Motra Iubank Diskuton për Rolin e

Besimit në Kohë Fatkeqësish 

Eubank G20

“Latter-Day Saint Charities [Organizata Bamirëse e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme](LDSC) dha përgjigjen më të madhe në historinë e saj 35 vjeçare ndaj COVID 19 dhe krizës për ushqim që e shoqëroi”, tha Motra Sheron Iubank, presidente e krahut humanitar të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, gjatë seancës plenare përmbyllëse të Forumit Ndërfetar të G20-ës, të organizuar nga Mbretëria e Arabisë Saudite.

Deri tani këtë vit, ka pasur 895 projekte në 150 vende. Numrat u publikuan nga Presidenti i Kishës, Rasëll M. Nelson, gjatë konferencës së përgjithshme të tetorit.

Motra Iubank, e cila është gjithashtu këshilltare e parë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës të Kishës, mori pjesë në seancën plenare nga shtëpia e saj në Jutë për shkak të pandemisë, të shtunën, më 17 tetor 2020.

Tema e ngjarjes virtuale, të mbajtur ditën e fundit të forumit, ishte “angazhimi i rrjeteve të besimit për zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë”.

Motra Iubank raportoi se shifrat e fundit nga Kombet e Bashkuara tregojnë se 265 milionë njerëz tani po përballen me pasiguri akute për ushqim për shkak të një infektimi të rëndë nga karkalecat në fund të vitit të kaluar, fillimit të shpejtë të recesionit global nga COVID 19 dhe masat për siguri publike të marra për të parandaluar përhapjen e virusit.

“Kjo është thuajse dyfishi i saj që ishte vitin e kaluar”, deklaroi ajo. “Pa qenë tepër alarmistë, nëse nuk e trajtojmë këtë krizë në një mënyrë të bashkërenduar, ajo parashikohet të shtohet aq sa të jetë midis periudhave me zi buke më të këqija në historinë njerëzore.”

Organizatorët e ngjarjes thanë se organizatat fetare kanë ndihmuar për të ruajtur dinjitetin njerëzor, kanë ngritur moralin dhe kanë ndërtuar bashkëpjesëmarrje me autoritetet vendore për ta trajtuar pandeminë.

“Thuajse pa përjashtim, çdo projekt mbështetet në marrëdhënie të besuara me qeveritë, komunitetet dhe besime të tjera”, tha Motra Iubank gjatë fjalimit të saj ndërsa merrte pjesë në diskutimin me grupin e pjesëmarrësve. “Këto marrëdhënie janë zhvilluar gjatë një periudhe të gjatë kohore.”

Kur zinxhiri i furnizimit u ndërpre gjatë pandemisë, Motra Iubank tha se LDSC ja [OBSHDM] si dhe qytetarët përkrahës, studentët e kolegjeve dhe të tjerë, blenë qumësht, patate dhe produkte të tjera të papërpunuara që po hidheshin nga fermerët sepse shkollat dhe restorantet nuk po i blinin ato mallra.

“LDSC ja [OBSHDM] bleu tonelata me patate dhe i dërgoi në magazinat e ushqimeve në të gjithë vendin”, tha ajo. “Patatet dhe qumështi i tepërt u dehidratuan për transport në vende të tjera. Rrjeti i vjetër ishte krijues, bashkëpjesëmarrja e re ishte e shkathët dhe funksionoi.”

Motra Iubank tha se fondet e dhuruara nga njerëzit që morën pjesë në një agjërim mbarëbotëror, të njoftuar në prill nga Presidenti Nelson, “lehtësuan qindra mijëra vakte ushqimi për njerëzit e uritur”.

Përfundimisht, ajo sugjeroi që politikëbërësit t’i përfshijnë udhëheqësit e besimeve në përpjekjet vendore për t’u përgatitur për urgjencat.

“Besimi është po aq thelbësor sa ushqimi”, përfundoi ajo.

“Besimi është po aq thelbësor sa ushqimi.” – Motra Sheron Iubank

Pjesëmarrës të tjerë të forumit përfshinin moderatoren Dr. Thoraja Ahmed Obaidi, ish anëtare e Këshillit Shura në Mbretërinë e Arabisë Saudite dhe ish drejtore ekzekutive e Fondit të Popullsisë së Kombeve të Bashkuara (UNFPA); Dr. Amal Al Habdan, zëvendësrektore për mbështetjen akademike dhe shërbimet studentore në Universitetin Princesha Nurah Bint Abdulrahman; Dr. Bandar M. H. Haxharin, president i Grupit të Bankës Islamike për Zhvillim; Andrju Morlein, president dhe shef ekzekutiv i World Vision International; Baroneshën Ema Nikolson e Uinterburnit, Dhoma e Lordëve, MB; dhe Fadlullah Uilmotin, përgjegjës i programit rajonal për Ndihmën Islamike në Lindjen e Mesme dhe Afrikë.