Mendime gjatë COVID-19

Nëna që gjejnë gëzim, madje në kohë sfiduese

Brenda natës, jeta ndryshoi për familje të tëra nëpër Europë dhe globalisht teksa një nga një, vendet vendosën masa ndalimi për të pakësuar përhapjen e COVID‑19. Shkolla e kisha u kyçën; parqe dhe sheshe lojërash u mbyllën; martesa u anuluan, shërbime përkujtimore u shtynë; shumë punonjësve iu kërkua të punojnë nga shtëpia; dhe praktikat izoluese zvogëluan kontaktin me familjen e gjerë dhe miqtë.

Në qendër të shtëpisë, nënat dhe baballarët ndihmojnë çdo pjesëtar të familjes të rritet personalisht, shpirtërisht dhe mendërisht. Këtë muaj, kur roli i nënës nderohet në shumë vende, pesë nëna nga gjithë Europa tregojnë shqetësimet dhe mendimet e tyre të zemrës ndërsa ndihmojnë familjet e tyre të përballen me këto kohë të pasigurta.

Ato janë:

Debra – Springhed, Oldëm, Angli - Nënë e katër fëmijëve, gjyshe e tre nipërve e mbesave

Emili – Shtutgart, Gjermani - Mama e një vajze 14‑muajshe

Juliana – Tiranë, Shqipëri - Mami e dy fëmijëve me moshë shtatë e katër vjeç

Dominika – Jash, Rumani - Mama e një vajze dy‑muajshe

Renate – Leimëdën, Holandë - Nënë e pesë fëmijëve, katër djem dhe një vajzë

Shqetësime dhe sfida

“Vajza jonë më e madhe është punonjëse e vijës së parë në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar, kështu që është paksa shqetësuese sidomos kur ajo kthehet çdo ditë në shtëpi te familja e saj”, tha Debra. “Vajza ime e mesme dhe bashkëshorti i saj janë të vetëpunësuar … duke qëndruar në shtëpi, duke vijuar me shkollën e dy fëmijëve të tyre në shtëpi, por pa fituar të ardhura.” 

Ajo vijoi duke thënë: “Edhe pse jeta është sfidë për momentin, unë jam në paqe. Unë kam një dëshmi të fortë që Presidenti Nelson (Presidenti i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme) na përgatiti mirë, pikërisht për një rast të tillë”.

Emilia tha: “Unë jam tendosur në kufij që nuk e mendoja se ekzistonin. Edhe pse të jesh nënë në kohë të tilla emocionalisht të vështira është rraskapitëse, qenia nënë më bën më të lumtur se kurrë më parë, sepse vajza ime më bën të ndihem e nevojshme dhe e dashur. Për shkak të saj unë punoj fort që të jem e lumtur sepse asaj i duhet të jem kështu”

Photo 1 - Emily
Emilia dhe vajza e saj duke u argëtuar së bashku

Juliana tha: “… ka qenë e rëndë të përjetosh këto ndryshime në një periudhë kaq të shkurtër kohe. Ajo që më bën të vazhdoj është njohuria se kjo situatë do të mbarojë. Unë e di se Ati Qiellor ka dijeni për situatën. E kam ndier dorën e Tij në jetën tonë gjatë kësaj kohe sfiduese”.

“Para gjithë kësaj, ne i kryenim punët së bashku, shkonim në sheshin e lojërave ose në park për të marrë pak ajër dhe e lija vajzën time të konsumonte gjithë energjinë e saj”, tha Dominika. “Tani këto gjëra nuk janë të mundura, dhe ngaqë jetojmë në apartament, ne nuk kemi kopsht prapa shtëpisë për të kaluar kohën, ndaj 30 [minutëshi] ynë i përditshëm i ecjes përreth bllokut është gjithçka mundemi”.

Photo 2 - Dominika
Dominka, bashkëshorti i saj Radu dhe bija e saj, Ameila, duke kaluar kohë jashtë.

Bërja e më të mirës për kohën kur jemi në shtëpi

“Ndërsa dinamika e jetës në shtëpi ndryshoi” tha Juliana “… Shtëpia jonë u bë një përzierje pune, shkolle dhe kohe familjare. E pranoj faktin se javët e para ishin kaotike [duke u përpjekur] të normalizonim rutinën e ditës në situatën e pazakontë. Kështu që vendosa se nevojitej të krijonim një program për ta bërë situatën e pazakontë të ndihej më normale”.

Ajo tha: “Rutina jonë përfshin ushtrime, detyra shtëpie, lexim, art dhe plot lojëra. Duhet ta pranoj se mund të jetë e mërzitshme, kështu një herë në disa ditë ne provojmë diçka të ndryshme si piknik në ballkonin e apartamentit tonë, bërje ëmbëlsirash, zbukurim të apartamentit tonë me punime të bëra me dorë për Pashkë, ose ditën e Tokës, ose net filmash me kokoshka”.

