Përpara sesionit të ardhshëm të udhëheqjes të konferencës së përgjithshme (2 prill 2026), Presidenca e Parë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ka njoftuar rregullimet e ardhshme në orarin e mbledhjeve të klasave të së dielës, për të përkrahur anëtarët në përpjekjet e tyre për të qenë dishepuj të Jezu Krishtit gjatë gjithë jetës. Rregullimet do ta përforcojnë të mësuarit e ungjillit në shtëpi dhe nëpër bashkësi anembanë botës. Shihni letrën zyrtare nga Presidenca e Parë.
Në janar 2019, Kisha vuri në zbatim një orar dyorësh të së dielës, për t’u ofruar individëve dhe familjeve më tepër mundësi për studimin e ungjillit të përqendruar te shtëpia. Anëtarët në të gjithë botën i kanë përqafuar këto ndryshime me besim dhe entuziazëm. Do të paraqiten rregullime shtesë për ta përmirësuar më tej të mësuarit, shoqërimin dhe adhurimin.
Mbledhjet Javore të Shkollës të së Dielës, Kuorumeve dhe Klasave
Duke filluar nga data 6 shtator 2026, do të zëvendësohet orari i alternuar javor për mbledhjet e Shkollës të së Dielës, të kuorumeve ose klasave. Sipas orarit të përditësuar:
- Mbledhjet e Shkollës të së Dielës, Shoqatës së Ndihmës, kuorumit të pleqve, Të Rejave dhe kuorumit të Priftërisë Aarone, do të zhvillohen çdo javë.
- Mbledhja e sakramentit do të vazhdojë të jetë 60 minuta, duke vijuar me periudha të shkurta kalimi nga një klasë në tjetrën.
- Mbledhjet e Shkollës të së Dielës, të kuorumeve dhe klasave do të jenë secila nga 25 minuta.
- Fillorja do të vijojë të zhvillohet çdo të diel dhe do të jetë 55 minuta, ndërsa personat në moshë madhore dhe të rinjtë e të rejat do të frekuentojnë klasat e tyre përkatëse.
- Atje ku e kërkojnë rrethanat vendore, njësitë mund të fillojnë me mbledhjet e Fillores, të kuorumeve e të klasave dhe të përfundojnë me mbledhjen e sakramentit.
“Mbledhja javore në çdo klasë ndihmon në thellimin e të mësuarit të ungjillit duke e lidhur atë më ngushtë me studimin vetjak dhe familjar”, – tha Presidenti Pol V. Xhonson, President i Përgjithshëm i Shkollës të së Dielës. “Ajo gjithashtu rrit përkrahjen shpirtërore që marrin anëtarët. Megjithëse orari duket ndryshe, sasia e kohës së shpenzuar për të mësuar së bashku, mbetet e njëjtë.”
Përputhja me Programin “Eja, Më Ndiq”
Çdo grupmoshë do të vazhdojë të marrë pjesë në mësimet nga programi “Eja, Më Ndiq”, që përkrahin drejtpërdrejt studimin në shtëpi. Klasat javore do të ofrojnë mundësi të vazhdueshme për të mësuar së bashku, për të treguar përvoja dhe për të inkurajuar njëri-tjetrin për të jetuar parimet e ungjillit.
Klasat e Shkollës të së Dielës do të vazhdojnë të përdorin programin “Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën”.
Programi Mësimor për Të Rinjtë e Të Rejat: “Për Forcën e Rinisë”
Një program i përditësuar nga broshura “Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve” – tanimë në dispozicion te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] – përmban 12 kapituj që shkojnë paralel me studimin mujor. Kopjet fizike do të dërgohen nëpër njësi dhe nuk është nevoja të porositen nga udhëheqja vendore.
Duke filluar nga data 6 shtator 2026, ky udhëzues do të bëhet programi mësimor për klasat e Të Rejave dhe kuorumet e Priftërisë Aarone. Përmbajtje shtesë përkrahëse do të ofrohet me anë të revistës “Për Forcën e Rinisë”, duke filluar nga numri i botimit shtator 2026.
