Frankfurt-mbi-Majn

Nisma i mëson shërbestarët pa pagesë në Europë se si të ndihmojnë njerëz të tjerë gjatë një krize

Gra dhe burra vullnetarë në role shërbestare në bashkësitë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme rreth e përqark Europës po përfitojnë nga një program i zgjeruar lidhur me mënyrën se si t’u përgjigjen individëve që po përjetojnë kriza emocionale.

Të administruar nëpërmjet zyrës së Shërbimeve për Familjen në Zonën e Europës të Kishës, kurset paraprirëse dhe një udhëzues diskutimi janë në dispozicion në 14 gjuhë europiane.

Kursi “Dhënia e Shërbesës në Situatë Krize është një metodë e bazuar tek ungjilli për përkrahje psikologjike dhe shoqërore”, - shpjegoi Plaku Mark Rençër, i cili shërbeu si vullnetar me kohë të plotë në zyrat qendrore të Kishës në Europë, në Frankfurt-mbi-Majn, Gjermani, dhe kishte si detyrë ta fillonte programin me ndihmën e personelit vendor të shëndetit mendor.

“Shpeshherë, kur ndërvepron me dikë që është në një krizë, nuk e di se çfarë të thuash. Kjo të mëson se çfarë të thuash dhe se si të lidhesh me njerëz që po hasin vështirësi”, - shtoi bashkëshortja e tij, Motra Lizbeth Rençër, një psikologe me licencë dhe me gradë doktorë shkencash.

Kursi “Dhënia e Shërbesës në Situatë Krize” i ndihmon udhëheqësit dhe anëtarët e bashkësive që t’u përgjigjen individëve që po përjetojnë një krizë.
Kursi “Dhënia e Shërbesës në Situatë Krize” i ndihmon udhëheqësit dhe anëtarët e bashkësive që t’u përgjigjen individëve që po përjetojnë një krizë.

Ajo vuri në dukje se këto burime të ofruara kanë si synim të përdoren nga shërbestarët pa pagesë dhe nuk kanë si qëllim që të zëvendësojnë ndihmën profesionale. “Nuk jemi këtu që të ofrojmë psikoterapi ose ndërhyrje terapeutike. Jemi këtu thjesht që t’u japim ca përkrahje emocionale për të parandaluar dëmtim të mëtejshëm”, – tha Motra Rençër.

Që nga përmbytjet shkatërruese, te refugjatët nga Ukraina që kërkojnë një vend të sigurt, Europa ka parë disa situata krize në dy vitet e fundit. Ndërkohë që vullnetarë nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme kanë ndihmuar njerëzit nevojtarë, kursi Dhënia e Shërbesës në Situatë Krize është bërë një burim plot vlerë. “Kemi marrë shumë përshtypje nga peshkopë dhe presidente të Shoqatës së Ndihmës që na thonë se ata do të kishin dashur ta kishin pasur këtë material që më parë”, - sjell ndërmend Plaku Rençër.

Në shtator të vitit 2021, Teresa Raposo e filloi projektin në Europë, duke punuar me tri bashkësi në Kunjin e Lisbonës. Këshilluesja e shërbimeve për familjen ka vite përvoje pune me Kryqin e Kuq të Lisbonës.

Pasi morën trajnimin, udhëheqësit vendorë raportuan se programi ishte thelbësor për t’i ndihmuar që të ishin më vetëbesues në marrëdhëniet me anëtarë të cilët po përjetonin shqetësime emocionale. Veçanërisht u ndien të përgatitur më mirë që të dëgjonin, t’i vlerësonin emocionet dhe të ofronin shpresë.

Vitin e shkuar, kurse të shkurtër ndërgjegjësues iu ofruan vullnetarëve të ndihmës ndaj përmbytjeve. Një udhëzues diskutimi prej 44 faqesh – në dispozicion në anglisht, danisht, finlandisht, frëngjisht, gjermanisht, hollandisht, italisht, kroatisht, norvegjisht, portugalisht, rumanisht, spanjisht, suedisht dhe shqip – u është dërguar shërbestarëve dhe bashkësive sipas kërkesës. Përveç kësaj, këshilltarët e Shërbimeve për Familjen janë të përgatitur që të japin trajnim paraprirës në nivel vendor për udhëheqësit, anëtarët ose vullnetarët.