Mesazh i Udhëheqjes Zonale

Të Forcuar nëpërmjet Ditës së Shabatit

Elder Obando
Plaku Adonay S. Obando Spanjë, I Shtatëdhjetë Zonal

Kur ne pranojmë Jezu Krishtin si Shpëtimtarin tonë, ne duam të mësojmë rreth Tij dhe të ndjekim shembullin e Tij, duke shpresuar të zhvillojmë te vetja karakterin dhe cilësitë e Tij. Ne besojmë se sapo krijojmë besimin tek Ai dhe te sakrifica e Tij shlyese, do të pasojnë disa rrjedhime të natyrshme: ne do të duam ta ndryshojmë jetën tonë nëpërmjet pendesës, vullneti dhe zemra jonë do të drejtohen te Zoti dhe ne do të pranojmë të bëjmë besëlidhje me Të nëpërmjet ordinancave.  

Zoti ka zbuluar se ata që “… me të vërtetë manifestojnë me anë të veprave të tyre, se ata kanë marrë prej Shpirtit të Krishtit për heqjen e mëkateve të tyre, do të merren me anë të pagëzimit në kishën e tij”.[1]

Pas pagëzimit, ne konfirmohemi anëtarë të Kishës me anë të vendosjes së duarve nëpërmjet fuqisë dhe autoritetit të priftërisë. Hapi tjetër për përparimin tonë shpirtëror do të jetë marrja e ordinancave të tjera shpëtuese në tempullin e shenjtë. Në rrethana normale, ordinancat e pagëzimit, konfirmimit, dhurimit [indaumentit] dhe vulosjes mund të kryhen vetëm një herë për vete. Më vonë, ne mund të vazhdojmë të mësojmë nga këto ordinanca teksa i kryejmë si mëkëmbës në emër të personave të vdekur.

Zoti ka siguruar një mënyrë që ne, fëmijët e Tij, të marrim vazhdimisht dhe individualisht një ordinancë, sakramentin.

Modeli i krijuar nga Shpëtimtari është ai që Kisha e Tij duhet të mblidhet në ditën e Shabatit për të marrë sakramentin “… në kujtim të Zotit Jezus”[2] dhe “për të agjëruar, për t’u lutur dhe për të folur me njëri-tjetrin, në lidhje me mirëqenien e shpirtit të tyre”. [3]

Në urtësinë e Tij të pafundme, Ai na ka dhënë mundësinë të pushojmë nga nxitimi ynë i përditshëm, na aftëson të ndalim të gjitha pasiguritë dhe shqetësimet.  Ndërsa e lëmë pas botën, ne jemi në gjendje të ripërtërijmë besëlidhjen e pagëzimit nëpërmjet ordinancës së sakramentit. Zoti në këtë ordinancë premton që ndërsa marrin sakramentin, ata që janë të gatshëm të marrin mbi vete emrin e Tij dhe të mbajnë urdhërimet e Tij, “mund të kenë gjithmonë Shpirtin e tij me ta”.[4]

Si individë dhe familje ne të gjithë do të përfitonim shumë nëse çdo javë do të përgatiteshim me zell dhe përulësi për të marrë sakramentin. Ne përgatitemi përditë për këtë ordinancë duke u përpjekur që të jetojmë “… në drejtësi në të gjitha ditët dhe në të gjitha kohët.[5]” Për shembull, duke studiuar shkrimet e shenjta, duke u lutur vetëm dhe me familjen tonë. Veç kësaj, nëse planifikojmë aktivitete të shtunën në mënyrë që të mund të biem aq herët në shtrat, sa të zgjohemi të dielën me mirënjohje, me gëzim e lumturi, atëherë do të jemi të përgatitur për ta marrë sakramentin e për të dëgjuar bisedat, duke u “…ushq[yer] nga fjala e mirë e Perëndisë”. [6] Atëherë, do të jemi në gjendje ta rritim dhe thellojmë marrëdhënien tonë me Shpëtimtarin dhe të shtojmë njohurinë tonë mbi Të.

Në këtë pikë, është me rëndësi të theksojmë paralelizmin midis shenjtërisë së tempullit dhe shenjtërisë së Shabatit. Kur përgatitemi të vizitojmë tempullin, ne fillojmë me kohë të mjaftueshme për përgatitjen tonë. Ne jo vetëm veshim veshje që tregojnë respekt dhe nderim për tempullin dhe atë që ai përfaqëson, por edhe kur jemi brenda ose në mjediset përreth, ne sillemi po ashtu. Ne u pëshpëritim dhe i mësojmë fëmijët tanë që në këtë vend ne të ruajmë respektin më të lartë. Kur e shenjtërojmë Shabatin duke qenë nderues e respektues gjatë mbledhjeve të së dielës e gjithë kohën atë ditë, ne zhvillojmë shenjtërinë dhe natyrën hyjnore që gjejmë tek Ati Ynë Qiellor, “…dhe ditën e shtatë u çlodh nga gjithë vepra që kishte kryer… Dhe Perëndia bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi”.[7]

Nëse e provojmë virtytin e fjalës së Perëndisë ne jo vetëm që do të pasurohemi me njohuri mbi Krishtin, por dëshmia jonë për të vërtetën e saj nuk do të gjendet vetëm te besimi, ajo do të gjendet te mrekullitë dhe çuditë që do të përjetojmë në jetën dhe familjet tona.



[1] DeB 20:37

2 Moroni 6:6

3 Moroni 6: 5

4 DeB 20:77, Gjoni 14:16

5 DeB 59:11

6 Moroni 6:4

7 Zanafilla 2:2-3