Mësoni për Pagëzimin e Jezu Krishtit

Pikërisht ashtu si u pagëzua Jezu Krishti, ne të gjithë duhet të pagëzohemi që të kthehemi e të jetojmë me Perëndinë një ditë. Mësoni më shumë mbi rrëfimin biblik të pagëzimit të Jezusit dhe mbi mënyrën se si mund ta ndjekim shembullin e Tij.

Jezu Krishti u Pagëzua: Lexoni se Çfarë na Thotë Bibla

Përse u pagëzua Jezu Krishti?

Kur Jezu Krishti ishte në tokë, Ai dha mësim nëpërmjet shembullit që ne të gjithë duhet të pagëzohemi. Disa njerëz mund ta pyetin veten nëse pagëzimi është ende i rëndësishëm në kohët moderne. Nëpërmjet rrëfimit biblik mbi pagëzimin e Jezu Krishtit, ne mësojmë se pagëzimi është një pjesë thelbësore e planit të Atit tonë të dashur Qiellor për të gjithë fëmijët e Tij.

Jezu Krishti ishte i vetmi njeri i përsosur që jetoi ndonjëherë në tokë (shih Të Vërtetë ndaj Besimit [2005], f. 64‑66). Ai nuk kreu kurrë mëkat. Jezusi jetoi një jetë të përsosur për të na treguar se si të jetojmë në mënyrë që të mund të kthehemi tek Ati ynë Qiellor pasi të vdesim. Edhe pse nuk kishte mëkate për të cilat të merrte falje, Jezu Krishti zgjodhi të pagëzohej për të dhënë një shembull të përkryer që ne ta ndjekim (shih Mateu 3:13–15).

Çfarë ndodhi në pagëzimin e Jezu Krishtit?

Bibla na mëson se Jezusi u pagëzua nga kushëriri i Tij, Gjon Pagëzori (shih Mateu 3:13). Perëndia i dha Gjonit fuqi dhe autoritet të veçantë për të pagëzuar (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Gjon Pagëzori”, scriptures.lds.org). Ne e quajmë priftëria këtë fuqi dhe autoritet për të pagëzuar. Sot, e vetmja Kishë që ka të njëjtin autoritet për të pagëzuar ashtu siç e pati Gjoni, është Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (për të mësuar më shumë mbi Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, vizitoni ejanitekrishti.org).

Jesus' baptism
Jezu Krishti u pagëzua mbi 2 000 vite më parë, por pagëzimi është po aq me vend për njerëzit që janë gjallë sot

Gjatë pagëzimit të Jezu Krishtit në lumin Jordan (shih Marku 1:9), Perëndia, Ati, foli nga qielli. Perëndia tha se Ai ishte “[shumë] i kënaqur” me Jezusin (shih Mateu 3:17). Perëndia kënaqet edhe me ne kur zgjedhim të pagëzohemi sepse, kur pagëzohemi, ne e tregojmë me anë të veprimeve tona se ne e duam Atë dhe dëshirojmë ta ndjekim Jezu Krishtin.

Shpirti i Shenjtë ishte gjithashtu i pranishëm në pagëzimin e Jezu Krishtit (shih Mateu 3:16). Kur pagëzohemi, edhe neve mund të na jepet dhurata e Frymës së Shenjtë. Kjo dhuratë e veçantë e lejon Frymën e Shenjtë që të na udhërrëfejë e të na ndihmojë. Ajo na lejon gjithashtu që të ndiejmë më shumë nga dashuria e Perëndisë në jetën tonë. Nëse zgjedhim të pagëzohemi dhe të jetojmë me drejtësi, Fryma e Shenjtë mund të jetë gjithmonë i pranishëm në jetën tonë.

Gjatë pagëzimit të Jezu Krishtit, Gjoni e zhyti plotësisht në ujë Jezusin. Ky lloj pagëzimi quhet pagëzim me zhytje. Ne mund të pagëzohemi me zhytje pikërisht ashtu si Jezusi. Të qenit plotësisht i zhytur në ujë përfaqëson faljen e plotë të mëkatit, e cila vjen kur pagëzohemi. Të “varrosesh” në ujë dhe pastaj të ngrihesh gjithashtu përfaqëson jetën e re që na jepet teksa zgjedhim të ndjekim Jezu Krishtin, dhe bindjen tonë se një ditë ne do të ngrihemi nga varri për shkak të Tij (shih Romakëve 6:1–4). (Për të parë një material filmik mbi pagëzimin me zhytje të Jezu Krishtit, klikoni këtu.)

Përse ka rëndësi për ju pagëzimi i Jezu Krishtit?

Secili prej nesh duhet të pagëzohet që të kthehet e të jetojë me Perëndinë ndonjë ditë. Për të mësuar më shumë mbi jetën e Jezu Krishtit dhe mbi mënyrën se si ju mund të pagëzoheni, vizitoni ejanitekrishti.org.