
Kur Jezusi shëroi një herë një të verbër, “pështyu përdhe, bëri baltë me pështymë dhe leu sytë e të verbrit me të. Pastaj i tha: ‘Shko, lahu në pellgun e Siloamit’. … Ai shkoi atje, u la dhe u kthye duke parë.”[1]
Ky gjest ma ka tërhequr gjithmonë vëmendjen. Herë të tjera, fjalët e Tij ose prekja mrekullibërëse e dorës së Tij mbrojtëse mjaftonin që besimtarët të shëroheshin. Por në këtë rast, Ai bëri baltë nga dheu me pështymën e Tij, pastaj ia leu sytë të verbrit të përulur e besnik me këtë balsam shërues, i cili, pasi lau sytë, mundi të shihte për herë të parë në jetën e tij të errët gjer në atë çast.
Ne mund të mësojmë diçka nga kjo ngjarje plot mëshirë. Pjesa e tij (pështyma) dhe pjesa jonë (dheu) së bashku prodhojnë një baltë shëruese, e cila i ndihmon të tjerët të përftojnë një largpamësi shpirtërore për jetën e tyre, që do t’i ndryshojë për mirë. Së bashku me Zotin, ne jemi pjesë e asaj balte, duke u mundësuar fëmijëve të Tij të shohin ashtu siç i sheh Zoti.

Në atë histori, Jezusi pyeti: “A beson ti në Birin e Perëndisë?”[2] Ky njeri i ri, me mundësi të reja në jetë, iu përgjigj: “‘Unë besoj, o Zot’; dhe e adhuroi”[3].
Nuk e dimë, por ka shumë gjasa që jeta e këtij njeriu të ketë ndryshuar plotësisht pasi iu kthye shikimi fizik si edhe shikimi shpirtëror dhe ia përkushtoi jetën ndjekjes së shembullit të Zotit Jezu Krisht në shërbim ndaj bashkëqenieve të tij.
Është karakteristikë e dishepujve të përulur të Jezu Krishtit që të mos i mbajnë për vete bekimet që kanë marrë, por t’i ndajnë ato me të gjithë ata që janë të gatshëm të dëgjojnë dhe t’i marrin. Ata janë njerëz që kërkojnë të bëjnë mirë dhe ta shpërndajnë dashurinë e Shpëtimtarit, të cilën e marrin nga duart e Mësuesit të tyre.
Një ditë me shi, gruaja ime e dashur Elisa, vajza jonë e vogël, Beatrisi, dhe unë ishim në makinë, duke hyrë në një autostradë, kur pamë një grua të moshuar, trupvogël e të brishtë që ecte në anë të rrugës. Shiu i rrëmbyeshëm ia kishte bërë qull rrobat e holla. Po ecnim shumë shpejt për të ndaluar, por thjesht u pamë në sy dhe e kthyem makinën sa më shpejt që të ishte e mundur. Kur u kthyem te gruaja, ndaluam makinën dhe bashkëshortja ime e ëmbël vrapoi për ta ndihmuar gruan e gjorë, ndërsa unë thirra policinë. I ofruam një vend në makinë, ia thamë rrobat dhe e mbështollëm me një batanije të ngrohtë. I premtuam asaj mbrojtje dhe siguri. Qëndruam me të derisa erdhi një patrullë policie dhe, pasi bënë disa hetime, policët e morën nën kujdesin e tyre. Ata na shprehën vlerësimin për atë që kishim bërë për këtë grua të mirë, që po ecte me fytyrë të trishtuar në një vend të rrezikshëm.
Në vijim të udhëtimit, qemë mirënjohës ndaj Zotit që na lejoi të ishim duart e Tij dhe t’ia jepnim kujdesin dhe mirësinë që Ai na dhuron çdo ditë, asaj gruaje të vetmuar.
Kur ne bëjmë pjesën tonë, Zoti bën të Tijën. Ai na fisnikëron dhe na ngre në lartësi të paimagjinueshme shpirtërore. Kur bëjmë besëlidhje të shenjta me Atin tonë Qiellor, Ai na lidh në një mënyrë të veçantë që të na japë qasje te fuqia e Shlyerjes së Jezu Krishtit. “Ati ynë dëshiron një marrëdhënie më të thellë me të gjithë bijtë dhe bijat e Tij, por ajo është zgjedhja jonë. Kur zgjedhim të afrohemi më shumë tek Ai nëpërmjet një marrëdhënieje besëlidhjesh, kjo e lejon Atë që të na afrohet më shumë neve dhe të na bekojë më plotësisht.”[4]
Lutja dhe ftesa ime është që të jemi ai dhé që Ai e përdori për të shëruar. Unë dëshmoj se Jezu Krishti është Shëruesi i madh i shpirtrave tanë. Pjesa jonë qoftë përherë e bashkuar me Të, që të bëhemi një me Të dhe “të jemi si ai”[5].
Në emrin e Jezu Krishtit, amen.
[1] Gjoni 9:6–7.
[2] Gjoni 9:35.
[3] Gjoni 9:38.
[4] “Vishuni me Zotin Jezu Krisht”, Xh. Enet Denis, Konferenca e Përgjithshme, prill 2024.
[5] Moroni 7:48.