mund të jemi një, pavarësisht nga ndryshimet tona; dhe për shkak se jemi të ndryshëm, ne kemi nevojë për njëri‑tjetrin!

“Nëse jemi me të vërtetë dishepuj të Zotit Jezu Krisht, ne do të zgjatemi me dashuri dhe mirëkuptim ndaj të gjithë të afërmve tanë në të gjitha kohët.”1

Të gjithë ne që vendosëm të ecim në shtegun e dishepullimit, së bashku me brezin tonë të ri dhe misionarët kohëplotë, e ndjekim këtë mësim dhe i përgjigjemi ftesës së Profetit tonë për ta mbledhur Izraelin dhe për të qenë Një në Krisht. “Mbledhja e Izraelit është sfida më e madhe, kauza më e madhe dhe puna më e madhe në tokë sot.”2 Ne jemi veçanërisht mirënjohës për energjinë, largpamësinë dhe gatishmërinë e të rinjve tanë për t’i përveshur mëngët dhe për të ndërtuar ura të reja. Na duhet përfshirja e të gjithëve dhe mbështetja e të gjithëve. Kemi nevojë për gjithsecilin.

E dëgjofshim gjithmonë trokitjen e Krishtit dhe e hapshim derën! Mirëbesofshim në Të dhe ndërtofshim ura që i arrijnë, bashkojnë dhe shërojnë të gjithë fëmijët e Perëndisë!

Ka kaq shumë fuqi kur zemrat thuren në bashkim3 në unitet dhe dashuri për njëri‑tjetrin. Kjo është një punë e vetme. Është puna e Perëndisë. Është kaq jetike, saqë ne të gjithë bëhemi bashkë e punojmë në dashuri dhe unitet.4 Për këtë unë dëshmoj në emrin e Tij, Jezu Krishtit, Amen.


1 President Ballard, The doctrine of inclusion KP 10/2001

2 Presidenti Rasëll M. Nelson, Takimin Shpirtëror Mbarëbotëror për Rininë, 3 qershor 2018

3 Mosia 18:21

4 Brezi i Ri i Europës për Vitin 2021 – Rekomandime dhe Modeli i Bashkimit – Zona e Europës