Mesazh i Udhëheqjes Zonale

Shkoni përpara me besim

elder-hall
Plaku Daniel P. Holl, Angli I Shtatëdhjetë Zonal

Në këto kohë shumë të vështira, nëse duhet të durojmë sprovat, tundimet dhe sfidat që na dalin përpara dhe përfundimisht të kthehemi tek Ati ynë Qiellor, është jetike që të shkojmë përpara me besim.[i]

Shpëtimtari është shembulli i përsosur i të shkuarit përpara me besim. Teksa Shlyerja e pamasë e pllakosi, Ai i thirri Atit të Tij: “O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti.” Si përgjigje Ati Qiellor dërgoi “një engjëll nga qielli për t’i dhënë forcë”[ii]

Në këtë pikë, teksa pesha e plotë e vuajtjes bëri që Biri i Perëndisë të ishte në agoni të shpirtit dhe të trupit dhe të dridhej për shkak të dhembjes[iii], Jezusi nuk u tërhoq nga detyra dhe nuk vendosi ta shtynte, pakësonte apo edhe ta anulonte përfundimisht përpjekjen e kërkuar. Jo, Ai bëri pikërisht të kundërtën. “[Ai] lutej edhe më fort; dhe djersa e tij po i bëhej si gjak i mpiksur që bie për tokë”.[iv]

Të pasurit e këtij lloj besimi, shpesh si Krishti, kërkon përgjërim të fortë për të na forcuar gjatë sprovës tonë.[v] Si pjesë e këtij procesi ne mësojmë ta pajtojmë vullnetin tonë me atë të Perëndisë[vi], të marrim Krishtin si ndihmësin tonë gjatë rrugës dhe të mirëbesojmë tek Ai që, në kohën e Tij, gjithçka do të zgjidhet.

Maria ishe një motër e vetme me pesë fëmijë e cila mundohej financiarisht për të mbështetur familjen e saj. Vite më parë, ajo erdhi tek unë si Peshkopi i saj duke kërkuar këshillë mbi mënyrën se si të mund t’i ndihmonte më shumë të tjerët. I kërkova asaj që të rriste ofertën e saj të agjërimit. Pa asnjë fjalë ankese, ajo e bëri këtë dhe muaj pas muaji do të raportonte se si Zoti po e bekonte atë dhe familjen e saj financiarisht dhe se si po e bekonte atë që t’i ndihmonte të tjerët. Kjo vazhdoi për dekada derisa u bë e paaftë [për punë] për shkak të shëndetit. Edhe në atë kohë, Maria ishte vazhdimisht në telefon duke parë se si po ia kalonin të tjerët, duke dhënë nxitje dhe duke shprehur dëshminë e saj. Ajo gjithmonë besonte se gjërat do të zgjidheshin dhe ato gjithmonë u zgjidhën. Ajo kurrë nuk e la pa paguar të dhjetën e saj. Ajo i lexoi besnikërisht shkrimet e saj të shenjta dhe e deshi të shërbyerin si një udhëheqëse e shërbimit me dhembshuri në Shoqatën e Ndihmës. Jeta e saj ishte plot me besnikëri.[vii] Maria kohët e fundit kaloi në anën tjetër, [ndërroi jetë], por besimi i saj vazhdon të jetojë në familjen e saj dhe në ata që e njohën atë. Dëshira ime për të bërë përpara me besim është shtuar për shkak të saj.

Profeti ynë i dashur, Presidenti Rasëll M. Nelson ka dhënë mësim mënyrën më të mirë se si bëjmë përpara me besim në Krisht: “Ndërsa flasim për tempujt tanë, të vjetër e të rinj, e tregoftë secili prej nesh me anë të veprimeve të veta se ne jemi dishepuj të vërtetë të Zotit Jezu Krisht! E ripërtërifshim jetën tonë nëpërmjet besimit dhe mirëbesimit tonë në Të! Paçim qasje ndaj fuqisë së Shlyerjes së Tij nëpërmjet pendimit tonë çdo ditë! Dhe ia përkushtofshim dhe ripërkushtofshim jetën tonë shërbimit ndaj Perëndisë dhe fëmijëve të Tij – në të dyja anët e velit!”[viii]

Unë dëshmoj se të shkuarit përpara me besim është vetë procesi i të bërit si Ati Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti. Teksa e bëjmë këtë, e di se dashuria e pafundme e Krishtit siç shprehet në shlyerjen e Tij, na jep paqe e shpresë dhe sigurinë se gjithçka do të zgjidhet.

 


[i] Të shkuarit përpara me besim ka të bëjë me durimin deri në fund. Dhe si bëhet kjo? Duke ndjekur shembullin e Birit të Perëndisë së Gjallë - 2 Nefi 31:16

[ii] Luka 22:42–43

[iii] DeB 19:18

[iv] JST Luke 22:44

[v] Mosia 24 jep mësim se si Alma dhe populli i tij iu lutën me fuqi Perëndisë që t’i çlironte nga duart e priftit të lig Amulon dhe të vëllezërve të tij. Perëndia iu përgjigj lutjeve të tyre duke i forcuar ata që barrët e tyre u dukën të lehta. Përfundimisht ata u çliruan në mënyrë të mrekullueshme nga skllavëria.

[vi] Shih Mosia 15:7 për mënyrën se si Krishti e pajtoi vullnetin e Tij me atë të Atit dhe 2 Nefi 10:24 për mënyrën se si ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë.

[vii] 1 Nefi 7:12 mëson mënyrën më të mirë për të ushtruar besim në Perëndinë … duke qenë besnikë ndaj Tij. Kjo do të thotë të bësh gjërat që Ai kërkon prej nesh me një zemër dhe mendje të gatshme.

[viii] Presidenti Rasëll M. Nelson, fjala e mbylljes në Konferencën e Përgjithshme të prillit 2019