“Profetët e gjallë na kanë dhënë udhëzuesin ‘Për Forcën e Rinisë’. Është i thjeshtë, por i fuqishëm. Ai do t’i ndihmojë të rinjtë e të rejat të përqendrohen te Krishti, ta njohin doktrinën e Tij dhe t’ia vënë veshin Shpirtit”, – tha Presidenti Timothi L. Farns, President i Përgjithshëm i Të Rinjve. “Ky udhëzues do t’i ndihmojë të rinjtë e të rejat të ecin me vetëbesim, të mbështeten te fuqia e Tij dhe të ecin përpara me shpresë në një botë sfiduese. Këtë udhëzues e konsideroj të dobishëm si pjesë e përditshme të studimit tim të shkrimeve të shenjta.”
Rezultatet e dëshiruara për të rinjtë e të rejat që e studiojnë këtë udhëzues, janë që ata:
- Do të bëhen dishepuj të Jezu Krishtit për gjithë jetën me një kuptueshmëri të fortë për ungjillin e Tij.
- Do të përgatiten për ordinancën e dhurimit me një kuptueshmëri më të thellë për ordinancat e priftërisë dhe premtimet e besëlidhjeve.
- Do të përgatiten për një mision me dëshirën për t’i shërbyer Zotit.
- Do të përqendrohen te familja e tyre e ardhshme me një kuptueshmëri se martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia dhe se familja është thelbësore në planin e Atit.
- Do të dinë se Jezu Krishti është forca e tyre.
Të rejat e të rinjtë, prindërit dhe udhëheqësit/et e tyre inkurajohen të abonohen për familjen e tyre pa pagesë për revistën “Për Forcën e Rinisë”. Ata që dëshirojnë të marrin kopje shtesë, mund t’i blejnë numrat aktualë të revistës te faqja store.ChurchofJesusChrist.org ose te dyqanet e shitjes me pakicë. Për numrat e tanishëm dhe të kaluar të revistës, mund të hyni në mënyrë digjitale te faqja ChurchofJesusChrist.org ose te programi Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Nëse anëtarët kanë nevojë për ndihmë lidhur me abonimet, mund të kontaktojnë përfaqësuesin e revistave vendore ose nëpunësin e tyre të lagjes.
Shoqata e Ndihmës dhe Kuorumi i Pleqve
Mbledhjet javore të Shoqatës së Ndihmës dhe kuorumit të pleqve, do të vazhdojnë të përqendrohen te mesazhet nga konferenca e përgjithshme më e fundit. Këto diskutime ia vënë theksin të kuptuarit të mësimeve profetike dhe zbatimit të tyre në jetën e përditshme.
“Ka forcë shtesë që vjen kur mblidhemi çdo javë për t’u këshilluar me njëri-tjetrin, për ta mësuar dhe përkrahur njëri-tjetrin”, – tha Presidentja Kamill N. Xhonson, Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës. “Kur mblidhemi në emrin e Tij, Shpirti është i pranishëm për të na mësuar, dëshmitë forcohen dhe ne e lartësojmë shpirtërisht njëri-tjetrin në dishepullim. Kjo kohë javore për lidhje shpirtërore do të na ndihmojë të afrohemi më shumë me Shpëtimtarin dhe njëri-tjetrin. Ne gjejmë gëzim kur ecim së bashku në shtegun e besëlidhjeve.”
Forcimi i Adhurimit në Mbledhjen e Sakramentit
Ndërkohë që kohëzgjatja e mbledhjes së sakramentit mbetet e pandryshuar, udhëheqësit inkurajohen të marrin parasysh me vetëdije mënyra se si ta forcojnë cilësinë e adhurimit dhe të ndihmojnë që mbledhja e sakramentit të bëhet më qendrore në jetën e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Anëtarët ftohen të kërkojnë mënyra kuptimplote për ta pasuruar përvojën e adhurimit vetjak. Mbledhja e sakramentit është një kohë gëzimi, nderimi dhe shoqërimi mikpritës, e përqendruar te Shpëtimtari Jezu Krisht.
E diela e pestë e muajit gusht 2026, do të jetë enkas për përgatitjen dhe diskutim nga të rinjtë e të rejat, prindërit dhe udhëheqësit/et e tyre. Përgatitje dhe diskutim shtesë për anëtarët do të zhvillohen gjatë orës së dytë, më 6 shtator 2026. Burimet, materialet e trajnimit dhe përgjigjet për pyetjet e zakonshme do të vihen në dispozicion në javët e ardhshme.