Shumë vite më parë, kur ishte president kunji, Presidenti Gordon B. Hinkli intervistoi një burrë për një rekomandim tempulli. Kur Presidenti Hinkli e pyeti burrin nëse ai po paguante një të dhjetë të ndershme, burri u përgjigj çiltërsisht se nuk po e bënte këtë sepse kishte shumë borxhe. Presidenti Hinkli ndjeu mbresën për t’i thënë atij se nuk do të ishte në gjendje t’i shlyente borxhet derisa ta paguante të dhjetën.
Ai më vonë i tha Presidentit Hinkli se në pak vitet që pasuan, pavarësisht se sa shumë u përpoq, nuk arriti ta pakësonte borxhin. Më në fund, ai dhe bashkëshortja e tij arritën në përfundimin se do ta provonin premtimin e Zotit. Burri tha: “Në një mënyrë që nuk mund ta kuptojmë plotësisht, Zoti na ka bekuar. Nuk na ka munguar ajo që i kemi dhënë Atij dhe për herë të parë prej shumë vitesh po e pakësojmë borxhin tonë.” Ai dhe bashkëshortja e tij më në fund qenë në gjendje të jetonin brenda mundësive të tyre, por më e rëndësishmja, ata qenë në gjendje të ndienin paqe nga njohuria se po e mbanin denjësisht zotimin e tyre ndaj Zotit.[1]
Kur isha një peshkop i ri, edhe unë pata një përvojë me këshillimin e një anëtari në lidhje me të dhjetën. Një i kthyer në besim kohët e fundit m’u qas me një dilemë të vështirë: ai nuk kishte para të mjaftueshme për të paguar tatimin mbi të ardhurat dhe të dhjetën e tij. Thjesht e pyeta: “A beson se ungjilli është i vërtetë?” Ai pohoi se e besonte dhe shpejt arriti në përfundimin se dëshmia e tij e pohuar ishte përgjigjja e tij. Disa javë më vonë m’u qas sërish për të më treguar se kontabilisti i tij kishte bëri një gabim gjatë përgatitjes së tatimeve të tij duke harruar që të merrte parasysh mesataren e të ardhurave. Fatura e tij tatimore u pakësua më shumë se e dhjeta që ai kishte paguar. Unë besoj se qielli lëvizi prej besimit të këtij vëllai të mirë për ta nxitur kontabilistin e tij me këtë ide të re, një ndriçim i mendjes që unë besoj se nuk do të kishte ndodhur ndryshe.
Ne e paguajmë të dhjetën me besim më shumë sesa të holla. Perëndia është më i interesuar për bindjen tonë dhe ndikimin që ajo ka mbi shpirtrat tanë kur deklarojmë një të dhjetë të ndershme, sesa shumën që paguajmë. Ajo tregon se ne i mirëbesojmë Perëndisë dhe premtimeve të Tij. Ne nuk mund të jemi si burri që u ul përpara zjarrit dhe tha: “Më jep nxehtësi dhe do të të jap dru”. Moroni dha mësim: “Ju nuk do të merrni asnjë dëshmi, deri pas provës së besimit tuaj”. [2]
Ungjilli nuk ecën me logjikën e njeriut. Merrni parasysh: “të fundit do të jenë të parët”[3], “të dobëtit do t’i ngatërrojnë të mençurit”[4], “ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë përsëri”[5] dhe “ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh”.[6] Askund kjo ironi shpirtërore nuk është më e qartë sesa në lidhje me ligjin e së dhjetës, sepse ne me të vërtetë kemi më shumë kur japim më shumë. Kjo ndodh sepse udhët e njeriut nuk janë udhët e Perëndisë dhe Perëndia është në timon.
E dhjeta nuk është asnjëherë një barrë, por përkundrazi një bekim sepse ne jemi gjithnjë më mirë me Zotin si partnerin tonë sesa të vazhdojmë të vetëm. E dhjeta shkyç mirëbesimin shpirtëror që bën të mundur një mori bekimesh të tjera të tilla si ndjeshmëria shpirtërore, mirënjohja dhe dashuria hyjnore. Si përmbledhje, bindja ndaj ligjit të së dhjetës siguron mbrojtje tokësore dhe paqe shpirtërore ndërsa vetëbesimi ynë përpara Perëndisë forcohet.[7]
Gjithashtu do të shtoja se, nga përvoja ime, pagimi i një oferte agjërimi bujare gjithashtu çon në bekime të mrekullueshme. Do të shpërblehemi më shumë po të jemi bujarë gjatë përpjekjes sonë për t’i ndihmuar ata njerëz më pak fatlumë dhe Zoti do të jetë bujar me ne.
Perëndia mezi pret të na ndihmojë në të gjitha aspektet e jetës sonë nëse do t’i zbatojmë urdhërimet e Tij, do të ushtrojmë besim dhe do të mirëbesojmë në bekimet e premtuara të Tij.
[1] Presidenti Gordon B. Hinckley, Ensign, maj 1982
[2] Ethëri 12:6
[3] Mateu 20:16
[4] Shih Doktrina e Besëlidhje 133:58
[5] Mateu 10:39
[6] Veprat e Apostujve 20:35
[7] Shih Doktrina e Besëlidhje 121:45