Nisma për Krishtlindje e Vitit 2019

        Nxit Shërbimin         ‘Një e nga Një’

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka bërë të ditur solemnisht një përpjekje mbarëbotëre për t’u dhënë shërbesë të tjerëve gjatë periudhës së Krishtlindjes të vitit 2019.

Përpjekja “Ndriçoje Botën: Një e nga Një” fillon zyrtarisht më 1 dhjetor. Burime në internet në anglisht janë tashmë në dispozicion te faqja NdricojeBoten.org, përfshirë figura dhe materiale filmike që mund të shpërndahen. Gjuhë të tjera do të shtohen më vonë

Pjesëmarrësit nxiten të mendojnë çdo ditë për dikë që mund ta ndihmojnë ose ftojnë dhe të shërbejnë ashtu siç bëri Shpëtimtari, një e nga një.

“[Nisma] Ndriçoje Botën përfaqëson mundësi të mrekullueshme për t’i ftuar miqtë dhe fqinjët në kishë dhe në shtëpitë tuaja për të mësuar me ju rreth Shpëtimtarit”, tha Plaku Diter F. Uhtdorf i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. “Në çfarëdo mënyre që t’ju duket e natyrshme dhe normale, tregojuni njerëzve përse Jezu Krishti dhe Kisha e Tij janë të rëndësishme për ju.”

Nisma, tashmë në vitin e saj të katërt, zhvillohet gjatë gjithë dhjetorit. 

Shtysa për Shërbim të Përditshëm

Ata që marrin pjesë, mund të regjistrohen që të marrin shtysa për shërbim të përditshëm me anë të postës elektronike duke filluar nga data 1 dhjetor 2019. Sugjerimet për shërbim të përditshëm përfshijnë ngrënien e drekës me dikë që është i ri/e re në atë mjedis, ndihmën ndaj dikujt në nevojë duke bërë një dhurim të vogël te një organizatë bamirëse ose planifikimin e një veprimtarie vetëm për vetëm me një mik/e ose njeri të dashur.

Material Filmik për Lindjen e Krishtit

Një material i ri filmik frymëzues me titull “Fëmija Krisht”, do të jetë në dispozicion për ta parë, shkarkuar dhe shpërndarë duke filluar nga data 24 nëntor te NdricojeBoten.org.

Materiali filmik prej 18 minutash është një variant mbërthyes, vetjak dhe përfshirës i historisë së lindjes së Krishtit që i ndihmon shikuesit t’i përjetojnë ngjarjet e lindjes së Shpëtimtarit nëpërmjet syve të dëshmitarëve të drejtpërdrejtë dhe t’i shpërndajnë ato. Materiali filmik mund të shihet në Gospel Media, programin kompjuterik Gospel Library dhe në kanalin YouTube.

Makineritë për Dhurime

Makineritë e njohura për Dhurime kthehen këtë vit, duke e bërë të lehtë që të bëhen dhurime për organizatat bamirëse mbarëbotërore të tilla si UNICEF, Church World Service, WaterAid, Water For People dhe International Medical Corps.

10 vendndodhjet për makineritë përfshijnë Gilbertën në Arizonë; San‑Hozenë në Kaliforni; Denverin në Kolorado; Laien, Oahu në Hauai; Las Vegasin në Nevadë; Nju‑Jork‑Sitin në Nju‑Jork; Oremin dhe Solt‑Lejk‑Sitin në Jutë; Londrën në Angli (Qendra e Vizitorëve në Hajd Park); dhe Manilën në Filipine.

Shërbim i Veçantë Adhurimi të Dielën

Bashkësitë në mbarë Kishën do të zhvillojnë një shërbim të veçantë adhurimi të dielën më 22 dhjetor. Anëtarët nxiten t’i ftojnë miqtë që të vijnë e të adhurojnë bashkë me ta gjatë mbledhjes njëorëshe të përqendruar te Krishti. Vendndodhjet dhe oraret për këto shërbime të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme mund të gjenden te meetinghouse locator në faqen e internetit ChurchofJesusChrist.org.