Një Mesazh Filmik i Veçantë Shprese dhe Shërimi nga Profeti do të Dalë më 20 Nëntor

Russell M. Nelson

Rasëll M. Nelsoni, profet dhe president i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, do t’i japë një mesazh filmik botës më 20 nëntor 2020, në orën 19:00 .

Ky material filmik 11-minutësh do të përqendrohet te mënyrat se si ne mund të gjejmë shpresë dhe shërim nëpërmjet Jezu Krishtit gjatë kësaj kohe të rëndësishme ndërprerje dhe paqëndrueshmërie globale. Ai do të publikohet në llogaritë e mediave shoqërore të Presidentit Nelson (Facebook, Instagram, Twitter) dhe në kanalin kryesor të Kishës në YouTube në 31 gjuhë.* Materiali filmik do të jetë në dispozicion menjëherë më pas për t’u parë sipas kërkesës dhe për t’u shkarkuar në Newsroom.ChurchofJesusChrist.org dhe në Gospel Media [Mjetet e Informimit për Ungjillin] të Kishës.

Presidenti Nelson ka qenë Apostull i Zotit Jezu Krisht që nga viti 1984. Ai u bë udhëheqësi më i vjetër i Kishës në janar 2018. Koha e tij si president është shenjuar nga shërbesa në mbarë botën (ai ka vizituar 32 vende dhe territore të Shteteve të Bashkuara), ndërtimi në rritje i tempujve (hapësirat tona më të shenjta) dhe ndryshimi i thellë organizativ. Duke filluar nga konferenca e përgjithshme e prillit 2018, në të cilën ai u mbështet si presidenti i Kishës, Presidenti Nelson filloi të paraqiste përshtatje të shpeshta të hartuara për t’i ndihmuar shenjtorët të japin shërbesë më shumë si Jezu Krishti dhe për të theksuar më mirë rolin qendror të Shpëtimtarit të botës në gjithçka që bën Kisha.

Para se të bëhej udhëheqës i besimit fetar mbarëbotëror, Presidenti Nelson ishte kirurg nismëtar zemre. Si kirurg stazhier në Minesota në vitin 1951, ai ndihmoi në hulumtimin dhe zhvillimin e makinerisë së parë zemër-mushkëri, që përdoret në një operacion me zemër të hapur. Ai kreu operacionin e parë me zemër të hapur në Jutë në vitin 1955. Ai shërbeu si president i Shoqatës për Kirurgjinë Vaskulare, drejtor i Bordit Amerikan për Kirurgjinë Torakale, kryetar i Këshillit të Kirurgjisë Kardiovaskulare për Shoqatën Amerikane të Zemrës dhe si president i Shoqatës Mjekësore të Shtetit të Jutës. Ai ishte autor i kapitujve të shumtë të librave shkollorë për mjekësinë dhe botimeve të tjera. Ai mbajti leksione dhe vizitoi si profesionist shumë organizata anembanë Shteteve të Bashkuara dhe kombe të tjera.

Presidenti Nelson është babai i 10 fëmijëve (nëntë vajzave dhe një djali), gjyshi i 57 nipërve dhe mbesave dhe stërgjyshi i 127 nipërve dhe mbesave. Bashkëshortja e tij e parë (dhe nëna e 10 fëmijëve), Denzeli, vdiq thuajse 16 vjet më parë. Dy nga bijat e tyre (Uendi dhe Emili) vdiqën nga kanceri. Ai dhe bashkëshortja e tij e dytë, Uendi, janë martuar që në vitin 2006.

*Materiali filmik do të publikohet në anglisht (me titra), arabisht, çekisht, danisht, finlandisht, frëngjisht, gjermanisht, holandisht, hungarisht, indonezisht, italisht, japonisht, kamboxhianisht, kinezisht/kantoneze, kinezisht/mandarine, koreanisht, mongolisht, norvegjist, portugalisht, rumanisht, rusisht, samonisht, sebuanisht, spanjisht, suedisht, shqip, tagalogisht, tahitisht, tajlandisht, tonganisht dhe ukrainisht.