Renate ka tre adoleshentë dhe dy fëmijë më të vegjël. Ajo tha: “Ne ishim shtatë vetë në shtëpi për dy javë, në një shtëpi jo aq të madhe … ishte goxha sfidë ta mbaje ulur nivelin e zhurmës, që bashkëshorti im të mund të bënte mbledhjet e tij për punë pa shumë shpërqendrim”.

Sipas Renates, zbatimi i një “orari leximi” është bërë një kohë e parapëlqyer e ditës për secilin. Gjithashtu, gatimi i gjellëve me radhë me secilin nga fëmijët i ndihmoi ata që të zhvillonin aftësi të reja dhe ka rezultuar në darka të “BUKURA”.

Photo 3 - Renate
Renate duke gatuar me fëmijët e saj, mosha 16, 11 dhe 8 vjeç.

Debra tha: jeta ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme.  Ne kemi pasur tre ditëlindje familjare në muajin prill ku kemi kënduar këngën e ditëlindjes nëpërmjet Zoom‑it dhe u kemi shpërndarë copa torte për ditëlindje pjesëtarëve të familjes, me distancë sigurie patjetër!!  Ne shpenzojmë kohë familjare çdo të premte në mbrëmje, ku mësojmë për njëri-tjetrin dhe bëjmë një kuiz familjar. Kjo ka qenë një ditë e mrekullueshme për të mbajtur kontakt me ta”.

Photo 4 - Debra Caffery

Mësime të Mësuara

“Kalimi i një kohe të madhe me familjen time në shtëpi më ka ndihmuar t’i njoh ata më shumë dhe të di çfarë u pëlqen dhe çfarë jo. Gjithashtu kam mësuar të jem aktive me jetën time”, tha Juliana. “Edhe pse nuk mund ta ndryshoj situatën përreth meje, unë mund të ndryshoj qëndrimin tim ndaj situatës. Unë mund të jem aktive dhe të zgjedh të jem e lumtur dhe të qëndroj pozitive”.

Photo 5 - Juliana
Juliana dhe fëmijët e saj duke krijuar figura të bukura

Dominika tha: “Sigurisht ka plot gjëra që nuk mund t’i bëjmë për shkak të pandemisë, por kam mësuar të zgjedh të përqendrohem te gjërat që mund të bëjmë dhe duhet të bëjmë për shkak të pandemisë. Unë besoj thellësisht se ka një arsye përse po ndodh e gjitha kjo dhe e di se Perëndia është në kontroll”.

“Kam mësuar që, edhe pse Covid‑19 është një fatkeqësi e tillë për të gjithë botën, ajo na ndihmoi të kemi një “pjesëz të vogël qielli në shtëpinë tonë”, tha Renata. “Në njëfarë mënyre ne po përqendrohemi më mirë në gjërat që duam vërtet të arrijmë me familjen tonë.”

Duke gjetur gëzim

Kur tregon atë çka i pëlqen më shumë nga të qenit nënë, Emilia tha këtë për vajzën e saj: “Ajo më jep një qëllim më të madh në jetë nga sa më ka dhënë dhe do të më japë ndonjëherë çfarëdo gjëje tjetër! Duke parë ngazëllimin e saj për gjëra krejt të zakonshme (p.sh. qielli, një person që kalon pranë, një pikë e ndotur në tokë), më bën t’i shoh mrekullitë e kësaj bote me sy tjetër dhe më bën t’i dua fort gjërat e vogla në këtë jetë”.

“Unë mendoj se thjesht të vëresh një qenie njerëzore të rritet dhe të zhvillohet përpara syve të tu është ajo që më mrekullon më shumë”, tha Dominika. “Kam një pozicion nga vërej nga afër dhe jam shumë mirënjohëse për këtë. Gjithashtu, gjëja më mahnitëse që më ndodhi si nënë është ndjesia e dashurisë më të pastër dhe më të thellë për fëmijën tim dhe të ndierit e asaj dashurie të më kthehet.”

“Është gjithmonë e vështirë të shpjegosh ndjenjën e një nëne për pasardhësin e vet, por unë kam dëgjuar të thuhet se është më e afërta me atë që Ati ynë Qiellor ndien për ne”, tha Debra. “Unë i dua çastet plot emocion që kam shijuar me secilin nga katër fëmijët dhe tre nipërit e mbesat e mia gjatë gjithë jetës sonë së bashku … dhe mbi të gjitha [sesi] ata kujdesen për njerëzit e tjerë.”

Dita e Nënës 2020

“Dita e Nënës do të jetë me siguri e ndryshme këtë vit; zakonisht ne vizitojmë nënën tonë, por këtë herë ne do ta takojmë nëpërmjet internetit”, tha Renata. “[Jam] kaq mirënjohëse që jetojmë në një kohë kur teknologjia na lejon që të qëndrojmë në kontakt me njëri‑tjetrin … dhe jam kaq mirënjohëse për pëshpëritjet e Shpirtit, i cili na lejon të ndiejmë gëzimin, gëzimin e pastër në një botë të trazuar.”