Njoftim për Shtyp

Youth

U Lajmëruan Ndryshimet për Moshën e Përparimit të Të Rinjve e të Të Rejave dhe Shugurimit të Të Rinjve

Presidenca e Parë e Kishës së Jezu Krishti të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme lajmëroi një ndryshim të premten të hartuar për t’i forcuar fëmijët dhe rininë nëpërmjet një besimi të madh në Jezu Krisht, kuptueshmërisë më të thellë të ungjillit të Tij dhe unitetit më të madh me kishën e Tij dhe anëtarët e saj.

Lexoni letrën e plotë nga Presidenca e Parë:

Të Dashur Vëllezër dhe Motra:

Përparimi sipas Grupmoshave për Fëmijët dhe Të Rinjtë e Të Rejat

Dëshirojmë t’i forcojmë fëmijët dhe rininë tonë të dashur nëpërmjet besimit më të madh te Jezu Krishti, kuptueshmërisë më të thellë të ungjillit të Tij dhe unitetit më të madh me Kishën e Tij dhe anëtarët e saj. Për këtë qëllim, kemi kënaqësinë të lajmërojmë që, në janar 2019, fëmijët do ta përfundojnë Filloren dhe do të fillojnë të ndjekin Shkollën e së Dielës dhe Të Rejat ose kuorumet e Priftërisë Aarone sipas grupmoshave që në fillim të janarit në vitin kur mbushin 12 vjeç. Po ashtu, të rejat do të përparojnë drejt klasave përkatëse të Të Rejave dhe të rinjtë drejt kuorumeve përkatëse të Priftërisë Aarone sipas grupmoshave që në fillim të janarit në vitin kur mbushin 14 dhe 16 vjeç.

Përveç kësaj, të rinjtë do të kenë të drejtën për shugurim në detyrën e përshtatshme në priftëri që në janar të vitit kur mbushin 12, 14 dhe 16 vjeç. Të rejat dhe të rinjtë e shuguruar do të kenë të drejtën për rekomandime tempulli me përdorim të kufizuar duke filluar nga janari i vitit kur mbushin 12 vjeç. Shugurimi në një detyrë priftërie për të rinjtë dhe marrja e një rekomandimi tempulli me përdorim të kufizuar për të rejat dhe të rinjtë do të vazhdojë të jetë çështje individuale, e bazuar te denjësia, të qenit gati dhe rrethanat vetjake. Shugurimet dhe marrja e rekomandimeve me përdorim të kufizuar zakonisht do të ndodhin gjatë gjithë janarit.

Ne i nxitim udhëheqësit vendorë që t’i vënë në zbatim këto ndryshime gjatë gjithë janarit 2019. Informacion shtesë gjendet i mëposhte dhe është gjithashtu në dispozicion te femijetdherinia.lds.org.

Sinqerisht tuajt,

Presidenca e Parë:
Rasëll M. Nelson
Dallin H. Ouks
Henri B. Ajring


Pyetje që Bëhen Rëndom

Udhëheqësit e Kishës dëshirojnë t’i forcojnë fëmijët dhe rininë nëpërmjet besimit më të madh te Jezu Krishti, kuptueshmërisë më të thellë të ungjillit të Tij dhe unitetit më të madh me Kishën e Tij dhe anëtarët e saj. Duke filluar nga janari 2019, fëmijët do ta përfundojnë Filloren dhe të rinjtë e të rejat do të përparojnë nga njëra klasë tek tjetra ose nga një kuorum tek tjetri sipas grupmoshave në vend që ta bëjnë këtë kur të kenë ditëlindjen. Shugurimi në detyrat e Priftërisë Aarone dhe marrja e një rekomandimi tempulli me përdorim të kufizuar do të vazhdojnë të bazohen te denjësia individuale, të qenit gati dhe rrethanat vetjake dhe zakonisht do të ndodhë gjatë gjithë janarit.

  1. Cili është afati kohor për përparimin sipas grupmoshave?

Fëmijët zakonisht do ta përfundojnë Filloren dhe do të fillojnë të ndjekin Shkollën e së Dielës dhe klasën e Kosheres ose kuorumin e dhjakëve që në fillim të vitit kur mbushin 12 vjeç. Të rejat zakonisht do të përparojnë drejt klasave përkatëse të Të Rejave dhe të rinjtë drejt kuorumeve përkatëse të Priftërisë Aarone në janarin e vitit kur mbushin 14 dhe 16 vjeç. Ky përparim do të ndodhë sipas grupmoshave, jo në secilën ditëlindje të fëmijëve dhe të të rinjve e të rejave.

