Para se të thirresha si I Shtatëdhjetë Zonal, u përballa me një nga fazat më sfiduese të rrugëtimit të besimit tim. Vështirësitë financiare e bënë të pamundur blerjen e ushqimeve, duke na shtyrë t’i shitnim të gjitha zotërimet tona. Ishte veçanërisht prekëse të isha dëshmitar i ndarjes së bashkëshortes sime nga objekte përkujtuese të çmuara nga gjyshja dhe nëna e saj. Meqë makina jonë nuk kishte karburant, po ecja nëpër qytetin tonë në kërkim të një dyqani ku lihen sende peng.
Ndërsa ecja, m’u kujtua një bisedë me një mik shumë të mirë që po kalonte sfidat e tij të thella. Në përpjekjen time për të ndihmuar, e këshillova të kultivonte mirënjohje. Përgjigjja e tij më preku në zemër: “Që unë të jem mirënjohës, më duhet të mendoj për dikë që po kalon vështirësi më të këqija se unë! Është shumë e vështirë të gjesh dikë të tillë.” E gjeta veten te ndjenjat e tij, duke u ndier emocionalisht i ngecur mes vuajtjeve të bashkëshortes sime dhe trishtimit të fëmijëve të mi, pavarësisht faktit se e kam vendosur besimin tim te Shpëtimtari. Ai më ka thënë: “Ti më përket mua”[1]. Ai më kishte zgjedhur me premtimet e Tij për të më bërë një “thesar [të] tij [të] veçantë”[2] dhe për “të [më] lartës[uar] mbi të gjitha kombet që ai ka bërë”[3]. I kisha mbajtur besnikërisht praktikat e së dhjetës, agjërimit, lutjes dhe adhurimit në tempull. “Pragjet e qiellit”[4] të premtuara mbetën të mbyllura dhe u ndjeva i braktisur.
Në çastet e hidhërimit të shtuar, përvetësova praktikën e shtrimit të dy pyetjeve themelore për hyjnoren: “O Zot, çfarë do që të bëj? Çfarë do që të mësoj?” Pothuajse menjëherë, m’u shfaq një mendim: “Dhe ndodhi që ai ndërtoi një altar prej gurësh dhe i bëri një flijim Zotit, dhe i dha falënderime Zotit, Perëndisë sonë”[5]. Kjo nxiti meditim për gjendjen e vështirë të Lehit, i cili, jo për faj të tij, u detyrua ta braktiste shtëpinë, duke i lënë pas zotërimet, përfshirë “shtëpinë e tij dhe tokën e trashëgimit dhe arin e tij, dhe argjendin e tij, dhe gjërat e tij të çmueshme dhe nuk mori asgjë me vete”[6]. Pasi e kishte kaluar gjithë jetën në Jerusalem, duke lënë pas ëndrrat e gjithë jetës dhe frytet e mundit të tij, Lehi u përball me një sfidë në dukje të pakapërcyeshme. Megjithatë, mirënjohja ishte parimi me të cilin ai jetoi dhe kërkoi shpëtim. “Të mëdha dhe të mrekullueshme janë veprat e tua, O Zot, Perëndi i Plotfuqishëm!”[7]
Për Lehin, mirënjohja nuk kushtëzohej nga rrethanat; ishte një vendim me një përqendrim të veçantë: Jezu Krishtin. Kështu që, plot mirënjohje unë zbulova: “Në rast se ngjitem në qiell, ti je atje; në rast se shtrij shtratin tim në Sheol, ti je edhe aty”[8]. Mes sprovave të mia, e përvetësova praktikën e ndërtimit të altarëve të mirënjohjes çdo ditë nëpërmjet lutjes. Synimi im ishte të isha mirënjohës pa krahasim, pritshmëri ose varësi nga rrethanat e jashtme – një ndryshim i thellë i këndvështrimit.
Në fillim të çdo lutjeje, qëllimisht i drejtova mendimet e mia drejt jetës dhe misionit të Shpëtimtarit tim. Procesi ishte shndërrues. Sa më me zell të shprehja mirënjohje, aq më shumë Shpirti jepte dëshmi për të vërtetat e mëshirës dhe të hirit. Nëpërmjet kësaj praktike, fitova një dëshmi të “qëllimi[t të] këtij flijimi të fundit”[9] të Shpëtimtarit tim dhe se “zemra [e Tij] është e mbushur me dhembshuri për [ne]”[10].
Ai më njihte në mënyrë të përsosur në zemrën e Tij të mëshirës. Ndërsa mirënjohja ime u shpreh, besimi im u thellua dhe shpirti im u gëzua. Arrita të kuptoja se këta altarë të përditshëm të mirënjohjes po i shtronin udhën “fronit të hirit”[11]. U bekuam si materialisht, ashtu edhe shpirtërisht në ditët që pasuan. Por, për çdo gjë që kam kaluar, nuk do të doja të ndërroja vendet me asnjë mbret. Sprovat e mia më shtynë të afrohesha dhe ta njihja Shpëtimtarin tim Jezu Krishtin. Ai jeton!
[1] Isaia 43:1
[2] Ligji i Përtërirë 7:6
[3] Ligji i Përtërirë 26:19
[4] Malakia 3:10
[5] 1 Nefi 2:7
[6] 1 Nefi 2:4
[7] 1 Nefi 1:14
[8] Psalmeve 139:8
[9] Alma 34:15
[10] 3 Nefi 17:6, 7
[11] Hebrenjve 4:16