Në Forumin Ndërfetar të G20-ës, Plaku Bednar Reflekton mbi

 Rolin e Fesë

Apostulli flet për mundësitë e fuqishme të bashkëpjesëmarrjes midis institucioneve laike dhe të shenjta gjatë mbledhjes virtuale, të organizuar nga Arabia Saudite

Bednar G20

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha të mërkurën, më 14 tetor 2020, se etiketimi i fesë si një aktivitet jothelbësor nga disa qeveri ka vendosur një pengesë për të ardhur keq përgjatë rrugës për shërim gjatë pandemisë COVID-19.

Për të qenë të sigurta, tha Apostulli, aktivitetet fetare duhet të kufizohen me kujdes kur të jetë e nevojshme. Siguria individuale është gjithmonë një shqetësim thelbësor. Por, tha ai në një mbledhje botërore të rreth 500 udhëheqësve të besimeve fetare dhe politikës, të mbledhur virtualisht për Forumin Ndërfetar të shtatë të G20-ës, “mënyra se si zyrtarët laikë i kuptojnë fenë dhe njerëzit fetarë, ndikon thellësisht në mënyrën se si i trajtojnë institucionet fetare dhe besimtarët në një kohë krize. Sa më e thellë dhe e respektueshme kuptueshmëria, aq më të përligjshme dhe të efektshme mund të jenë përgjigjet e politikave publike.”

Ky është një mesazh kyç për Forumin Ndërfetar të G20-ës sepse organizata kërkon zgjidhje për problemet globale nëpërmjet bashkëpunimit me një larmi të gjerë udhëheqësish të fesë dhe politikës. Rekomandimet nga kjo mbledhje pesëditore do t’i paraqiten në nëntor G20-ës, që këtë vit u kryesua nga Mbretëria e Arabisë Saudite. G20 a i sjell së bashku krerët e ekonomive kryesore të botës. Ai është forumi parësor për bashkëpunimin ndërkombëtar për ekonominë.

Çfarë, atëherë, duhet të kuptojnë zyrtarët qeveritarë rreth rolit të fesë – si në shoqëri edhe në jetën e çdo besimtari? Komunitetet e besimit ndihmojnë miliarda njerëz të gjejnë domethënie dhe qëllim, tha Plaku Bednar. Ato ia përçojnë “të vërtetat për moralin dhe shoqërinë brezit të ardhshëm”. Këto, shtoi ai, janë funksione jetësore.

“Respektimi i dinjitetit të njerëzve fetarë sjell përfitime të rëndësishme. Por këto mundësi dhe përfitime të fuqishme janë të mundura vetëm nëse zyrtarët e pranojnë se për besimtarët dhe komunitetet e tyre të besimit, feja është thelbësore për identitetin dhe vetë qenien e tyre!” – Plaku Bednar

Kjo është arsyeja përse, vuri në dukje Plaku Bednar, liria fetare në të drejtën ndërkombëtare njihet si një e drejtë “e pacenueshme” (shih, për shembull, Nenin 18 të Deklaratës Universitare për të Drejtat e Njeriut dhe këtë tabelë nga Komisioni i Shteteve të Bashkuara për Lirinë Fetare Ndërkombëtare). “E pacenueshme” do të thotë se feja është një liri që është e paprekshme, madje edhe në kohë urgjencash.

Kuptueshmëria dhe respekti i duhur për grupet fetare mund të japë përfitime të rëndësishme për mbarë komunitetin, tha Plaku Bednar. Kjo qasje mund të nxitë mirëbesim dhe mund të shfrytëzojë burimet e mëdha që kanë organet fetare, përfshirë kapitalin shoqëror.

“Shumë udhëheqës fetarë tashmë iu kanë bërë thirrje anëtarëve të tyre për të bërë sakrifica të mëdha nga dashuria e thellë dhe respekti për sigurinë e të tjerëve”, tha Plaku Bednar, seanca plenare e të cilit gjithashtu përfshiu komente nga përfaqësues të besimit katolik, hebre dhe mysliman. “Njohja dhe respektimi i atyre sakrificave dhe kërkimi i një bashkëpunimi dhe përshtatjeje më të madhe është mënyra për të ecur përpara.”

Vlen të përmenden disa shembuj të ndihmës së frytshme fetare gjatë pandemisë, që nuk u përmendën nga Plaku Bendar. Këto përfshijnë shenjtorët e ditëve të mëvonshme që ndihmojnë për të prodhuar 5 milionë maska fytyre për punonjësit e kujdesit shëndetësor të vijës së parë në Jutë; Latter-day Saint Charities [Organizatën Bamirëse të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme] që ndihmon në financimin për shpërndarjen në botë të furnizimeve shumë të rëndësishme të World Food Programme [Programit Botëror për Ushqimin] gjatë pandemisë dhe shumë më tepër shembuj të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme që sjellin lehtësim nga pandemia në komunitetit e tyre vendore në Finlandë, Hong-Kong, Filipine dhe vende të tjera.

Grupet fetare gjithashtu mund të ndihmojnë për ta luftuar keqinformimin, tha Plaku Bednar, duke i demaskuar thashethemet, duke qetësuar frikën dhe duke e lehtësuar shpërndarjen e informacionit të saktë.      

“Respektimi i dinjitetit të njerëzve fetarë sjell përfitime të rëndësishme”, tha ai. “Por këto mundësi dhe përfitime të fuqishme janë të mundura vetëm nëse zyrtarët e pranojnë se për besimtarët dhe komunitetet e tyre të besimit, feja është thelbësore për identitetin dhe vetë qenien e tyre!”

“Shpresa dhe lutja ime”, përfundoi ai, “[është] që zyrtarët qeveritarë dhe udhëheqësit e besimit të mund t’i përgjigjen bashkërisht COVID 19 në mënyra që mbrojnë edhe shëndetin fizik edhe atë shpirtëror.”

Plaku Bednar është Apostulli i tretë dhe udhëheqësi i katërt i Kishës që merr pjesë në Forumin Ndërfetar të G20 ës. Plaku D. Tod Kristoferson dhe Motra Sheron Iubank (kjo e fundit e Latter-Day Saint Charities [Organizatës Bamirëse të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme]) folën në ngjarjen e vitit 2018, të organizuar nga Argjentina. Dhe Plaku Gerit W. Gong u bashkua me Motrën Iubank në mbledhjen e vitit 2019, të organizuar nga Japonia.