Disa fëmijë ose të rinj e të reja mund të mos lëvizin nëpër organizata, klasa ose kuorume sipas afatit të zakonshëm kohor për shkak të rrethanave vetjake. Peshkopi dhe prindërit këshillohen së bashku për të vendosur se çfarë i sjell dobi më të madhe secilit fëmijë ose të riu apo të reje.

  1. Kur kanë të rinjtë të drejtën të shugurohen në një detyrë në Priftërinë Aarone? Kur kanë të rejat dhe të rinjtë të drejtën për të marrë një rekomandim tempulli me përdorim të kufizuar?

Të rinjtë do të kenë të drejtën për shugurim në detyrën e përshtatshme në priftëri në janarin e vitit kur mbushin 12, 14 dhe 16 vjeç. Shugurimet zakonisht do të ndodhin gjatë gjithë janarit. Të rejat dhe të rinjtë e shuguruar do të kenë të drejtën për një rekomandim tempulli me përdorim të kufizuar duke filluar nga janari i vitit kur mbushin 12 vjeç. Sidoqoftë, shugurimi në një detyrë priftërie për të rinjtë dhe marrja e një rekomandimi tempulli me përdorim të kufizuar për të rejat dhe të rinjtë do të vazhdojnë të bazohen te denjësia, të qenit gati dhe rrethanat vetjake.

  1. A janë moshat për shugurimin e të rinjve në detyrat e priftërisë të urdhëruara nga ana doktrinore?

Jo. Moshat për shugurimin në detyrat e Priftërisë Aarone kanë ndryshuar gjatë gjithë historisë së Kishës.

  1. Kur duhet të vihen në zbatim këto përshtatje?

Udhëheqësit vendorë duhet t’i vënë në zbatim këto përshtatje gjatë gjithë janarit 2019. Lëvizja nëpër klasa dhe organizata zakonisht ndodh në fillim të janarit. Megjithatë, mund të jetë nevoja që mbështetjet dhe shugurimet të ndodhin gjatë gjithë muajit për t’iu përshtatur afateve kohore të familjeve dhe të intervistave.

  1. Kur zhvillohen intervistat me të rinjtë e të rejat?

Peshkopi e interviston çdo të re kur ajo e përfundon Filloren dhe lëviz te një klasë e re. Ai e interviston çdo të ri kur e përfundon Filloren, kur lëviz te një kuorum i ri dhe shugurohet në një detyrë në priftëri. Të rinjtë dhe të rejat që janë 12 dhe 15 vjeç duhet të takohen me peshkopin një herë në vit dhe me një prej këshilltarëve të tij në një herë tjetër gjatë vitit. Të rinjtë e të rejat që janë 16 dhe 18 vjeç zakonisht takohen me peshkopin dy herë në vit.

  1. A i njoftojnë peshkopatat në mbledhjet e sakramentit arritjet e atyre që përfundojnë Filloren, të atyre që lëvizin në një klasë të re ose në një kuorum të ri dhe të të rinjve që shugurohen në një detyrë në priftëri?

Peshkopatat nuk i njoftojnë arritjet e fëmijëve dhe të të rinjve e të rejave në mbledhjen e sakramentit kur ata lëvizin nëpër organizata, klasa dhe kuorume. Të rinjtë që po shugurohen në një detyrë në priftëri, paraqiten në mbledhjen e sakramentit për një votë mbështetëse. Ata nuk duhet të vijnë te foltorja, por të ngrihen në këmbë në sallë kur emrat e tyre paraqiten dhe ata mbështeten.

  1. A duhet të jetë gjithnjë janari koha e kalimit nëpër klasa të tjera për përparimin sipas grupmoshave?

Jo. Në zona të botës ku janari nuk është një datë e natyrshme kalimi në një vit të ri, zonat mund t’i vënë në zbatim këto ndryshime në bazë të datës së kalimit që ndiqet në rang vendi.

