Mesazh i Udhëheqjes Zonale

Mrekullia e Ringjalljes

Po të mos ishte për ringjalljen e Shpëtimtarit, plani i shpëtimit nuk mund të realizohej

Ohne die Auferstehung von Jesus Christus könnte der Plan der Erlösung nicht ausgeführt werden
Der auferstandene Jesus erscheint seinen Jüngern und Jüngerinnen.

Kur isha 7 vjeç, e pashë familjen tonë që të humbiste tragjikisht vëllanë tim më të vogël, që ishte vetëm gjashtë vjeç. Ishte një kohë shumë e vështirë për prindërit e mi; dhembja e humbjes së një djali kaq të vogël në moshë ishte shumë e madhe për ta dhe ndoshta shumë e padrejtë. Në vend që t’ia hidhnin fajin dikujt ose diçkaje, unë i pashë prindërit e mi të kërkonin ngushëllim tek ungjilli dhe te Shpëtimtari. Kjo i ndihmoi ta zhvillonin dhe rritnin besimin e tyre te Krishti dhe shpresën që një ditë mund ta shihnin djalin e tyre të dashur përsëri. Ai besim dhe ajo shpresë që ata zhvilluan përgjatë viteve, i ndihmuan ta duronin me kurajë humbjen e djalit të tyre. Tempulli ishte për ta njëri nga çelësat që të arrinin kuptueshmëri dhe forcë të mjaftueshme për t’i bërë ballë kësaj ndarjeje të vështirë fizike. Ngaqë i kishin marrë ordinancat e shenjta të tempullit shumë vite më parë, këto besëlidhje u dhanë shpresë se një ditë ata mund të ngriheshin sërish si prindër e fëmijë.

Kjo shpresë, që të gjithë ne e kërkojmë kur humbasim dikë që e duam, vjen nëpërmjet ringjalljes së Shpëtimtarit Jezu Krisht. Falë asaj dhurate, ne mund të shpresojmë se një ditë do t’i shohim përsëri ata që janë larguar nga kjo jetë.

Ringjallja është një nga dhuratat më të mëdha që kemi marrë nga Ati ynë Qiellor. A jemi të vetëdijshëm për këtë dhuratë të shkëlqyer? A besojmë vërtet se do të ndodhë?

Plaku Saulo G. Franko, Spanjë
Plaku Saulo G. Franko, Spanjë I Shtatëdhjetë Zonal

Profeti Jozef Smith shpalli:

“Parimet themelore të besimit tonë janë dëshmia e Apostujve dhe e Profetëve në lidhje me Jezu Krishtin: që Ai vdiq, u varros, u ngrit sërish ditën e tretë dhe u ngjit në qiell; dhe gjithë gjërat e tjera që i përkasin besimit tonë janë vetëm shtojca të kësaj”1.

Po të mos ishte për ringjalljen e Shpëtimtarit, plani i shpëtimit nuk mund të realizohej, shlyerja nuk do ta kishte plotësuar qëllimin e saj dhe e tërë raca njerëzore do të kishte humbur dhe do të ishte pa shpresë. Apostulli Pal u dha mësim korintasve: “Por në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, predikimi ynë është i kotë dhe i kotë është edhe besimi juaj”2. Ringjallja është njëra nga doktrinat kyç të fesë sonë dhe të krishterimit. Është thelbësore për të arritur jetën e përjetshme. Kur e rritim besimin tonë te Krishti, rriten dëshmia dhe kuptueshmëria jonë për ringjalljen, rritet shpresa jonë, aftësia jonë për të duruar fatkeqësinë, sfidat e jetës dhe të gjitha sprovat të cilave po u nënshtrohemi dhe do t’u nënshtrohemi.

Falë ringjalljes, ne kemi shpresën se do të jetojmë sërish dhe do të takohemi përsëri, pavarësisht nga papërsosmëritë fizike që mund të kemi pasur në këtë jetë. Ringjallja është një dhuratë e dhënë lirisht, është pa kushte dhe gjen zbatim për të gjithë ata që kanë jetuar, për të gjithë ata që po jetojnë dhe ata që ende do të jetojnë.

Shpëtimtari dha mësim se ka siguri në një jetë pas kësaj jete. Ai tha: “Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë”3.

Në një botë kaq të pështjelluar dhe të pasigurt si ajo në të cilën jetojmë sot, ne mund të gjejmë shpresë se gjithçka do të jetë më mirë. Jam i sigurt se kohë më të mira do të vijnë dhe ringjallja është doktrina që na e sjell këtë shpresë. Nëse e përqendrojmë jetën tonë te Shpëtimtari, gjithçka do të ketë kuptim, madje edhe nëse duket e humbur për njëfarë kohe. Ky është njëri nga bekimet më të mëdha që Ati ynë Qiellor na ka dhënë, se Biri i Tij ka vdekur për ne që të na japë jetë sërish.

E di se një ditë familja ime dhe unë do të takohemi përsëri me vëllanë tim më të vogël, në atë çast të ringjalljes. Unë gjithashtu e di se, nëse jemi besnikë, ne mund të jemi së bashku si familje e përjetshme. E di se Krishti është ringjallur dhe jeton! E di nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë se kjo është e vërtetë. Dhurata e ringjalljes nuk është vetëm një dhuratë e shkëlqyer, por është dashuria që Perëndia ka për ne.

1 History of the Church, 3:30; nga një kryeartikull i botuar në Elders’ Journal, korrik 1838, f. 44; Jozef Smithi ishte botuesi i periodikut.

2 1 Korintasve 15:14

3 Gjoni 11:25