Jeta jonë do të mbushet me ndikimin e Frymës së Shenjtë kur të jemi të përqendruar më shumë e më mirë te Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Kjo do të ndodhë kur të gjejmë kohë për ta studiuar jetën e Tij, për t’u njohur me doktrinën e Tij dhe për të bërë vërtet atë që bëri Ai, duke zhvilluar cilësi si të Krishtit gjatë gjithë jetës sonë.
Ka disa tregime dhe përshkrime të ndryshme për ngjarjen kur buka dhe peshqit iu dhanë turmës dhe njerëzit u ushqyen. Më pëlqen veçanërisht kjo histori, siç përshkruhet në librin e Gjonit, kapitulli 6:5–14. Kishte mbi 5 000 njerëz dhe 5 bukë elbi dhe 2 peshq ia dhanë Shpëtimtarit. Ai falënderoi për atë që kishin, e bekoi ushqimin dhe dishepujt e Tij ia kaluan dorë më dorë të gjithëve dhe “ata u ngopën” [1]. Midis katër autorëve të ndryshëm që e përshkruajnë ngjarjen, vetëm nga Gjoni mësojmë se Shpëtimtari “fal[ë]nderoi” [2] për atë që kishin, edhe pse nuk kishin shumë për turmën. Ai kishte vetëm 5 bukë elbi dhe 2 peshq, por u bënë që të dilnin e të mjaftonin për t’u ngopur të gjithë. Për mua, ai është një shembull i mrekullueshëm i asaj që mund të ndodhë në jetën tonë kur jemi mirënjohës, kur falënderojmë për atë që kemi. Mund të mos kemi shumë, por kur jemi mirënjohës për atë që kemi, ajo do të na dalë e mjaftojë për nevojat tona. Mirënjohja është një cilësi e shkëlqyer dhe themelore, e ngjashme me të Krishtit, të cilën nevojitet ta zhvillojmë për të pasur më shumë gëzim në jetën tonë dhe për të qenë në gjendje ta shohim më shpesh dorën e Zotit.
Presidenti Nelson dha mësim sa vijon kur foli për fuqinë shëruese të mirënjohjes:
“Ne të gjithë mund të japim falënderime për bukuritë e tokës dhe madhështinë e qiejve që na japin një pasqyrim të pafundësisë së përjetësisë. Mund të japim falënderime për dhuratën e jetës, për trupat e mendjet tona të mrekullueshme, që na lejojnë të rritemi dhe të mësojmë.
Mund të japim falënderime për artin, letërsinë e muzikën që na i ushqejnë shpirtrat.
Mund të japim falënderime për mundësinë [që kemi] që të pendohemi, ta fillojmë sërish, të korrigjohemi e ndërtojmë karakterin.
Mund të japim falënderime për familjet, miqtë dhe njerëzit tanë të dashur.
Mund të japim falënderime për mundësinë që të ndihmojmë, ta duam dhe t’i shërbejmë njëri tjetrit, gjë që e bën jetën akoma më shumë domethënëse.
Ne madje mund të japim falënderime për sprovat tona, nga të cilat mësojmë gjëra që ndryshe nuk do t’i dinim.
Mbi të gjitha, ne mund t’i japim falënderime Perëndisë, Atit të shpirtrave tanë, gjë që na bën të gjithëve vëllezër e motra – një familje të madhe botërore.” [3]
Unë me të vërtetë besoj se Zoti i do njerëzit mirënjohës dhe ne do të jemi edhe më të bekuar me atë që na nevojitet, ngaqë ne jemi mirënjohës, ngaqë ne e dimë dhe e njohim burimin e të gjitha bekimeve që kemi.
Dua ta përfundoj me fjalët e Almës, kur i dha mësim popullit të tij: “Dhe ai i urdhëroi ata të respektonin ditën e shabatit dhe ta mbanin të shenjtë dhe gjithashtu çdo ditë duhej t’i jepnin falënderime Zotit, Perëndisë së tyre”[4]. Jemi të ftuar t’i japim falënderime Zotit individualisht dhe si familje. Jeta jonë do të ndryshojë ndërsa përqendrohemi çdo ditë te bekimet që marrim nga Zoti, duke e parë dorën e Tij në jetën tonë dhe duke shprehur mirënjohjen tonë për to në lutjet tona në fund të çdo dite. Libri i Mormonit është plot e përplot me dëshmi që njerëzit mirënjohës janë njerëz të gëzuar.
Unë jam mirënjohës për Atin tonë të dashur Qiellor dhe Birin e Tij, Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin tonë Jezu Krishtin, dhe udhërrëfimin drejtues të Frymës së Shenjtë, dhe unë dëshmoj se Ata janë realë.