Janë marrë përgjigje nga anketat dhe dorëzime të reja muzikore nga më shumë se 40 vende që nga njoftimi zyrtar i Kishës dhjetë muaj më parë se Libri Himne dhe Libri i Këngëve të Fëmijëve do të unifikoheshin dhe rishikoheshin.
Me rishikimin në vazhdim e sipër, janë nxjerrë informacione të reja në lidhje synimet strategjike për përzgjedhjen e himneve dhe këngëve, si dhe për përparësitë doktrinore për dorëzimet e reja muzikore. Udhëzimet e përditësuara për përmbajtjen e dorëzimeve dhe për pikat ku duhet të vihet theksi, u japin anëtarëve ide të mëtejshme për temat e ungjillit në të cilat duhet të përqendrohen teksa e përgatitin dhe e dorëzojnë muzikën përpara afatit përfundimtar për dorëzimet, që mbaron më 1 korrik 2019.
Ajo që mund të bëni
Shenjtorët e ditëve të mëvonshme nga i gjithë rruzulli nxiten që të marrin pjesë në procesin e rishikimit, tha Plaku Erik W. Kopishke, një Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë dhe këshillues për përpjekjet e rishikimit. “Ne i ftojmë të gjithë anëtarët e Kishës së Zotit që janë bekuar me dhunti muzikore dhe poetike, që t’i ndajnë me të tjerët ato dhunti lirisht, sikurse udhëzohen nga Shpirti i Tij”, tha ai.
Ja tek janë mënyrat për të marrë pjesë:
- Lexoni rreth procesit të rishikimit dhe PBR-të.
- Cilat himne ose këngë janë të parapëlqyera për ju? Cilat mendoni se duhet të hiqen nga përdorimi? A ka ndonjë gjë rreth muzikës së Kishës që do ta ndryshonit? Jepni përshtypje duke plotësuar anketën e rishikimit.
- Kur të shkruani dhe të kompozoni vepra, merreni parasysh këtë listë pikash doktrinore ku duhet të vihet theksi të dhënë nga Komiteti i Librit të Himneve dhe Komiteti i Librit të Këngëve të Fëmijëve.
- Dorëzoni muzikë, tekste ose këngë të plota përpara datës 1 korrik 2019, që të merren parasysh në procesin e rishikimit.
Anëtarët e komitetit të rishikimit
Nën drejtimin e Presidencës së Parë, janë thirrur dhe veçuar një Komitet i Librit të Himneve dhe një Komitet i Librit të Këngëve të Fëmijëve për të rekomanduar rishikime për Librin Himne dhe Librin e Këngëve të Fëmijëve.
“Anëtarët e komitetit janë ekspertë në një larmi fushash, përfshirë në muzikë, arsimim, letërsi, kulturë botërore dhe në doktrinën e Kishës”, tha Odri Livingstoni, përgjegjëse e produkteve për muzikën e shenjtë dhe sekretare e të dyja komiteteve.
“Krijimi dhe përzgjedhja e muzikës së shenjtë për adhurim është një traditë e nderuar në Kishë”, tha Plaku Kopishke.
“Ema Smithi qe e para në këtë periudhë ungjillore që u zgjodh nga Zoti për të përzgjedhur muzikën e shenjtë që të përdorej në Kishën e Tij të Rivendosur. Ajo që ishte e vërtetë në kohën e Emës, është ende e vërtetë sot: Zoti kënaqet nga kënga e zemrës; himnet dhe këngët e të drejtëve konsiderohen lutje drejtuar Atij dhe Ai ka premtuar që t’u përgjigjet atyre lutjeve me një bekim mbi kokat e atyre që i këndojnë ato. Tani, profeti i Zotit ka thirrur të tjerë që të përzgjedhin muzikë të shenjtë për këtë ditë dhe kohë, ndërkohë që ne si Kishë vazhdojmë ta përgatitim mbretërinë e Perëndisë në tokë për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit”, tha Plaku Kopishke.
“Komitetet marrin në shqyrtim pika të shumta të dhënash për t’u siguruar që rekomandimet e tyre të jenë të mira”, tha Stiv Shanku, një përgjegjës i Kishës për muzikën i përzgjedhur që t’i kryesojë të dyja komitetet.
Megjithatë, anëtarët e komitetit nuk vendosin në mënyrë përfundimtare se çfarë do të përfshihet dhe çfarë jo.
“Synimi i komiteteve është të japë rekomandime për udhëheqjen më të lartë të Kishës”, tha Shanku. “Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve vendosin se çfarë vihet në libër, kështu që këto komitete nuk janë trupa vendimmarrëse – ato janë trupa rekomanduese.”
“Ne e ndiejmë fort peshën e detyrës që kemi në duar, dhe jemi tej mase mirënjohës për lutjet e shenjtorëve në emrin tonë”, shtoi Livingstoni.
Shanku ra dakord, duke shtuar: “Ndonëse po përpiqemi vazhdimisht që të bëjmë punën më të mirë, e kuptojmë se puna jonë më e mirë nuk mjafton. Komitetet varen nga të qenit i drejtuar nga Shpirti.”


