Mesazh i Udhëheqjes Zonale

'Një 'Ligj' më i Lartë Ishte Dhënë'

Ne mund ta bëjmë ditën e Shabatit një kënaqësi duke u dhënë shërbim të tjerëve, veçanërisht atyre që nuk ndihen mirë apo atyre që janë të vetmuar ose në nevojë.

Plaku Tomas Heni, Spanjë
Plaku Tomas Heni, Spanjë I Shtatëdhjetë Zonal

Të dashur miq,

Çfarë gëzimi është të ecim me ju dhe me Zotin, të gjithë së bashku, në shtegun e dishepullimit.

Kur Jezusi vizitoi nefitët, Ai mbajti një fjalim të ngjashëm me Predikimin në Mal, duke theksuar se gjërat që ishin në kohët e lashta, të cilat ishin nën ligjin, ishin plotësuar në Të. [1]. Deklarata e Zotit e dhënë më shumë se 2 000 vite më parë që “gjërat e vjetra kanë mbaruar dhe të gjitha gjërat janë bërë të reja” [2] kumbon ende sot. Ishte dhënë një “ligj” më i lartë, ishte dhënë mësim një mënyrë më e shenjtë e të jetuarit.

Kur Jezusi ishte në tokë, Ai dha mësim duke lehtësuar barrët dhe duke ndihmuar njerëzit në nevojë. Disa mund të mendojnë se bindjet tona i kufizojnë lirinë tonë të zgjedhjes dhe mundësitë tona, por ne të gjithë kemi përvojën se e vërteta dhe doktrina e pastër të dhëna nga Zoti, na bëjnë të lirë dhe sigurojnë udhërrëfim hyjnor, lehtësim dhe siguri në një botë të trazuar.

Mësimet e Jezusit ndryshonin nga ato të farisenjve, veçanërisht në mënyrën se si të nderohet dita e Shabatit. Farisenjtë përpiqeshin të dukeshin të drejtë, por shtysat e tyre ishin të papastra. Jezusi dha mësim se të bërit mirë dhe të ndihmuarit e njerëzve ishin më të rëndësishme sesa ndjekja e interpretimeve të rrepta të ligjit. Ai i përdori mrekullitë e shërimit si një mundësi për të dhënë mësim rreth kuptimit të vërtetë të Shabatit dhe rëndësisë së dhembshurisë e dashurisë.

Kur Jezusi tha se “e shtuna është bërë për njeriun dhe jo njeriu për të shtunën” [3] Ai donte të thoshte se dita e Shabatit është një dhuratë e çmuar nga Perëndia, duke na siguruar një pushim nga sfidat e jetës së përditshme dhe një mundësi për përtëritje fizike dhe shpirtërore. Shabati nuk është një ditë për të ndjekur veprimtari të zakonshme të përditshme, por siguron një rast shtesë për prehje e ngushëllim, zbulesë personale nëpërmjet të dëgjuarit dhe të mësuarit të fjalës së Tij, dhe mundësinë e të bërit mirë dhe e lartësimit të të tjerëve.

Të theksuarit e rregullave të rrepta e të verbra bazuar në tradita e struktura, mbi parimet hyjnore, të përjetshme e të vërteta, shmang qëllimin e Tij hyjnor për të na ndihmuar të përparojmë. Kur e përqendrojmë jetën tonë te Zoti, zgjedha e Tij bëhet e ëmbël dhe barra e Tij bëhet e lehtë. [4] GZoti na jep urdhërime, përfshirë atë për ta nderuar Shabatin, jo për të na shtypur, por për të na bekuar. Udha për tek Ati Qiellor është e ngushtë dhe e ngushtuar, por Zoti erdhi që të shpallte se nuk kemi nevojë të ecim të vetëm në të. Ftesa e Tij ndaj të gjithë atyre që ndihen “të rënduar”[5] , është që të qëndrojmë pranë Tij, të lidhemi plot gëzim me Të dhe ta lejojmë Atë të ndajë me ne barrët tona.

Në hebraisht, fjala Shabat do të thotë “prehje”. Po, premtimi i Tij është: “Ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj”[6]

p2

A po bëjmë akoma lista të gjërave për t’u bërë apo për të mos u bërë, për ditën e Shabatit? Apo kemi ndryshuar në Krishtin dhe me Krishtin dhe po hartojmë, me ndihmën e Atit Qiellor, vetë planin tonë vetjak për kohën përpara, gjatë dhe pas ditës së Shabatit?

Ne mund ta bëjmë ditën e Shabatit një kënaqësi duke u dhënë shërbim të tjerëve, veçanërisht atyre që nuk ndihen mirë apo atyre që janë të vetmuar ose në nevojë. Lartësimi i shpirtrave të tyre do të lartësojë edhe tonin.[7]

Le të lidhemi me Atin Qiellor gjatë gjithë kohës, por veçanërisht në ditën e Shabatit, si brenda edhe jashtë ndërtesës së kishës, në shtëpitë tona dhe në shtëpitë e miqve dhe familjeve tona.

Jam mirënjohës për mundësinë për të ecur me ju dhe me Zotin në shtegun e dishepullimit. Ndihem i bekuar që kam në anën time Zotin dhe ju, si vëllezërit e motrat dhe miqtë e mi. Jam plot falënderim për Shabatin në jetën time dhe të familjes sime. Ai na ndihmon të rilidhemi shpirtërisht dhe të kalojmë së bashku kohë që i forcon dashurinë dhe lidhjet tona.

Do të doja t’ju ftoja të merrni parasysh mënyrat tuaja kur bëhet fjalë që ta zbuloni për ju individualisht se si ta bëni ditën e Shabatit një kënaqësi. Ne kemi nevojë për dorën tuaj ndihmëtare dhe buzëqeshjen tuaj të përzemërt në mbledhjet tona të së dielës në godinat tona kishtare. Ne nuk mund të ecim të vetëm në shteg. Vazhdofshim t’i mësojmë e zbatojmë mësimet e Tij në jetën tonë dhe u orvatshim ta nderojmë ditën e Shabatit si një dhuratë të shenjtë nga Perëndia. Ua shpërndafshim këtë dhuratë të tjerëve!


1. 3 Nefi 12:46

2. 3 Nefi 12:47

3. Marku 2:27

4. Mateu 11:30

5. Mateu 11:28

6. Mateu 11:29

7. Rasëll M. Nelson, “Shabati Është një Kënaqësi”, Konferenca e Përgjithshme, prill 2015