Ndërsa shërbesa e tij në Europë i afrohet përfundimit, Plaku Zherald Kosé, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Valeria, vizituan Tempullin e Parisit në Francë, të enjten dhe të premten, më 26−27 shkurt 2026. Ata morën pjesë në ceremoni të shenjta, bashkëbiseduan me frekuentues e udhëheqës të tempullit dhe u takuan me anëtarë të rinj të Kishës së bashku me gazetarë në Qendrën e Vizitorëve të Tempullit të Parisit.
“Ordinancat e tempullit na dallojnë nga të gjitha kishat e tjera të krishtera”, − tha Plaku Kosé në konferencën e Kunjit të Parisit Jugor, që u mbajt për shenjtorë të ditëve të mëvonshme dhe miq të besimit të dielën, më 22 shkurt. “Sa kisha mund të thonë e pohojnë se familjet mund të jenë të përjetshme?”
Tempujt janë vende të shenjta për shenjtorët e ditëve të mëvonshme. Ceremonitë brenda tyre i lejojnë lidhjet familjare të zgjatin përtej vdekjes. Tempujt janë të dallueshëm prej ndërtesave kishtare vendore. Shërbesat e së dielës dhe veprimtaritë e tjera gjatë ditëve të javës në shtëpitë vendore të mbledhjeve janë të hapura për të gjithë. Tempujt rezervohen për anëtarë të përgatitur e besnikë.
Anëtarët bëjnë sakrificë për të adhuruar në këto vende të veçanta. Nejthën Nevilli, për shembull, udhëtoi mbi dy orë për të adhuruar në Tempullin e Parisit gjatë javës që Plaku Kosé vizitoi Francën.
“Na pëlqen shumë të rrimë këtu për të adhuruar dhe ndier praninë e [Jezu Krishtit]”, − tha vëllai Nevill. “Ne bëjmë një jetë tepër të ngarkuar. Ky është një rast për të lënë kohë [për të qenë në shtëpinë e Zotit] dhe për t’u ndier më mirë.”
Stefania Tononi ka adhuruar në tempull që në moshë të re. Të qenit në shtëpinë e Zotit e ndihmon të ndiejë një lidhje më të afërt si me Krishtin, edhe me të atin, i cili ndërroi jetë kur ishte 13 vjeçe.
“Adhurimi në tempull është shumë domethënës për mua”, − tha ajo. “Ai më lidh me Zotin dhe kam [çdo herë në tempull] po të njëjtën ndjenjë që pata kur u vulosëm si familje me babain tim. Dëshiroj të adhuroj në tempull pasi dëshiroj ta ndiej vazhdimisht këtë ndjenjë. Me të vërtetë që mund të gjej Zotin këtu, në shtëpinë e Tij.”
Që nga momenti në vitin 1998 kur Presidenti Gordon B. Hinkli u tha shenjtorëve në Francë që në vendin e tyre do të ndërtohej një tempull, çifti Kosé e bëri atë çështje lutjeje të përditshme për afro dy dhjetvjeçarë.
“Nuk pati asnjë ditë të kalonte pa u ofruar një lutje nga familja jonë në emër të projektit të tempullit”, − tha Apostulli. “Dhe ç’përvojë e bukur qe si familje të ishim në gjendje të mblidheshim së bashku në tempull pasi u përkushtua [në vitin 2017].”
Atë vit, Plaku Kosé dhe bashkëshortja e tij, Valeria, shërbyen si udhërrëfyes në Tempullin e Parisit për një javë përpara përkushtimit të tij nga Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë. Gjatë një vizite udhërrëfyese, u diskutua koncepti i përjetësisë.
Apostulli shpjegoi: “Atë ditë, kuptova diçka që e kisha marrë për të mirëqenë. Me anë të rivendosjes së Kishës, çelësave të priftërisë dhe vulosjes së familjeve, ne kemi një vizion që përfshin shumë më tepër sesa këtë jetë. Ne kemi atë që është e nevojshme për ekzaltimin tonë.”
Në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ekzaltim quajmë formën më të lartë të shpëtimit. Pas Ringjalljes, njerëzit mund të jetojnë në praninë e Perëndisë me familjet e tyre dhe të marrin një plotësi të gëzimit.
Për Presidentin Ajring, Tempulli i Parisit qe një mënyrë për të “krijuar një brez të folësve të frëngjishtes, të përkushtuar thellësisht ndaj Zotit Jezu Krisht dhe të përgatitur për t’ia sjellë ungjillin botës”, − tha Plaku Kosé.
Përqendrimi te Krishti depërton tempullin, shtoi ai, dhe njerëzit jashtë besimit e vënë re.
“Ka një lidhje të këtillë ndërmjet Jezu Krishtit dhe tempullit”, − tha ai. “Natyrisht, të gjitha ordinancat që kryejmë në tempull, janë në emër të Jezu Krishtit. Këto janë besëlidhje që i bëjmë me Jezu Krishtin. Por edhe miqtë tanë, njerëzit që nuk i përkasin besimit tonë, kur vijnë në rrethinat këtu, gjëja e parë që do të shohin, është ajo statujë e Jezu Krishtit, dhe ajo do të jetë për ta një konfirmim që Kisha jonë, feja jonë, ka të bëjë e gjitha me Krishtin.”
“Njoh shumë njerëz”, − shtoi ai, − “të cilët u kthyen në besim apo e ndien Shpirtin thjesht duke ardhur këtu dhe duke e kuptuar që Krishti është në qendër të besimit tonë fetar.”
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka rreth 500 000 anëtarë në Europë. Në disa konferenca të përgjithshme, në vitet e fundit, Presidenti Rasëll M. Nelson lajmëroi planet për ndërtimin e 10 tempujve në vendndodhje të ndryshme anembanë Europës:
- Vjenë, Austri
- Budapest, Hungari
- Bruksel, Belgjikë
- Hamburg, Gjermani
- Dublin, Irlandë
- Milano, Itali
- Oslo, Norvegji
- Porto, Portugali
- Edinburg, Skoci
- Barcelonë, Spanjë
- Birmingam, Mbretëri e Bashkuar
Për tre prej këtyre, Tempulli i Brukselit në Belgjikë, i Budapestit në Hungari dhe i Birmingamit në Angli, ka filluar ndërtimi.
Përpos frekuentimit të tempullit për rritje vetjake shpirtërore, shenjtorët e ditëve të mëvonshme shërbejnë si vullnetarë. Ata mirëpresin vizitorë dhe u japin ndihmë atyre që i frekuentojnë shërbesat.
Vizita e Plakut Kosé në Tempullin e Parisit tregon rëndësinë e shtëpisë së Zotit në dëshminë e tij dhe në atë të anëtarëve të saj. Me rritjen e rëndësishme të Kishës anembanë botës, përfshirë Europën, ndërtimi i tempujve po përshpejtohet.