Synimet strategjike dhe përparimi i përzgjedhjes
Deri tani, të dyja komitetet kanë vlerësuar më shumë se 1 200 pjesë muzikore që gjenden në publikime të ndryshme muzikore të Kishës.
“Komiteti i Librit të Himneve i ka vlerësuar të 341 përzgjedhjet te Libri Himne në anglisht dhe 209 himne të tjera që gjenden vetëm në botime të ndryshme të gjuhëve të tjera përveç anglishtes”, tha Livingstoni. “Komiteti i Librit të Këngëve të Fëmijëve i ka vlerësuar të 268 këngët te Libri i Këngëve të Fëmijëve në anglisht dhe 86 këngë të tjera që gjenden vetëm në botime të ndryshme të gjuhëve të tjera përveç anglishtes.”
Shanku tha se komitetet marrin parasysh pesë synimet strategjike vijuese për të udhërrëfyer procesin e rekomandimit.
Muzika e shenjtë e Kishës duhet:
- Ta shtojë besimin dhe adhurimin tonë për Atin tonë Qiellor dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin.
- T’ua mësojë [njerëzve] doktrinën bazë të ungjillit me fuqi dhe qartësi.
- Të ftojë të kënduarin e gëzueshëm në shtëpi dhe në Kishë.
- Të ngushëllojë të drobiturit dhe t’i frymëzojë anëtarët që të durojnë me besim.
- T’i bashkojë anëtarët në të gjithë Kishën.
“Komitetet do të vazhdojnë t’i përdorin po ato synime teksa marrin në shqyrtim edhe muzikë tjetër, përfshirë himne të dashura nga tradita të tjera të krishtera dhe himne të sapodorëzuara”, tha Shanku.
Çfarë lloji rishikimesh po rekomandojnë komitetet?
Përveç marrjes në shqyrtim të faktit se cilat këngë të përfshijnë, të dyja komitetet po rekomandojnë edhe përshtatje në tekst dhe muzikë. Zakonisht, këto ndryshime rekomandohen për të ndihmuar që himnet ose këngët të përputhen më mirë me synimet e përvijuara më sipër.
“Në shumicën e rasteve, redaktimet e rekomanduara janë përmirësime të vogla, të tilla si ndryshimi i një fjale ose fraze të vetme për ta bërë gjuhën më të ndjeshme nga ana kulturore ose më të saktë nga ana doktrinore, ose uljen e notës së muzikës për të ndihmuar që të këndohen më lehtë”, tha Livingstoni.
Ndryshime si këto janë një praktikë e zakonshme redaktuese që është ndjekur për rishikimet e mëparshme të librit të himneve, shtoi Shanku.
“Libri i himneve i vitit 1985, për shembull, përfshinte 244 himne me redaktime në muzikë dhe 75 himne me redaktime në tekst”, tha ai. “Në fakt, vetëm 18 himne në librin e himneve të vitit 1985 u ruajtën nga botimi i mëparshëm pa kurrfarë ndryshimi.”
Rekomandimet e marra nga anëtarët
“Kisha ka bërë një ftesë që nuk u qe bërë më parë shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në mbarë botën për të marrë pjesë në rishikime duke dhënë sugjerime në lidhje me koleksionet e reja nëpërmjet një ankete në internet”, tha Shanku.
Deri tani, përzgjedhja më e sugjeruar ka qenë “Come, Thou Fount of Every Blessing” [“Eja, Ti Burim i Çdo Bekimi”]. Shanku vuri në dukje se ky himn u botua në botimet e mëparshme të librit të himneve të Kishës, por u hoq nga botimi në anglisht i vitit 1985 për shkak se nuk përdorej. Ai i dha merita përshtatjes në vitin 1993 të Mek Uillbergut se “po i jepte një jetë të re” himnit dhe po i jepte popullaritet të gjerë.
Për më tepër, shumë nga ata që i janë përgjigjur anketës, kanë rekomanduar marrjen e këngëve dhe himneve nga tradita të tjera të krishtera, të tilla si “Amazing Grace” [“Hir i Mahnitshëm”], që nuk është botuar asnjëherë nga Kisha.
Sugjerime të tjera përfshijnë pjesë të njohura muzikore të Kishës që nuk janë përfshirë asnjëherë në librin e himneve ose në librin e këngëve të fëmijëve më parë, të tilla si “If the Savior Stood Beside Me” [“Në Prani të Shpëtimtarit”].
Çfarëdo ndryshimesh që i ndodhin muzikës së Kishës në vitet vijuese, Shanku dhe Livingstoni bien dakord që qëllimi i muzikës së Kishës do të mbetet i njëjti: T’i frymëzojë të gjithë ata që e dëgjojnë atë, që të vazhdojnë përgjatë shtegut të besëlidhjeve të Shpëtimtarit.
“Muzika e shenjtë do t’i forcojë familjet dhe individët nëpërmjet një qasjeje të përqendruar te shtëpia dhe të përkrahur nga Kisha për të dhënë mësim doktrinën, për të forcuar besimin dhe për të kultivuar adhurim më të madh vetjak”, tha Livingstoni.