Mesazh i Udhëheqjes Zonale

“Të Jetuarit me Mirënjohje”

Elder Engbjerg
Mesazh i Udhëheqjes Zonale Plaku Torben Engbjerg, Danimarkë I Shtatëdhjetë Zonal

Gjatë verës vendet në zonën tonë po hapeshin ngadalë pas pandemisë Covid‑19. Ky vit ka qenë i vështirë për shumë njerëz. Ne vajtojmë me ata që kanë humbur anëtarë të dashur të familjes dhe miq. Disa kanë humbur punën dhe të tjerë mund të jenë ende në rrezik për ta humbur atë. Ka një nevojë të madhe për dhënie shërbese nga ana jonë, duke u siguruar që të plotësohen nevojat e secilit.

Në çfarëdo vështirësie që mund ta gjejmë veten, Ati Qiellor është gjithmonë i vëmendshëm ndaj nesh dhe i di sprovat që po përpiqemi të kapërcejmë, sado të vështira që mund të jenë. Rreshtat vijues të një himni të mirënjohur më vijnë në mendje:

Kur në dallg’t e jetës ti përplasur je,

Kur pa shpres’ mendon se gjithçka humbur ke,

Numëro bekimet që ke një nga një

Dhe do të habitesh çfar’ Zoti ka bër’!1

Është shpesh nëpërmjet sprovave tona që ne forcohemi. Të diturit e kësaj, sidoqoftë, mund të mos jetë shumë ngushëlluese kur ndodhemi pikërisht në kulmin e vështirësive. Presidenti Rasëll M. Nelson na pyeti në konferencën e përgjithshme të prillit të këtij viti: “Si mund t’i durojmë sprova të tilla?” Ai mandej vazhdoi: “Zoti na ka thënë se ‘nëse jeni të përgatitur, ju s’do të frikësoheni’”. 2 Presidenti Nelson gjithashtu theksoi dhe na ftoi, sikurse bën shpesh, të kërkojmë dhe madje na premton “ndriçim(e) shpirtërore… kur ne shprehim… mirënjohjen tonë të thellë ndaj Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij të Dashur”. 3 Edhe në sprovat tona më kulmore, mirënjohja mund të jetë çelësi që ne t’i kapërcejmë ato.  

Për shkak të Shpëtimtarit, mjete janë krijuar për ne që jo thjesht të durojmë, por t’i kapërcejmë sprovat tona, dhe neve na është premtuar që kohë më të mira janë gjithmonë përpara. Shpëtimtari e njeh secilin prej nesh personalisht me emër dhe Ai është atje që të na ndihmojë e mbështetë në të gjitha kohët, që përfundimisht të triumfojmë. Për këtë, ne mund të jemi tërësisht të sigurt. Dita do të vijë kur ne me mirënjohje të thellë mund të këqyrim prapa dhe të shohim se me sa bollëk jemi bekuar, dhe se si jemi udhëhequr drejt asaj që është e drejtë për ne.  

Në librin e saj “Lighten Up” [“Ndriço”], Motra Çieko N. Okazaki, përmend një histori të dy motrave holandeze, Korri dhe Betsi Ten Bumit, të krishtera të devotshme që fshehën hebrenj në shtëpinë e tyre gjatë Luftës II Botërore. Ato u kapën dhe u çuan në një kamp përqendrimi, në një barakë të tejmbushur e plot pleshta. Duke cituar nga Bibla e saj, që nuk ishte konfiskuar, Betsi shkruan: “Jini gjithmonë të gëzuar. Lutuni pa pushim. Për çdo gjë falënderoni…”

Më vonë ndërsa ato po luteshin së bashku, Betsi u lut: “Faleminderit për pleshtat…”. Korri tha: “Nuk ka mënyrë që madje edhe Perëndia të mund të më bëjë mirënjohëse për një plesht.” “Falëndero në të gjitha rrethanat”, citoi Betsi. “Nuk thotë: ‘në rrethana të pëlqyeshme’”. Këtyre dy motrave iu dha më shumë liri në barakën ku ndodheshin, dhe përfundimisht ato e zbuluan arsyen. Rojat nuk ishin të gatshëm të hynin në dhomën e tyre ngaqë ishte plot me pleshta. 4  

Të jetuarit me mirënjohje do të përfshijë domosdoshmërisht dashurinë dhe përkushtimin tonë më të thellë për Shpëtimtarin tonë dhe një mirënjohje të qëndrueshme për shtegun e besëlidhjes drejt jetës së përjetshme, që Ai e ka bërë të mundur për ne. Ne mund të mos ndihemi gjithmonë të denjë për të marrë ndihmë qiellore, por Shpëtimtari na vështron, jo thjesht ku jemi tani, por na bekon me dashuri sipas vendit që Ai na sheh në këndvështrimin e përjetësisë. “Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij janë streha që na nevojitet të gjithëve, pavarësisht nga stuhitë që po e godasin jetën tonë.” 5

Unë ftoj të gjithë ne të jetojmë me mirënjohje dhe të shohim se si kjo do të na sjellë më pranë Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit dhe do të na ndihmojë t’i kapërcejmë sfidat e jetës.  


1 Himnet 241

2 Doktrina e Besëlidhje 38:30

3 Rasëll M. Nelson, Mesazhi i Hapjes, Konferenca e Përgjithshme e Prillit 2020

4 Corrie Ten Boom, The Hiding Place, Bantam Books, 1971, f. 197–199 dhe 208–209

5 Të Gjejmë Strehë nga Stuhitë e Jetës, Plaku Rikardo P. Himenez, Konferenca e Përgjithshme e Prillit 2020