Ndal Mujshimit (Bullizmit)

Teksa hyni në klasën e shkollës së mesme, tri pyetje janë shkruar me germa të mëdha në mur mbi dritaret. Pyetjet i ftojnë nxënësit në një mjedis përkrahës, mbështetës dhe shoqëror. A Është e Vërtetë?  A Është Dashamirëse? A Është e Dobishme?

Duke bërë këto pyetje të drejtpërdrejta, ky mësues nxit një kod sjelljeje të efektshëm shoqëror duke i ftuar nxënësit të veprojnë në një mënyrë pozitive me njëri‑tjetrin. Si rrjedhim, të mësuarit shtohet kur nxënësit veprojnë në përputhje me këtë analizë të shpejtë, me tri pjesë, të komunikimit ndërmjet tyre: A Është e Vërtetë? A Është Dashamirëse? A Është e Dobishme?

Kjo qasje parimore, e nxitur në një klasë, është një standard dhe model i qëndrueshëm për jetë të përshtatshme familjare, jetë të përshtatshme në mjedisin e punës dhe ndërveprime të përshtatshme në mjetet shoqërore të komunikimit. Fjalët tona munden që ose të lartësojnë shpirtërisht dhe të nxitin ose të lëndojnë dhe të fyejnë.

Komunikimi që nuk e kalon këtë analizë të thjeshtë, mund të ndodhë nëpër të gjitha gjuhët dhe në platformat e njohura shoqërore e teknologjike. Në çdo situatë, një model i dështuar komunikimi bëhet i zvetënuar dhe fyes. Figurat, fjalët, gjestet, “memet”, shakatë, historitë dhe thashethemet fyese që dërgohen me mesazhe në celuar, postë elektronike, faqe në internet dhe programe në celular janë shembuj të marrëdhënieve të zvetënuara dhe pa respekt mes njerëzve.

“Mujshimi (Bullizmi) përbën një çështje për shëndetin publik dhe për këtë arsye ai duhet të trajtohet menjëherë nëpërmjet parandalimit, ndërhyrjes dhe terapisë. Si prindër, mësues dhe shoqëri si e tërë, kemi përgjegjësinë e përbashkët që t’i dëgjojmë fëmijët tanë dhe t’i mbrojmë ata duke siguruar informacion, duke e rritur ndërgjegjësimin dhe duke i fuqizuar të gjithë aktorët përkatës me mjetet dhe njohurinë e duhur”, raportoi Presidenti i Rrjetit Europian Kundër Mujshimit (Bullizmit), z. Kostas Janopullos.[1]

Folësi kryesor i Konferencës së 5‑të Ndërkombëtare të Rrjetit Europian Kundër Mujshimit (Bullizmit), Piter Smith, Profesor Nderi i Psikologjisë në Universitetin e Londrës dhe Anëtar Nderi i RREKM‑së, paraqiti njëjtësinë për sa i përket gjinisë te shkalla e mujshimit (bullizmit) dhe viktimave. Përfundimi kryesor i Profesor Smithit është që fenomeni i mujshimit (bullizmit) po ndikon në mënyrë të barabartë si te djemtë edhe te vajzat.[2]

Met Uatsoni, terapist te Shërbimet për Familjen të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, thotë se një sjellje mund të quhet mujshim (bullizem) “kur ka frikësim dhe kërcënim ose kur dikush thotë ‘Ndal’, por sjellja vazhdon. Nuk merren parasysh ndjenjat e viktimës.”[3]

Na duhet ta ndalojmë komunikimin e zvetënuar që t’i shmangim pasojat e shëmtuara. Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, tregon në një material të fuqishëm filmik prej 10 minutash për personazhe artistike, që pasqyrojnë pasojat përkatëse të padëshiruara si edhe ndryshimin e zemrës të një të riu.[4]  Plaku Diter F. Uhtdorf na këshillon që kur është fjala për urrejtje, thashetheme, shpërfillje, përqeshje, mbajtje mërie ose kur dëshirojmë t’i bëjmë keq dikujt – ta ndalojmë atë!

“A mbani mëri kundrejt dikujt tjetër? A bëni thashetheme madje edhe kur ajo që thoni mund të jetë e vërtetë? A i përjashtoni, i largoni nga vetja apo i ndëshkoni të tjerët për shkak të diçkaje që ata kanë bërë? A jeni në fshehtësi ziliqarë ndaj dikujt? A dëshironi t’i bëni keq dikujt? Nëse iu përgjigjët ‘po’ ndonjërës prej këtyre pyetjeve, ju mund të dëshironi të zbatoni predikimin e mëparshëm dyfjalësh. Ndalojeni atë! Ka mjaftueshëm vuajtje e hidhërim në jetë pa i shtuar ata përmes kokëfortësisë, ashpërsisë dhe mllefit tonë vetjak.”

Plaku Uhtdorf vazhdon: “Le të jemi të sjellshëm. Le të falim. Le të flasim paqësisht me njëri-tjetrin. Le t’u bëjmë të mirën të gjithëve. Le t’i shohim të tjerët ashtu siç na sheh Ati ynë Qiellor: si të vdekshëm me të meta e të papërkryer, që kemi potencial dhe vlerë shumë përtej aftësisë sonë për ta përfytyruar. Për shkak se Perëndia na do kaq shumë, edhe ne duhet ta duam e ta falim njëri-tjetrin. Kujtoni, në fund janë të mëshirshmit ata që gjejnë mëshirë.”

Në klasën e jetës, marrëdhëniet tona me njerëzit e tjerë janë ato që vërtet kanë më shumë rëndësi. Kujtohuni t’i analizoni mesazhet tuaja ndaj njerëzve të tjerë me tri pyetjet parimore.

A Është e Vërtetë?  A Është Dashamirëse? A Është e Dobishme?

 


[1] Konferenca e 5‑të Ndërkombëtare e Rrjetit Europian Kundër Mujshimit, faqja e internetit e Rrjetit Europian Kundër Mujshimit, lajmet, njoftim për shtyp

[2] Po aty

[3] “How to Beat Bullying”, Rebecca M. Taylor, Church Magazines

[4] Gospel Media, Bullying-Stop it, The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints