Mesazhi i Udhëheqjes Zonale

Zbatimi i mësimeve të Konferencës së Përgjithshme

family-in-helsinki-watching-general-conference
Elder Bennasar
Plaku Matju Benasar, Francë I Shtatëdhjetë Zonal

Shpesh e kam pyetur veten se si do të reagonin njerëzit po të mundeshin të blinin bileta për të parë Adamin në stadiumin Uembli, Abrahamin në Stadiumin e Francës ose Moisiun në stadiumin Stantiago-Bernabeu. Shumica e tyre do të ishin të gatshëm ta provonin një herë e madje ndoshta edhe të paguanin një shumë shtesë parash për të.  Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, neve na ftojnë çdo gjashtë muaj që të ushqehemi me bollëk me fjalët e profetëve bashkëkohorë.  Konferencën e Përgjithshme tani e shohim në retrospektivë për disa muaj.  Çfarë dobie kemi nxjerrë nga ndikimi i saj i fuqishëm?  Si ka ndryshuar jeta jonë?  Si i kemi zbatuar mësimet e saj të çmuara? 

Duke u përgatitur për këtë mesazh, i pyeta pjesëtarët e familjes sime se çfarë bekimesh kanë parë nga zbatimi i mësimeve të Konferencës sonë të Përgjithshme të fundit.  Më poshtë janë disa perla urtësie të tyre.  Cila do të ishte juaja?

“E kisha zakon të mbaja parasysh se pozicioni im përpara Zotit ishte në përpjesëtim të zhdrejtë me nevojën time për t’u penduar:  në të vërtetë, nëse nuk kisha nevojë të pendohesha, duhet të jem në shtegun e duhur sepse nuk po bëj asgjë të gabuar!  Tani e kuptoj nga Profeti se kjo është pikërisht e kundërta:  pendimi duhet të jetë një pikë e përditshme përqendrimi në jetën time që unë të jem i suksesshëm shpirtërisht.”

“Pas Konferencës, më tërhoqi studimi i shkrimeve të shenjta me më shumë qëllim dhe si rrjedhojë mora shumë më tepër nxitje shpirtërore të cilat u përpoqa t’i ndiqja.”

“Mora një çelës për ta ditur se kur mund ta quaj të plotë pendimin tim:  kur e ndiej Shpirtin e Zotit në jetën time, kjo do të thotë se ose jam falur ose jam në udhë e sipër për të marrë falje.”

“Përjetova një dëshirë më të madhe për t’i kushtuar më shumë kohë zbulesës vetjake në Konferencë.  Kjo në fakt solli më tepër zbulesë dhe nxitje në jetën time, gjë për të cilën jam mirënjohëse.”

“M’u kujtua se nuk ka asnjë mënyrë të drejtë për të bërë gjëra të gabuara dhe kjo më ndihmoi të përballesha me tundimin me më shumë sukses.”

Duke përsiatur mbi këto përgjigje, më ranë në sy tre parime që ndihmojnë në dëshirën tonë për t’i zgjeruar bekimet që mund të sjellë Konferenca e Përgjithshme:

  1. Nuk ka rrugë nga e cila t’i biem shkurt rritjes shpirtërore, duhet ta bëjmë ne punën. Sado të na e ngrejë moralin dhe të na lartësojë një konferencë, rritja shpirtërore e përftuar prej saj nuk do të arrijë të realizohet derisa të veprojmë sipas asaj që morëm në Konferencë si frymëzim vetjak.

  2. Kur përqendrohemi te premtimet që morëm gjatë konferencës, ne i identifikojmë më me gatishmëri bekimet e Zotit dhe e ndiejmë dashurinë e Tij për në me më tepër fuqi.  Mund të gëzohemi për pranimin e ungjillit nga kombet pa e kuptuar që ajo vjen si pjesë e bekimeve të premtuara në thirrjen profetike të kohëve të fundit për përdorimin e saktë të emrit të Kishës që u dha me anë të zbulesës.  Presidenti Nelson tha: “Ju premtoj që, nëse ne do të bëjmë më të mirën tonë për ta rivendosur emrin e saktë të Kishës së Zotit (...) do të kemi njohurinë dhe fuqinë e Perëndisë që të na ndihmojnë për t’i çuar bekimet e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit te çdo komb, fis, gjuhë e popull.[i]

  3. Sikurse na kujtojnë shkrimet e shenjta, modeli i të mësuarit shpirtëror është një model përsëritjeje: që dikush t’i mbajë mend, t’i përvetësojë dhe t’i bëjë pjesë të vetes parimet nga Konferenca e Përgjithshme, do t’i nevojiten shumë raste përsëritjeje.  Pra, nga studimi vetëm një herë zor se do të nxjerrim dobinë që presim.  Nëpërmjet studimit të vullnetshëm e të përsëritur ne bëhemi si letra të gjalla apostujsh, me urdhërime të shkruara thellë në zemër.

Teksa e sjellim ndër mend Konferencën e shkuar dhe përgatitemi për atë të radhës, u kujtofshim se konferencat janë një kohë privilegjuese që ne ta shkurtojmë ndjeshëm largësinë me Hyjninë në jetën tonë dhe një mundësi e përsosur që ne ta prekim dorën e Perëndisë!


[i] Presidenti Rasëll M. Nelson, “Emri i Saktë i Kishës”, tetor 2018