Mesazh nga Udhëheqja e Zonës

Ky Është një Ungjill Shprese

Sunset
elder-zarse
Plaku Carse, Gjermani I Shtatëdhjetë Zonal

Në fund të muajit shtator 2019, im atë u rrëzua dhe theu femurin. Diagnozat e gabuara dhe terapia e papërshtatshme në spital bënë që gjendja e tij të përkeqësohej dhe patëm frikë për jetën e tij. Duke qenë se jam mjek, planifikova transferimin në spitalin ku unë punoja, ngaqë isha tërësisht i vendosur për ta shëruar. Kolegët e mi dashamirës dhe përkrahës e operuan dhe e trajtuan me një përkushtim vetjak të jashtëzakonshëm, sidoqoftë, shëndeti i atit tim nuk u përmirësua ndjeshëm. Nga mesi i muajit nëntor, nëna ime më foli për një bisedë të veçantë që kishte pasur me atin tim. Ajo i tha atij: “Për ty është e vështirë që të rrish shtrirë këtu në shtrat”. – “Po!” – “E di se sa shumë të pëlqente të nxitoje brenda në tempull për t’i kryer gjërat.” – “PO!” – “Nuk është nevoja të qëndrosh këtu prej meje. A ke dëshirë të shkosh?” E gjithë qenia e tij dukej sikur shkëlqente dhe tha: “Po!” Pastaj ia mori dorën nënës sime dhe i tha: “Pavarësisht se ku jemi, ne i përkasim përgjithmonë njëri-tjetrit!”[i]

Jam shumë mirënjohës për shpresën e atit tim. Ai nuk e njohu kurrë atin e tij tokësor dhe kur misionarët i mësuan se ai kishte një Atë Qiellor dhe një Shëlbues që e donin aq shumë, kjo njohuri e re u bë drita udhërrëfyese në jetën e tij. Po aq mirënjohës jam edhe për shpresën e nënës sime. Lidhja e saj vetjake me Atin Qiellor dhe njohuria e saj për familjet e përjetshme i janë rrënjosur thellë në zemër. Që të dy ata shpresojnë “për një botë më të mirë, po, madje për një vend në krahun e djathtë të Perëndisë”[ii]. Që të dy ata ishin në dijeni për të metat dhe mangësitë e tyre vetjake dhe prapë kjo nuk ua pakësoi shpresën dhe mirëbesimin te mëshira dhe mirësia e Shëlbuesit tonë. Profeti Ethëri e dinte gjithashtu se sa e rëndësishme është shpresa për pendimin e njerëzve, ndaj për këtë arsye ai dha mësim në ditët e fundit përpara shkatërrimit të jareditëve se “shpres[a] … shërben si një spirancë për shpirtrat e njerëzve, që do t’i bëjë ata të sigurt dhe të vendosur, gjithmonë plot me vepra të mira, duke qenë të udhëhequr për të lavdëruar Perëndinë”. Ethëri përdor këtu kohën e ardhme “do t’i” sepse njerëzit nuk besonin në këtë gjë në atë kohë.[iii] A e kanë sot këtë lloj shprese fëmijët, rinia dhe të rinjtë tanë në moshë madhore, që i lejon ata t’i qasen fronit të Perëndisë me vetëbesim?[iv] Kjo lloj shprese nuk ka të bëjë aspak me fjalën e urtë që mohon realitetin se “Shpresa vdes e fundit”. Jo, është fuqia hyjnore që na sjell sërish te Perëndia. Edhe Satani e di këtë gjë dhe përpjekjet e tij për ta shkatërruar “Batalionin e Rinisë së Zotit”, “Shpresën [tonë] të Izraelit”, fillojnë pikërisht atje. Plaku Klebingat tha: “[Satani] do të përpiqet që të hyjë në zemrën tuaj për t’ju thënë gënjeshtra – gënjeshtra që Ati Qiellor është i zhgënjyer me ju, se Shlyerja është përtej mundësisë suaj për ta arrirë, se nuk ka kuptim madje as të përpiqeni, se gjithkush tjetër është më i mirë se ju, se ju jeni i padenjë dhe një mijë variante të po kësaj teme të ligë”.  Presidenti Rasëll M. Nelson na paralajmëroi se këto sulme do të rriten me një shkallë eksponenciale.[v] Sidoqoftë, Zoti na mbron duke i frymëzuar profetët e tij bashkëkohorë. Të gjitha ndryshimet në Kishë dhe programi i ri për fëmijët dhe rininë janë hartuar që të na e japin neve dhe rinisë sonë këtë shpresë hyjnore – se Jezusi do të ecë përkrah nesh dhe do të na ndihmojë t’i kapërcejmë gjërat e vështira.[vi] Tani, teksa përgatitemi për periudhën e Pashkës, ju lutem, mos hiqni dorë kurrë nga dhënia e dëshmisë te fëmijët tuaj për dashurinë e pandryshueshme të Shpëtimtarit ndaj jush! Ai dëshiron të jetë i mëshirshëm, veçanërisht ndaj atyre që janë endur tepër larg dhe nuk e presin këtë[vii].  Unë kam gjithashtu këtë shpresë të pareshtur se Ati ynë në Qiell, nëpërmjet mirësisë, mëshirës dhe dashurisë së Tij, do të na mirëpresë një ditë me krahët hapur. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.


[i] Komunikim vetjak

[ii] Ethëri 12:4

[iii] Ethëri 12:4

[iv] Konferenca e Përgjithshme tetor 2014, Jorg Klebingat, “Qasja te Froni i Perëndisë me Vetëbesim” 

[v] Konferenca e Përgjithshme tetor 2018, Rasëll M. Nelson, “Fjalët e Hapjes”

[vi] Face to Face with Elder Gong, 17 nëntor 2019

[vii] Xhefri R. Holland (“Punëtorët në Vresht”,  Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 32–33).