Krahina e Hatajit, Turqi 

Në krahinën e Hatajit, në Turqi, hapen shkollat e financuara nëpërmjet dhurimeve humanitare nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme 

Më 23 tetor 2024, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, së bashku me autoritetet turke, përuruan zyrtarisht tri shkolla në krahinën e Hatajit, në Turqinë juglindore.  Plaku Ruben V. Alliod, Presidenti i Zonës së Europës Qendrore të Kishës, dhe Plaku Xhek N. Xherard, këshilltar i parë në Presidencë, krahas përfaqësuesve të tjerë të Kishës, qenë të pranishëm në përurimin e shkollës në Ashajobë, në qarkun e Antakiës, provinca e Hatajit. 

Përfaqësimin e zyrtarëve qeveritarë në ngjarje e kryesonte dr. Jusuf Tekini, Ministri i Arsimit Kombëtar i qeverisë së Turqisë.  Ministrit Tekini iu bashkua Mehmet Ontyrku, kryetari i bashkisë metropolitane të Hatajit, valiu Mustafa Masatllëja, guvernator i provincës së Hatajit, dhe Harun Tujsyzi, drejtori i Arsimit Kombëtar për provincën.  

Duke iu drejtuar të pranishmëve në ngjarjen e përurimit, ministri Tekini theksoi faktin se përparësia e atyre që mbajnë përgjegjësi, nuk është vetëm t’i zëvendësojnë të gjitha shkollat dhe klasat e shkatërruara, por edhe që ta përdorin këtë mundësi për të ndërtuar shumë më tepër shkolla, “duke qenë se kjo do të japë ndihmesë për të shëruar traumat dhe pasojat psikologjike të kësaj fatkeqësie natyrore”. 

Ministri Tekini gjithashtu e falënderoi Kishën që luajti një rol të rëndësishëm në rindërtim dhe i falënderoi ata që kanë bërë sakrifica të shumta për ta rikthyer në normalitet jetën në zonën e prekur.  Ai e mbylli fjalën duke thënë: “I shoh të gjithë dhuruesit si miqtë dhe ndihmësit tanë. Shpresoj se ky do të jetë një shembull madhor për botën, veçanërisht në një kohë kur kaq shumë njerëz po vuajnë pasojat e luftërave, konflikteve dhe katastrofave natyrore.” 

Ndërtimi u mundësua tërësisht nga dhurimet e anëtarëve të Kishës në mbarë botën dhe nga përfshirja e drejtpërdrejtë e shoqërive dhe sipërmarrjeve vendore. Dy prej shoqërive të përfshira qenë Turmaksi dhe FZA-ja, me të cilat Kisha ka punuar në të kaluarën. 

Tërmetet e fuqishme që goditën Turqinë më 6 shkurt 2023, shkatërruan shumë shtëpi dhe dëmtuan pjesë të rëndësishme të infrastrukturës, përfshirë shkollat. Shkalla e shkatërrimit në zonën e Hatajit, jo larg nga kufiri me Sirinë, qe veçanërisht e lartë. Me ndërtimin e këtyre shkollave, fëmijëve në komunitetet fqinje nuk u duhet më të ecin ose përshkojnë distanca të gjata për ta vazhduar shkollimin. 

Në fjalimin e tij në ngjarjen e përurimit, Plaku Alliod shpjegoi arsyet pse Kisha përfshihet në këto projekte. “Kjo nuk bëhet për ndërtesat, bëhet për të ardhmen”, – tha ai. “Nuk është fjala për të ndërtuar me tulla, por me besim, duke i ngritur njerëzit, duke ndërtuar shpresën. Nuk mendoj se mund ta ndryshojmë të kaluarën, por besoj me siguri se mund ta ndryshojmë të ardhmen”, – vazhdoi ai.  “Shpresoj se kjo shkollë dhe bukuria e saj, do të japë ndihmesë disi kundrejt atij qëllimi.” 

Kisha u ka dhënë ndihmë zonave në Turqi që u prekën më së shumti nga tërmetet e shkurtit 2023. Vetëm në pesë vjetët e fundit, Kisha ka vënë në zbatim 34 projekte në Turqi, duke mbuluar nevoja dhe zona të ndryshme. Kisha ka një zotim themelor për t’i ndihmuar të varfrit dhe nevojtarët, që i ka rrënjët në mësimet e saj dhe te shembulli i Jezu Krishtit. Ky zotim udhërrëfehet nga një bindje për vlerën e qenësishme të çdo individi dhe një përkushtim për të lehtësuar vuajtjen dhe për të nxitur mbështetjen te vetja dhe rimëkëmbjen e komuniteteve. Ndërtimi i shkollave fillore është një shembull i gjallë i këtij zotimi. 

Harun Tujsyzi, drejtori i Arsimit Kombëtar për provincën, e falënderoi Kishën për ndihmën që ka dhënë pas pasojave të tërmetit. Ai e përmendi posaçërisht rolin që luajnë shkollat në komunitetin vendor. “Prej vitit të kaluar, kemi bërë çdo përpjekje për t’i hapur shkollat shpejt. Arsyeja e kësaj është se, pas një katastrofe kaq të madhe, vëzhguam se shumica e qytetarëve që kishin migruar, po largoheshin për shkak të qëllimeve që lidheshin me arsimimin”, – tha ai.   

“I thamë vetes se duhej të ndërtonim shkolla që të mund t’i kthenim sërish qytetarët tanë. Kështu, jemi orvatur ta normalizojmë dhe aktivizojmë qytetin, për ta bërë jetën ekonomike dhe atë kulturore t’i kthehet normalitetit”, – e mbylli fjalën ai. 

Ndërtimi i shkollave filloi në maj 2024 dhe përfundoi në kohë rekord, pas katër muajsh.  Tri shkollat e reja që u ndërtuan në fshatrat e Ashajobës, Seriniolit dhe Yzymdalit, në qarkun e Antakiës, ndjekin një model që është përgatitur për t’u bërë ballë tërmeteve të forta. Çdo mur është parafabrikat, me strukturë të përforcuar çeliku, izolim dhe mur të thatë në pjesën e jashtme. Kjo lejon që ndërtimi të kryhet brenda një periudhe kohore relativisht të shkurtër. Çdo ndërtesë shkollore u përurua me dymbëdhjetë klasa për 360 fëmijë gjithsej të moshës së shkollës fillore me dy orare. 

Këto shkolla karakterizohen edhe nga sistemi i tyre: dritë dielli me bollëk nëpër dhoma dhe korridore, një hyrje shumë të gjerë kryesore, shkallë të pjerrëta për fëmijët me aftësi të kufizuara, dy laboratorë dhe kabllo instalimi për lidhje në rrjet të pajisjeve të ndryshme, si dhe ajër të kondicionuar dhe sistem ngrohjeje qendrore që furnizon të gjithë ndërtesën. Ka edhe hapësira për veprimtari sportive dhe një kopsht shkollor, si dhe disa zona me kënde lojërash jashtë. 

Kisha do të vazhdojë të përfshihet në përpjekjet e rindërtimit në Turqi dhe të ndihmojë për të rikthyer normalitetin dhe shpresën në jetën e atyre që janë prekur rëndë nga tërmetet e fuqishme.