Koliçan, Maqedonia e Veriut

Misionarët nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme mobilizojnë një fshat

Duke punuar me familjet vendore, misionarët vendosën të ndihmonin për të sjellë një ndryshim për fëmijët në atë shkollë.

Në fotografi me një nxënëse që interpretoi, Plaku dhe Motra Stringam, misionarë nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, nderohen në kremtimin e restaurimit të shkollës në Koliçan.
Në fotografi me një nxënëse që interpretoi, Plaku dhe Motra Stringam, misionarë nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, nderohen në kremtimin e restaurimit të shkollës në Koliçan.

Lart në kodrat e Ballkanit, mbi qytetin e Shkupit, ndodhet një fshat i vogël që quhet Koliçan. Prej vitit 1940, fëmijët nga ai fshat ndjekin një shkollë të vogël fillore atje. Gjashtë klasat ngroheshin nga soba individuale me dru, që ndizeshin çdo mëngjes nga kujdestari i shkollës. Me kalimin e kohës, muret dhe tavanet qenë errësuar nga bloza dhe çdo ditë ajri nëpër klasa mbushej me tym. 

Struktura e shkollës gjithashtu kishte pësuar të çara të rrezikshme në themelin e saj. Suvaja në mure, si nga brenda dhe jashtë, qe dëmtuar dhe po binte. Nevojitej një punë e madhe për ta bërë shkollën të sigurt për fëmijët që vinin çdo ditë për të mësuar.

Plaku dhe Motra Stringam, misionarë nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, vunë re situatën e papërshtatshme dhe shkuan të takonin drejtorin e shkollës, duke e pyetur se çfarë do të donte ai që të kryhej aty. Me përulësi, ai kërkoi: “A mund të na ndihmoni t’i lyejmë klasat që të heqim njollat e tymit?” Misionarët u përgjigjën: “Mendojmë se këtë gjë mund ta bëjmë, por a nuk do të ishte më mirë që t’i zëvendësonim edhe sobat e vjetra të drurit?”  

Me shpresë në fytyrë, ai pyeti: “Do ta bënit?”

Pastaj, duke parë nga dritarja e një klase, misionarët vunë re një strehë të vogël teposhtë kodrës dhe e pyetën a ishte ajo godina e tualeteve për shkollën. Ata përshkuan një shteg me baltë për të parë gjendjen e tualeteve, dy vrima në tokë pa ujë të rrjedhshëm për të larë duart.

Duke punuar me familjet vendore, misionarët vendosën të ndihmonin për të sjellë një ndryshim për fëmijët në atë shkollë. Ajo që nisi si një projekt i vogël me ca lyerje dhe sisteme të reja ngrohjeje, u kthye në një mrekulli për fshatin.

Familjet e fëmijëve filluan të vinin dhe të ndihmonin. Kur kryetari i bashkisë mësoi se çfarë po ndodhte në shkollë, ai gjeti fonde shtesë nga bashkia për të ndihmuar për projektet e nevojshme. Ai dhe i gjithë fshati u përfshinë për ta bërë shkollën e tyre një vend të sigurt dhe të lumtur ku fëmijët të mësojnë.

Me dhurime nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, misionarët i zëvendësuan sobat me dru me një sistem ngrohjeje dhe ftohjeje, me pajisje që vendosen në mure, dhe lyen klasat. 

Më pas, ata shkuan të merreshin me banjat e reja. Punëtorët vendorë të ndërtimit erdhën për të ndihmuar, duke dhuruar kohë, punë fizike dhe materiale. Dhoma e vjetër në shkollë, ku mbaheshin drutë, u kthye në banjë me ujë të rrjedhshëm dhe tualete të mirëfillta. Riparime betoni u bënë te shkallët, trotuaret dhe kolonat. E gjithë shkolla u suvatua sërish dhe u lye fasada e jashtme. Muret rrethues u riparuan dhe u ndërtua një bordurë mbajtëse prej betoni, në mënyrë që terreni i pjerrët të mund të sheshohej, duke e bërë një vend të sigurt për të luajtur.

Një nxënës i klasës së gjashtë tha se ai dhuroi paratë e ditëlindjes për të ndihmuar që të rregullohej shkolla. Dhurimet bujare në kohë, punë fizike, materiale, ushqime dhe gjithçka që kishin për të ofruar, i tejkaluan të gjitha pritshmëritë. 

Udhëheqësit e fshatit dhe miq kremtojnë përfundimin e restaurimit të shkollës në Koliçan.
Udhëheqësit e fshatit dhe miq kremtojnë përfundimin e restaurimit të shkollës në Koliçan.

Gjithsecili në fshat erdhi për të kremtuar rihapjen e madhe të shkollës. Imami nga xhamia aty afër i shtoi bekimin e tij. Fëmijët kënduan dhe vallëzuan ndërsa një muzikant luajti në çifteli, një vegël muzikore tradicionale me dy tela, dhe u mbajtën fjalime mirënjohjeje.

Ndërsa foli për bashkëqytetarët e tij, kryetari i bashkisë tha: “Sot ne duam të tregojmë se një e mirë e tillë përmbushet vetëm kur ne punojmë së bashku pa interes vetjak për një qëllim paqësor. Kjo ditë do të mbahet mend në historinë e kësaj shkolle.” Ai falënderoi misionarët dhe Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme për ndihmesat e tyre.

Paskëtaj, teksa misionarët u takuan me organizatat vendore që ndihmuan për këtë projekt të shkollës, ata mësuan se vlera e financimeve shtesë dhe puna fizike e dhuruar ishte më shumë se dyfishi i asaj që kishte kontribuuar Kisha.

Fëmijë të lumtur të shkollës mblidhen përpara shkollës së tyre të restauruar rishtas.
Fëmijë të lumtur të shkollës mblidhen përpara shkollës së tyre të restauruar rishtas.