Ansambli i Valleve Folklorike të UBJ‑së në Hungari, Austri dhe Çeki
Ansambli i Valleve Folklorike e nisi verën duke kaluar tri javë me udhëtime nëpër Europë. Grupi bëri ndalesa në Hungari, Austri dhe Çeki duke marrë pjesë në festivale dhe aktivitete gjatë gjithë turneut.
Festivali i parë ishte festivali i përvitshëm i 28‑të i Karnavaleve të Danubit në Budapest dhe i dyti ishte Festivali Folklorik Ndërkombëtar i Strazhnicesë në Çeki. Një anëtare e ansamblit shprehu mirënjohje për përvojën e vet në festival duke thënë: “Më pëlqeu tej mase mundësia për t’i parë grupet nga Hungaria dhe Çekia të interpretonin. Fitova një dashuri më të madhe për njerëzit, vendin, kulturën dhe historinë e tyre. Më pëlqeu pa masë të qenit në gjendje të jepja dëshminë dhe të shpërndaja dritën time nëpërmjet vallëzimit.” Nga një festival në tjetrin, grupi bëri turne në Budapest, ku bënë shëtitje turistike dhe filmuan numrin e tyre tradicional hungarez, vallen e Xhulanxhlesë.
Grupi i valltareve Kugaretet e UBJ‑së, në Itali dhe Francë
Në korrik, grupi i valltareve Kugaretet e UBJ‑së udhëtoi drejt Italisë dhe Francës. Në Itali, ato konkurruan në Lëvizjen Botërore të Vallëzimit, një festival ndërkombëtar vallëzimi në Kastelana‑Grote të Italisë. Ato patën mundësinë të takonin valltarë e valltare nga vende të ndryshme dhe morën çmimin “Grupi i Vitit për Vallëzimin”.
“Të vallëzoje në atë skenë në mes të Italisë së bukur ishte magjike! Kur vallëzojmë, ne përpiqemi gjithmonë të ndajmë dritën e Krishtit me të tjerët dhe mundësia për ta ndarë dashurinë tonë për vallëzimin dhe atë dritë të Krishtit me vendasit deri në anën tjetër të botës ishte tejet e veçantë” – tha Ebi Keli Slejd, presidentja e ekipit.
Përtej konkurrimit në vetvete, ato kaluan kohë duke vallëzuar dhe kënduar me familjet në qendrën e refugjatëve “Rezidis” në Paris. Skuadra e theksoi se kjo përvojë ishte një nga “kulmet shpirtërore” të turneut.
Kompania e Vallëzimit në Çift të UBJ‑së në Belgjikë dhe Angli
Udhëtimet e Kompanisë së Vallëzimit në Çift të UBJ‑së e kthyen atë në kampionatet prestigjioze britanike në Festivalin e Vallëzimit të Blekpulit. Atje kompanisë iu dhanë dy çmime të para.
Pas fitoreve të saj në Blekpul, Kompania e Vallëzimit në Çift u drejtua për në Bruksel për të dhënë shfaqjen e saj të quajtur “Ritëm” në Teatrin Mbretëror Flamand për disa spektatorë që ishin ambasadorë të Bashkimit Europian dhe zyrtarë të lartë në rang global.
Simfonia e Erës në Spanjë dhe Portugali
Këtë vit, grupi “Simfonia e Erës” nga UBJ‑ja bëri turne në vendet e bukura të Portugalisë dhe Spanjës. Ansambli interpretoi dy herë gjatë fundjavës së parë të tij në Portugali, përfshirë një interpretim në rrethinat e Tempullit të Lisbonës në Portugali.
Në Barcelonë, grupi përjetoi një nga çastet kulmore të turneut, interpretimin në “Palau de la Muzika Katalana”. Grupi “Simfonia e Erës” ua dhuroi të gjitha paratë nga shitjet e biletave dy organizatave vendore që punojnë me njerëzit që kanë probleme me dëgjimin, shikimin ose shëndetin mendor.
Grupi “Ambasadorët e Rinj” nga UBJ‑ja në Skoci
Këtë verë, grupi “Ambasadorët e Rinj” nga UBJ‑ja u nis për një turne në Mbretërinë e Bashkuar. Grupi dha shfaqjen me titull “Faleminderit për Muzikën” në teatrin “Sërxhëns’ Holl Grand Thiëtër”, të organizuar nga theSpaceUK‑ja si pjesë e Festivalit të Frinxhit në Edinburg.
Çastet kulmore të kohës së tij përfshinë filmimin e tre materialeve filmike muzikore, shitjen e të gjitha biletave për të gjitha shfaqjet e tij dhe interpretimin në takime shpirtërore për bashkësitë vendore. Një student komentoi: “Nga ana shoqërore dhe shpirtërore, mësova se mund të gjej përkatësi kudo dhe se ka njerëz dashamirës dhe si Krishti gjithkund.… Ndjeva dashurinë që na dhanë njerëzit që takuam dhe ndjeva dashurinë time për ta.”
Universiteti “Brigam Jang” është një institucion privat i financuar nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ai ekziston për të dhënë një arsimim të shkëlqyer laik të përforcuar me idealet dhe parimet fetare të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.