Mesazh i Udhëheqjes Zonale

Pusho dhe Fashitu – gjetja e një porti të sigurt në Shtëpinë e Zotit

Storm
Elder Phillips
Plaku Alan T. Filips, I Shtatëdhjetë Zonal

Meri En Bejker i humbi të dy prindërit nga tuberkulozi, ndërsa jetonte me motrën e vëllanë e saj në Çikago. Kur vëllait të saj iu ngjit e njëjta sëmundje e tmerrshme, ajo e rregulloi që ai të udhëtonte në një klimë më të ngrohtë në pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara. Fatkeqësisht, brenda javësh, shëndeti iu përkeqësua dhe ai vdiq. Meri Eni dhe motra e saj qenë zemërthyer. Ato nuk mund ta përballonin të kërkonin trupin e vëllait të tyre apo të financonin kthimin e tij në Çikago për varrim. Meri Eni përjetoi atë që ishte për të një nga kohët më të errëta dhe sfiduese në jetën e saj. Ajo shkroi: “Ndjeva në zemër se Perëndia nuk u kujdes për mua apo të mitë”. [1] Për të, ishte më shumë nga sa mund të duronte.

Të gjithë ne kemi përjetuar furtuna në jetën tonë. Kohë zie, humbjeje, frike, sëmundje, shtrëngesa financiare, pasiguri dhe trazirë në të gjitha format e saj. Këto furtuna janë sfiduese dhe mund të na sprovojnë deri në skaj. Sikurse dishepujt në Detin e Galilesë, mund të ketë çaste kur ndiejmë sikur do të përmbysemi apo fundosemi dhe thërrasim: “Mësues, a nuk merakosesh që ne po marrim fund?”[2]

Në atë natë furtune në Detin e Galilesë, “[Shpëtimtari]:” si u zgjua, e qortoi erën dhe i foli detit: “Pusho dhe fashitu! Dhe era pushoi dhe u bë qetësi e madhe.” [3] Për Meri An Bejkerin, gjatë orës së saj më të errët të zisë dhe humbjes, Shpëtimtari e qetësoi furtunën në zemrën e saj dhe “e solli në një qetësi besimi më të thellë e mirëbesimi më të përkryer.” [4] Me këtë paqe e qetësi të rivendosur, ajo shkroi fjalët e himnit të çmuar: “M’sues, Furtuna po Shtohet”. [5]


Zem’-ri-mi i de-tit plot stu-hi,

As djajt’, as njer’-zit, as çfar’-do që të vij’,

Të gjith’ ëm-bël-sisht të bin-den Ty:

Paq’, qet’si! Paq’, qet’si!


Ne kemi një Atë të dashur në Qiell, që e kupton se gjatë furtunave në jetën tonë, kemi nevojë për një strehë apo port të sigurt ku mund të shkojmë – një vend ku jemi të mbrojtur dhe të sigurt.

Tempulli mund të shërbejë si një port i sigurt i rëndësishëm në jetën tonë. Çdo ditë jete sjell sfida, pasiguri, zëra kundërshtues dhe trazirë. Në Shtëpinë e Zotit ne gjejmë përgjigje, forcë dhe paqen që premtoi Zoti. Na kujtohet se nuk jemi vetëm. Na kujtohet se Perëndia na do, na udhërrëfen ende dhe siguron një udhë në të cilën mund të kthehemi dhe të kemi paqe.

Ati Qiellor ju njeh. Ai ju do. I kupton nevojat dhe sfidat tuaja. Duke vizituar tempullin e duke marrë pjesë në ordinanca të shenjta, gjejmë qartësinë që na duhet për t’u drejtuar mes pasigurisë e furtunave të ndryshme që na nxjerr jeta.

Plaku Boid K. Paker udhëzoi: “Ka diçka pastruese dhe sqaruese tek atmosfera shpirtërore e tempullit. Ndonjëherë mendjet tona janë kaq të shqetësuara me probleme dhe ka kaq shumë gjëra që kërkojnë vëmendje njëherësh, sa [ne] nuk mund të mendojmë me qartësi dhe të shohim me qartësi. Në tempull, pluhuri i [shpërqendrimit] duket se largohet, mjegulla dhe turbullira shpërndahen dhe ne mund të ‘shohim’ gjërat që nuk ishim në gjendje t’i shihnim më parë, dhe të gjejmë një rrugë përmes shqetësimeve [tona], që s’e kishim njohur më parë.” [6]  Nga himni, Sa i Fortë Një Themel:


“Frik’ mos ki, me ty jam; mos bjer n’dë-shpë-rim,

Se jam Per’-ndi-a yt dhe t’vij Un’ në ndihm’.

T’for-coj, të ndih-moj, t’bëj në këmb’ të qën-drosh.” [7]


Cilado qofshin stuhitë. Cilëtdo qofshin demonët, apo njerëzit, apo çfarëdo qoftë që ju turbullon. Nuk ka pse të kemi frikë. Ati ynë i dashur në Qiell na ka siguruar një port të sigurt. Në tempull, ai do t’ju bekojë.  Në tempull, Ai do t’ju forcojë dhe mbrojë. Në tempull, do t’i kuptoni më mirë fjalët: “Pusho dhe fashitu”.


[1] Ernest K. Emurian, Living Stories of Famous Hymns, Boston: W. A Widdle Co., 1955, f. 83-85.

[2] Marku 4: 38

[3] Marku 4:39

[4] Karen Lynn Davidson, Our Latter-Day Hymns: The Stories and the Messages, Salt Lake City: Deseret Book, 1988

[5] Himni nr. 55, M’sues, Furtuna po Shtohet. Teksti: Mary Ann Baker, rreth 1874, muzika: H. R. Palmer, 1834–1907

[6] “Në Përgatitje për të Hyrë në Tempullin e Shenjtë”. Përshtatur nga libri “Tempulli i Shenjtë”, nga Bojd K. Paker (gjendet te lds.org)

[7] Himne, nr. 41, Sa i Fortë Një Themel. Teksti: Autorësia i njihet Robert Keen-it, rreth vitit 1787. I përfshirë në librin e parë të himneve SHDM, 1835. Muzika: Autorësia i njihet J. Ellis-it, rreth 1889