Mesazhe Paqeje dhe Qëllimi Jehojnë nga Bukureshti deri në Barcelonë

Në mbarë Europën këtë javë, tre udhëheqës të krishterë botërorë u takuan me komunitetet për të dëgjuar, inkurajuar dhe mësuar. Mesazhet e tyre, me thelbin te ndjekja e Jezusit, ndërtimi i miqësive midis besimeve dhe mirëbesimi te brezi i ri, u përcollën në tubime publike, ku miqtë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe anëtarët u ulën krah për krah njëri-tjetrit.

Në Bukuresht, Plaku Dejll G. Renland, i ftoi besimtarët dhe miqtë të përqendrohen thellësisht te Jezu Krishti. Pavarësisht kushteve të dëborës, më shumë se 600 anëtarë dhe miq u mblodhën nga e gjithë Rumania për të marrë pjesë në konferencën kombëtare.

Plaku Renland e vu theksin te përulësia gjatë dhënies së shërbesës, duke i thënë bashkësisë: “Unë erdha si apostull i Zotit, por nuk jam i veçantë. Jezu Krishti është i veçantë.”

Ngjarja bëri bashkë udhëheqës qeveritarë, fetarë, akademikë dhe qytetarë, të cilët shprehën përzemërsi dhe vlerësim për atmosferën e përqendruar te Krishti. Dr. Laurenciu Tanase, një studiues universiteti për teologjinë dhe studimet fetare, e përshkroi përvojën si “shumë të dobishme”, duke vënë në dukje rëndësinë e vlerave të përbashkëta në shoqërinë moderne.

Pastori Madalin Avramesku, i Kishës Adventiste të Ditës së Shtatë, tha se ai “dëgjoi me shumë kujdes” dhe e vlerësoi theksin që iu vu shërbesës së Jezu Krishtit dhe frymën e miqësisë që ndjeu midis të pranishmëve. Ervin Iuseini, nënkryetar i Shoqatës Islamike për Dialogun, reflektoi: “Më pëlqen mundësia që t’i lëmë keqkuptimet dhe ta mirëkuptojmë njëri-tjetrin më mirë… projekte si ky tregojnë se sa e mundur është të bashkëjetosh”. I pranishëm ishte edhe Sekretari i Shtetit të Rumanisë për Çështjet Fetare, Çiprian Oliniçi.

Të dielën, më 1 mars, në Apeldorn të Holandës, Plaku Renland kryesoi një konferencë kunji duke u dhënë miqve, anëtarëve dhe udhëheqësve vendorë një mundësi për të marrë udhëzime, për të ndier Shpirtin së bashku dhe për të forcuar marrëdhëniet që janë krah për familjet dhe komunitetet. Mesazhi i Plakut Renland, bëri jehonë tek të pranishmit ndërsa ai u kujtoi të gjithëve me dashuri, se ata janë “fëmijë të Perëndisë me një natyrë hyjnore dhe një fat të përjetshëm”.

Presidenti i Kunjit, Xheri Bleterman, na mësoi se qëllimi i një konference kunji është të forcojë besimin te Jezu Krishti dhe vuri në dukje natyrën e veçantë të kësaj mbledhjeje, një mundësi për të “dëgjuar zërin e atij që u quajt zëri i Zotit”.

Peter Oduro, një anëtar vendor, mori pjesë me bashkëshorten, djalin dhe vajzën katër muajshe. Një diskutim familjar i kohëve të fundit rreth asaj se si do të kishte qenë të jetojte gjatë shërbesës tokësore të Jezu Krishtit, e çoi atë te ky arsyetim: “Ne kemi Dymbëdhjetë Apostujt dhe Profetin e gjallë”, – tha ai. “Ardhja në Kishë me familjen time është bekim.”

Në Paris, Plaku Zherald Kosé, Apostulli i parë i lindur në Francë, foli për një rritje të dukshme të angazhimit shpirtëror në mbarë vendin, “ne po shohim një rritje të pagëzimeve në Francë tani për tani”, – tha ai, duke theksuar interesin në rritje midis njerëzve që kërkojnë paqe, të vërtetë dhe komunitet.

Anëtarët e pagëzuar së fundmi dhanë dëshmi të ndjera, duke përfshirë Agysto Lomblénin, i cili ndjeu “një mesazh paqeje dhe dashurie… E dija se ky ishte vendi ku kisha nevojë të isha”, dhe Sesilja Alves de Freitas, e cila shprehu mirënjohje për thirrjen që “të jemi dritë në këtë botë… jo vetëm të dielave”. Roban Gajël Byaniku tregoi se ai kishte kërkuar prej kohësh për “një kishë të vërtetë, një të vërtetë reale” dhe e gjeti atë në ungjillin e rivendosur.

Plaku Kosé i vu theksin unitetit përmes Krishtit: “Unë e ndiej këtë Shpirt që na bashkon, përmes Krishtit dhe për Krishtin”. Ai inkurajoi leximin e shkrimeve të shenjta, veçanërisht Librin e Mormonit, si një burim përtëritjeje shpirtërore, duke vënë në dukje se edhe pas shumë leximeve, libri i zbuloi atij dritë të re.