  1. Si ndryshon klasa e Fillores dhe ajo e Shkollës të së Dielës?

Njëmbëdhjetëvjeçarët/et që kanë përfunduar Filloren, ndjekin Shkollën e së Dielës. Secila presidencë e Shkollës të së Dielës i organizon të rinjtë e të rejat nga moshat 11 deri në 18 vjeç nëpër klasa sipas moshës. Klasat mund të organizohen për secilën grupmoshë ose mund të ndërthuren për më shumë se një grupmoshë. Klasa e Fillores Guximtarët 11 do të ndërpritet.

  1. A mund të shkojnë në kamp të rinjtë e të rejat që nuk janë ende 12 vjeç? A mund të shkojnë në mbrëmjet e vallëzimit dhe konferencat e rinisë të rinjtë e të rejat që nuk janë ende 14 vjeç?

Po. Përgjithësisht, të rinjtë e të rejat në një klasë ose kuorum mund të gëzojnë privilegjet që janë të përshtatshme për atë klasë ose kuorum. Me miratimin e prindërve të tyre, Kosheret dhe dhjakët mund të shkojnë në kamp përpara ditëlindjes së tyre të 12‑të. Po ashtu Trëndafilet dhe [të rinjtë me detyrën në priftëri të] mësuesit mund të shkojnë në mbrëmjet e vallëzimit dhe konferencat e rinisë përpara ditëlindjes së tyre të 14‑të. Megjithatë, një e re ose i ri duhet të jetë së paku 16 vjeç përpara se të fillojë të dalë në takime (shih Për Forcën e Rinisë [2011], f. 4).

  1. A mund të kenë detyra shërbestare të rinjtë e të rejat që nuk janë ende 14 vjeç?

Po. Të gjitha Trëndafilet dhe [të rinjtë me detyrën në priftëri të] mësuesit mund të ftohen të marrin pjesë në dhënien e shërbesës dhe mund të kenë detyra shërbestare. Ata nuk ka nevojë të presin ditëlindjen e tyre të 14‑të.

  1. Si ndikojnë këto ndryshime te ditët e aktiviteteve?

Atje ku është praktike, Fillorja vazhdon të zhvillojë ditët e aktiviteteve për vajzat dhe, jashtë SHBA‑së dhe Kanadasë, për djemtë. Fëmijët mund të fillojnë të shkojnë në ditët e aktiviteteve në janarin e vitit kur mbushin 8 vjeç dhe vazhdojnë derisa të përfundojnë Filloren.

  1. Si ndikojnë këto ndryshime te klubi i skautistëve të vegjël dhe te skautistët 11‑vjeçarë në SHBA dhe Kanada?

Derisa të fillohet një nismë të re për fëmijët dhe të rinjtë e të rejat në vitin 2020, përparimi te klubi i skautistëve të vegjël dhe te skautistët 11‑vjeçarë mbetet pak a shumë njësoj. Djemtë vazhdojnë t’i bashkohen klubit të skautistëve të vegjël dhe skautistëve 11‑vjeçarë dhe të përparojnë nëpër nivelet e ndryshme të skautizmit kur të kenë ditëlindjen. Sidoqoftë, kur lëvizin nga Fillorja në kuorumet e Priftërisë Aarone, ata largohen nga skautizmi i 11‑vjeçarëve dhe marrin pjesë në skautizmin e të rinjve me kuorumin e dhjakëve.


Historia e Moshave për Shugurime

Përpara vitit 1877:

Nuk kishte një moshë të përcaktuar; shumica përbëhej nga burra në moshë madhore dhe disa djem të moshës 8 vjeç e më të rritur

Në vitin 1877:

Nuk kishte një moshë të përcaktuar; shumica përbëhej nga të rinj prej moshës 9 – 19 vjeç

Në vitin 1908:

Dhjakët: 12 – 14 vjeç; Mësuesit: 15 – 17 vjeç; Priftërinjtë: 18 – 21 vjeç

Në vitin 1934:

Dhjakët: 12 – 14 vjeç; Mësuesit: 15 – 16 vjeç; Priftërinjtë: 17 – 18 vjeç

Në vitin 1954:

Dhjakët: 12 – 13 vjeç; Mësuesit: 14 – 15 vjeç; Priftërinjtë: 16 – 19 vjeç

Në vitin 2012:

Dhjakët: 12 – 13 vjeç; Mësuesit: 14 – 15 vjeç; Priftërinjtë: 16 – 18 vjeç