Dhuratat e Krishtlindjes

Plaku Geri B. Sebin,  Këshilltar i Parë, Presidenca e Zonës së Europës
Plaku Geri B. Sebin Këshilltar i Parë, Presidenca e Zonës së Europës

Kur motra Sebin dhe unë ishim studentë të sapomartuar, morëm me qira një apartament të vogël në një baxhë, në Provo të Jutës. Në mënyrë të pabesueshme, pjesë e marrëveshjes qiradhënëse ishte se qenushja e vogël e pronarit, Helga, përfshihej me apartamentin. Dukej se zotërimi ynë kryesor, në atë çast të jetës, ishte një qen i marrë hua! Megjithatë, vura re mirë se bashkëshortja ime, Valeria, kishte varur në mur me kujdes një pllakëz me fjalët e Ralf Valdo Emersonit, ku thuhej: “Unazat dhe bizhuteritë nuk janë dhurata por shfajësime për dhuratat; dhurata e vetme e vërtetë është të dhurosh vetveten”.

Kjo e vërtetë ilustrohet në poemën “Këndvështrimi i Sër Llaunfëllit”, rrëfenja e një kalorësi të vendosur, i cili filloi kërkimin për të gjetur gralin e shenjtë, ose kupën prej së cilës hamendësohet se ka pirë Krishti gjatë Darkës së Fundit. Teksa Sër Llaunfëlli u nis për udhë, pa u menduar, i hodhi një monedhë një lypësi te portat e kështjellës.

Kaluan vite dhe Sër Llaunfëlli së fundi u kthye në shtëpi pasi e kishte shpenzuar jetën duke kërkuar. Teksa iu afrua portave të kështjellës, sërish ai pa një lypës që po kërkonte lëmoshë. Kësaj here, Sër Llaunfëlli ndaloi që t’i ofronte atij shpirti në nevojë një kothere bukë dhe një gllënjkë ujë nga kupa e tij e vjetër. Fjalët e poemës zbulojnë se çfarë ndodhi më pas:

“Ti që e ke shpenzuar jetën për Gralin e Shenjtë;

Vëre re, është këtu – kjo kupë që ti

Sa e mbushe në përrua për mua tani;

Kjo kothere është trupi im i copëtuar për ty,

Ky ujë, gjaku i Atij që vdiq në kryq;

Darkën e Shenjtë vërtet e mbajmë,

Me çdo gjë që me nevojtarin e ndajmë –

Jo ajo që japim, por ajo që ndajmë bashkë, –

Se dhurata pa dhuruesin është e thatë;

Ushqen tre ai që dhuron veten bashkë me lëmoshën e tij,

Veten, fqinjin e tij të uritur dhe mua sigurisht”[1].

Kupa e vjetër e Llaunfëllit, e shenjtëruar nga shërbimi i tij i vëmendshëm, u shndërrua në gralin e shenjtë në kërkim të të cilit ai kishte shpenzuar jetën e tij.

Shpeshherë ne shohim përtej shënjestrës në vetë kërkimin tonë për lumturi. Ajo mund të gjendet me të vërtetë vetëm nëpërmjet shërbimit që ne u bëjmë të tjerëve, një udhëtim që fillon brenda mureve të vetë shtëpive tona. Shpëtimtari zbuloi: “Sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua”[2].

Tregimi Vila, nga Henri Van Dajk, rrëfen historinë e Xhon Ueitmenit që e kaloi jetën duke i ndërtuar monumente vetes. Një natë ai pa në ëndërr sikur vdiq dhe udhëtoi për në Qytetin Çelestial për të marrë një vilë bazuar në thesarin e tij që kishte grumbulluar në qiell. Kur Xhoni mësoi për kasollen e vockël të rezervuar për të, ai rënkoi: “Por si dështova kaq mjerueshëm në … jetën time? … Çfarë është ajo që ka rëndësi këtu?”

Një zë i kulluar iu përgjigj: “Vetëm ajo që jepet me të vërtetë, … ajo e mirë që është bërë nga dëshira për të bërë mirë, … ato plane në të cilat mirëqenia e të tjerëve është mendimi zotërues…. Vetëm ato dhurata në të cilat dhuruesi e harron vetveten.”[1]

Dhënia e vetvetes është një dhuratë e paçmueshme dashurie që, ndryshe nga ç’e pret, rritet teksa ne e japim. Ndoshta kjo është ajo që pati në mendje Shpëtimtari kur tha: “Ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë”[2].

Në këtë kohë të veçantë të vitit, e kujtofshim dhuratën më të lartë që e morëm secili nga Ati ynë Qiellor: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin”[3]. Dhurata e Atit tonë u bë e plotë nga sakrifica e Birit që dhuroi Vetveten teksa Ai përgatiti udhën që secili prej nesh të kthehet në shtëpi. Këto dhurata bujare janë dhuratat e vërteta të Krishtlindjes.

Presidenti Monson me dashuri e udhëheq vetë dhënien tonë: “Ka zemra për t’u dhënë gëzim. Ka fjalë të dashura për t’u thënë. Ka dhurata për t’u dhënë. Ka vepra për t’u kryer. Ka shpirtra për t’u shpëtuar.”[4]


[1] The Mansion nga Henry Van Dyke (1852‑1933)

[2] Mateu 16:25

[3] Gjoni 3:16

[4] To The Rescue. The Biography of Thomas S. Monson