Duke iu drejtuar anëtarëve të kunjit të Nisës në Marsejë të dielën, më 1 mars, Plaku Kosé ndau reflektime personale nga kthimi i tij në besim që nga fëmijëria në atë rajon, i pagëzuar në Marsejë, në moshën tetë vjeçare, dhe i brumosur në një degë të vogël, e karakterizuar nga komuniteti dhe dashuria për fëmijët. Ai na mësoi: “Unë kam mësuar dhe ndier shumë gjëra në Kishë që nuk i kam mësuar ose ndier askund tjetër… Që në moshë shumë të re, kam pasur këtë bindje se mund t’i flas Atit tim Qiellor… E kam ditur që herët se Jezu Krishti është Shpëtimtari im”.

Ai i ftoi anëtarët të japin dëshmi të thjeshta dhe të sinqerta për Shpëtimtarin në jetën e përditshme, “ne jemi në një botë ku njohuritë për Krishtin e ringjallur po zbehen… Sa herë në javë dëshmoni për Shpëtimtarin?… Mos kini frikë të dëshmoni, jini të thjeshtë dhe të sinqertë. Kisha jeni ju – ju e mbani atë me vete në punë, në rrugë dhe me miqtë tuaj, ju përfaqësoni Zotin, ju keni një distinktiv misionar virtual.”

Plaku Kosé e përfundoi me një bekim apostolik për kunjin e Nisës: “Jeta juaj qoftë e ndriçuar nga gëzimi i ungjillit! Mos u lodhshit ose u dëshpërofshit, por bëfshit përpara ditë pas dite, duke u prekur individualisht nga flijimi shlyes i Krishtit!”

Pas mbledhjes, Isabel Fudoni, një anëtare e bashkësisë së Marsejës, tregoi: “Jam shumë e lumtur, e forcuar në dëshminë time dhe e paepur për të vazhduar ta ndiej këtë gëzim, ta ndiej Krishtin si një përkrahje të mrekullueshme”.

 

Plaku S. Mark Palmer dha shërbesë në Hamburg dhe Berlin, ku shprehu mirëbesimin te besimi dhe përkushtimi i të rinjve dhe të rejave: “Unë nuk jam i shqetësuar për të ardhmen e Kishës… Unë kam besim të plotë te brezi i ri”. Ai i inkurajoi të rinjtë e të rejat dhe misionarët t’i drejtohen Shpëtimtarit në momente pasigurie: “Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë”. Ai dha mësim për pendimin si një doktrinë të gëzueshme, të përqendruar te Krishti, “pendimi është një doktrinë e bukur kur përqendrohet te Jezu Krishti”.

Misionarët shprehën se sa kuptimplotë ishte vizita. Motra Pirson tha se të dëgjosh Plakun Palmer, të jep “ndjesinë e shtëpisë” dhe kjo gjë e ndihmoi atë ta ndiente dashurinë e Krishtit. Plaku Udlend e përshkroi ngjarjen si “një përtëritje… duke më kujtuar pse jam me të vërtetë këtu, për t’i ndihmuar të tjerët që të vijnë te Krishti”.

Në Barcelonë, Vilafranka del Penedès dhe L’hospitale, Plaku Palmer u përqendrua te përkatësia dhe dashuria e Perëndisë, duke dëshmuar se Perëndia “e njeh dhe do secilin prej jush… me emër”. Ai i inkurajoi miqtë e Kishës ta përjetojnë vetë ungjillin dhe bekimet e tij, “ju do të bekoheni në mënyrat më të mrekullueshme nëse e pranoni ungjillin e Jezu Krishtit dhe e zbuloni vetë atë”.

Në Zyrih, Plaku Palmer i inkurajoi familjet të qëndrojnë plot shpresë dhe pohoi dorën rafinuese të Zotit në kohë sfiduese. Duke iu drejtuar të rinjve e të rejave, anëtarëve të rinj dhe familjeve, ai shprehu mirënjohje për përkushtimin e tyre dhe u kujtoi atyre dashurinë e Atit Qiellor. Ai u mësoi për fuqinë e dëshmisë vetjake për t’i udhëhequr të tjerët te Krishti, “kur japim dëshmi për njëri-tjetrin, Fryma e Shenjtë dëshmon për të vërtetën dhe ne ndiejmë dashurinë dhe përkrahjen e Tij”.

Ai u shprehu mirëseardhjen atyre që u pagëzuan në pesë vitet e fundit dhe e nderoi guximin e tyre, “ajo që keni bërë është gjë e drejtë dhe e duhur, dhe ju jeni të rrethuar nga njerëz që do t’ju mbështesin dhe do t’ju duan përgjatë shtegut tuaj të besëlidhjeve”. Ai tregoi historinë e kthimit të familjes së tij në besim, në Zelandën e Re, duke vënë në dukje se si dy misionarë të rinj ndryshuan rrjedhën e jetës së familjes së tij.

Duke iu folur me butësi prindërve, ai tha: “Të dashur prindër besnikë, vazhdoni të keni shpresë dhe mos u ndieni sikur keni dështuar… Sfidat dhe zhgënjimet nuk janë prova se Zoti ju ka braktisur, përkundrazi, ato janë prova se Ai ju do mjaftueshëm për t’ju rafinuar dhe forcuar”. Ai inkurajoi mësimdhënien e ungjillit në shtëpi dhe premtoi se shumë jetë njerëzish do të bekoheshin nga fëmijët dhe nipërit e mbesat besnikë.

Niklasi, një i sapokthyer në besim, i pagëzuar katër muaj më parë, tha: “E kam kërkuar Jezu Krishtin në jetën time dhe jam i lumtur që jam pjesë e një vepre kaq të madhe. Ndjeva motivim dhe forcë gjatë mbledhjes dhe dashurinë që Zoti ka për të ofruar.”