FrankfurtmbiMajn 

Ndihma për Përmbytjen: Misionarët dhe anëtarët u shërbejnë komuniteteve europiane pas stuhisë “Boris” 

Dëmet shkatërruese ndikuan në jetën e mijëra njerëzve ndërsa stuhia “Boris” kaloi nëpër Europën Qendrore në shtator 2024. Pas shirave të rrëmbyeshëm dhe përmbytjeve, misionarët dhe anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme filluan t’u shërbenin komuniteteve të tyre duke e hequr baltën me lopata, duke hequr mbetjet nga oborret, duke pastruar shtëpitë dhe të tjera.  

Në Rumani, 5000 vatra familjare u prekën drejtpërdrejt nga përmbytjet dhe shumë familje u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre. Një grup prej 22 misionarësh dhe anëtarësh udhëtuan për në fshatin e vogël KuzaVoda për të dhënë shërbim. Kryetari i bashkisë i drejtoi ata në një rrugë ku shtëpitë ishin zhytur në deri në 1,2 metra ujë me baltë. Atje vullnetarët pastruan shtëpinë e një gruaje të moshuar, duke hequr baltën dhe orenditë e shkatërruara dhe duke i pastruar dyshemetë derisa të shfaqej ngjyra e tyre fillestare.   

Në Republikën Çeke, studentë dhe këshilltarë nga Akademia “Kumorah” dolën vullnetarë me të rinj dhe të reja në moshë madhore dhe misionarë vendës për të pastruar terrenet publike në Brantis pasi vendi përjetoi disa nga përmbytjet më të këqija në thuajse tri dekada. Për më tepër, misionarët rajonalë të Kishës, të caktuar për mirëqenien dhe mbështetjen te vetja, bashkërenduan një dhurim humanitar të produkteve higjienike dhe mjeteve për pastrim për një godinë përkujdesjeje për të moshuarit në Ostravë. Kjo godinë, që funksiononte nën drejtimin e organizatës Caritas, pësoi përmbytje në bodrum, gjë që dëmtoi një pjesë të madhe të furnizimit ekzistues me materiale të tilla. 

Në Sllovaki, Kisha dhuroi fonde për Kryqin e Kuq për të blerë 20 pajisje elektrike për tharjen e lagështirës, të cilat u shpërndanë në rajonin e Bratislavës. Pajisjet për tharjen e lagështirës, të cilat iu dhanë bizneseve dhe shtëpive të zonës, do të kthehen dhe do të ruhen për përdorim në të ardhmen. 

Në Austri, anëtarët vendës punuan me organizatat Kryqi i Kuq, Team Austria, Caritas dhe të tjera për të ofruar shërbime. Të gjithë misionarët e Kishës në këto zona janë të sigurt dhe të gjithë anëtarët e Kishës, shtëpitë e të cilëve u dëmtuan, morën ndihmë të menjëhershme nga udhëheqësit e priftërisë.