Mesazhi për Pashkën për Vitin 2025 nga Presidenca e Parë

“Ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona … dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar”

Jesus with outstretched arms

Presidenca e Parë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme – Presidenti Rasëll M. Nelson, Presidenti Dallin H. Ouks dhe Presidenti Henri B. Ajring – ka nxjerrë mesazhin në vijim për Pashkën:

Gjatë kësaj periudhe të gëzueshme Pashke, ne bashkohemi me ndjekësit besnikë të Shpëtimtarit për të kremtuar Ringjalljen e Zotit tonë, Jezu Krishtit. Ringjallja është një dhuratë për të gjithë fëmijët e Atit Qiellor që kanë jetuar ndonjëherë në këtë tokë.

Ne dëshmojmë se Jezu Krishti u jep çlodhje atyre që janë “të rënduar” (Mateu 11:28). Ai e di “se si t[a] ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre” (Alma 7:12) sepse i mori mbi vete dhembjet dhe mëkatet tona. “Ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona … dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar” (Isaia 53:4–5).

Ata që ushtrojnë besim tek Ai, që i zbatojnë urdhërimet e Tij dhe marrin ordinancat shpëtuese dhe ekzaltuese, “duhet të ken[ë] shpresë nëpërmjet shlyerjes së Krishtit dhe fuqisë së ringjalljes së tij, që të ngrihen në jetën e përjetshme” (Moroni 7:41).

Ne i ftojmë të gjithë të vijnë te Jezusi “që të kenë jetë e ta kenë me bollëk” (Gjoni 10:10). Lidhja e vetes me Të, nëpërmjet bërjes dhe mbajtjes së besëlidhjeve, e pasuron jetën tonë tani dhe në përjetësi. Gjetshi shpresë, shërim dhe lumturi ndërsa i afroheni më shumë Shpëtimtarit të botës këtë periudhë Pashke!

Rasëll M. Nelson
Dallin H. Ouks
Henri B. Ajring

Presidenca e Parë