Mrekulli nga Jeta e Jezu Krishtit

Pesë Mrekulli që Dëshmojnë se Jezusi Është Biri i Perëndisë

Jesus Helping a Man
Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme janë të krishterë, kështu që ata e adhurojnë Jezu Krishtin. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se, për shkak të Jezu Krishtit, mrekullitë mund të ndodhin ende sot, ashtu siç ndodhën në kohët biblike.

A Janë të Krishterë Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme?

Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e adhurojnë Jezu Krishtin si Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin e tyre. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme janë të krishterë dhe besojnë se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë gjithashtu se Bibla tregon për jetën dhe shërbesën e Jezu Krishtit në tokë, përfshirë mrekullitë e shumta që Ai kreu. Leximi rreth mrekullive të Jezu Krishtit mund të na ndihmojë të mësojmë më shumë rreth Tij. Këtu janë vetëm disa prej atyre mrekullive.

bible-pictures

1. Jezusi Shëron një Grua me “Fluks Gjaku”

Si të krishterë, shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se, meqë Jezusi ishte Biri i Perëndisë, Ai kishte fuqi për të shëruar. Marku 5:25–34 përshkruan një grua që kishte vuajtur nga një “fluks gjaku” për 12 vite. Ajo kishte shkuar te shumë mjekë, por gjendja e saj vazhdonte të përkeqësohej. Megjithatë, kur e preku me besim rrobën e Jezusit, ajo u shërua “menjëherë” ose në çast. Ky rrëfim dëshmon për dhembshurinë e Jezusit dhe për fuqinë e Tij që të na shërojë kur ne kemi besim në Të, edhe kur nuk kemi mundur të gjejmë lehtësim nga burime të tjera.

Jesus-healing-blind-man

2. Jezusi Shëron një Njeri të Lindur të Verbër.

Gjoni 9:1–11 shënon mrekullinë e Jezusit që shëron një burrë që kishte lindur i verbër. Burri i shëruar, dëshmoi: “Një njeri, që quhet Jezus, ka bërë baltë, m’i leu sytë dhe më tha: ‘Shko te pellgu i Siloamit dhe lahu’. Dhe unë shkova atje, u lava dhe m’u kthye drita e syve” (Gjoni 9:11). Si të krishterë, shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se ashtu si Jezu Krishti e shëroi burrin në këtë rrëfim nga verbëria fizike, ashtu Ai mund të na kurojë nga verbëria shpirtërore që vjen nga përqendrimi së tepërmi në gjërat e kësaj bote. Përveç kësaj, megjithëse kjo mrekulli u krye me anë të fuqisë së Perëndisë, Jezusi prapëseprapë i kërkoi burrit që të vepronte me besim përpara se të mund të shihte. Ne po ashtu duhet të veprojmë shpesh me besim për t’i parë mrekullitë në jetën tonë.

Jesus-feeding-5000

3. Jezusi i Ushqen të 5 000 Njerëzit

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë në rrëfimin e mrekullueshëm të Biblës kur Jezusi ushqeu 5 000 njerëz me vetëm pesë bukë e dy peshq (shih Mateu 14:15–21). Megjithatë, më e rëndësishme se fuqia mrekullibërëse e Jezusit për t’i ushqyer njerëzit fizikisht, është aftësia e Tij për të na ushqyer shpirtërisht. Jezusi dëshmoi se Ai është “buka e jetës” (shih Gjoni 6:33–35). Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se kjo do të thotë që vetëm nëpërmjet ndjekjes së Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë, ne mund të gjejmë ushqimin shpirtëror që na nevojitet për të fituar jetën e përjetshme.

 

Jesus-calms-the-sea

4. Jezusi Qetëson një Stuhi në Detin e Galilesë

Lluka 8:22–25 shënon një rast kur Jezusi po lundronte në detin e Galilesë me dishepujt e Tij. U ngrit një stuhi dhe dishepujt patën frikë se do të vdisnin. Por Jezusi “u zgjua, i bërtiti erës dhe tërbimit të ujit; dhe këto u qetësuan dhe u bë bunacë” (Lluka 8:24). Këto vargje na ndihmojnë të kuptojmë fuqinë e Jezusit mbi elementet, por ato mund të na ndihmojnë të kuptojmë gjithashtu aftësinë e Tij për t’i qetësuar stuhitë në jetën tonë – pavarësisht nëse ato stuhi janë stuhi shpirtërore, fizike, emocionale ose madje financiare.

Empty-Tomb

5. Jezusi Ringjallet nga të Vdekurit

Ndoshta mrekullia më e madhe në të gjithë historinë njerëzore është Ringjallja e Jezu Krishtit nga të vdekurit (shih Mateu 28:1–7). Si biri i të dyve, i Perëndisë edhe i një gruaje të vdekshme, Maries, Jezu Krishti ishte i vetmi njeri që ka jetuar ndonjëherë, i cili kishte edhe aftësinë për të vdekur, edhe fuqinë për ta marrë trupin e Tij sërish (shih Të Vërtetë ndaj Besimit [2005], f. 165). Ashtu si të krishterët e tjerë, shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë që, për shkak se Jezu Krishti ngadhënjeu mbi vdekjen, ju, familja juaj dhe çdokush që ka jetuar ndonjëherë në tokë, një ditë do të ringjallet.

Mësoni se në ç’Mënyrë Mund t’Ju Ndihmojë Besimi në Jezu Krisht  

Ashtu si Jezu Krishti i ndihmoi dhe i shëroi njerëzit ndërkohë që jetoi në tokë, Ai mund t’ju ndihmojë dhe shërojë ju sot. Ai dëshiron që ju të vini tek Ai. Për të zbuluar më shumë rreth mënyrës se si mund ta bekojë jetën tuaj besimi në Jezu Krisht, vizitoni ejanitekrishti.org.

 

Jesus-resurrected-