Mesazh i Udhëheqjes Zonale

Një ndryshim i vazhdueshëm i zemrës

personal-prayer
elder-haenni
Plaku Tomas Hani I Shtatëdhjetë Zonal

Le të mendojmë për të vërtetat e shumta dhe të mëdha që Ati Qiellor ua ka bërë të ditur fëmijëve të tij që prej rivendosjes së ungjillit, veçanërisht zbulesat e marra gjatë këtyre viteve të fundit. 

Do të doja që të përsiatnim për një çast mbi të gjitha bekimet që kanë lidhje me këto zbulesa.  Kur mendojmë për këto gjëra, a nuk ndiejmë mirënjohje dhe dashuri për të gjithë udhëheqjen që ne marrim nga profetët tanë në këtë periudhë të fundit ungjillore?

A e kemi ndier të gjithë një ndryshim në zemrën tonë për shkak të këtyre zbulesave?

Shpëtimtari me të vërtetë po na frymëzon që të forcojmë besimin tonë në Të, të bëjmë besëlidhje dhe të qëndrojmë në shtegun e dishepullimit.

Zbulesat që ne morëm janë një kujtues për të gjithë ne që të ngrihemi dhe të shërbejmë e të japim shërbesë në një mënyrë më të lartë dhe më të shenjtë. 

Ndërsa përqendrohemi në këto zbulesa pendimi dhe bërja shërbestarë të vërtetë dhe mjete në duart e Zotit bëhen përparësi. Si pasojë, duke ndjekur profetin tonë dhe duke i zbatuar këto të vërteta, ne i kthejmë shtëpitë tona në shenjtërore besimi dhe në qendra të mësimit të ungjillit1 në të cilat Zoti bëhet mësuesi ynë.

Unë i jam përjetësisht mirënjohës atyre që dhanë shërbesë dhe e ndanë ungjillin e rivendosur në një mënyrë të natyrshme me bashkëshorten time kur ajo ishte katërmbëdhjetë vjeç.  Ajo e pranoi ftesën për të ndjekur Krishtin dhe u pagëzua në Malagë, Spanjë. 

Me shërbesën që i ishte dhënë nga miqtë e saj, të cilët e ndihmuan në rininë e saj për t’u afruar më pranë Krishtit, ajo mësoi që dhënia e shërbesës ndaj të tjerëve është pjesë e vetë procesit tonë të pendimit. Kjo është mënyra se si ia kthejmë zemrën tonë Perëndisë dhe fëmijëve të Tij.  Disa vjet pas pagëzimit të saj ajo udhëtoi e vetme për në tempullin e Zvicrës për t’u dhënë shërbesë atyre që ishin në anën tjetër të velit.  Ne më pas u takuam me njëri-tjetrin në Xollikofen dhe po aty u vulosëm për kohën dhe përjetësinë.

Ne ndihemi të privilegjuar si familje që kemi mundësinë të jetojmë në këtë periudhë ungjillore emocionuese ku të gjithë së bashku në shtëpinë tonë përpiqemi të “jemi më të mirë dhe të bëjmë më mirë nga ç’kemi bërë më parë.”2

Të gjithë ne, pavarësisht nga rrethanat tona individuale, të martuar, beqarë ose të ndarë, të ve ose që e gjejmë veten të vendosur ne çfarëdolloj rrethane sfiduese, mund të pendohemi dhe ta ndjekim Krishtin.  Pendimi i vërtetë përqendrohet në Krishtin dhe në fuqinë e tij shëlbuese.  Është diçka personale ndërmjet Tij dhe nesh.

Ashtu sikurse Zoti i flet profetit, Ai gjithashtu na flet edhe neve dhe na shëron individualisht.  Ai na tregon udhën dhe na i lehtëson barrët nëse e dëgjojmë Atë, nëse i drejtohemi Atij, nëse e ndjekim Atë dhe zgjedhim të pendohemi. 

Ndërsa e bëjmë këtë ne përqafojmë shlyerjen e Krishtit, ne fillojmë t’i drejtohemi Zotit me një zemër më të thyer dhe shpirt më të penduar.  Kjo do të thotë kthim në besim. Një shpirt i penduar është një shpirt i kthyer në besim dhe një shpirt i kthyer në besim është një shpirt i penduar.3

Pendimi është procesi i Zotit për të fituar rritje shpirtërore dhe gëzim – gëzimin e shëlbimit në Të.4 Ai do që ne të ndryshojmë – të bëhemi më pak si njeriu i natyrshëm5 dhe më shumë siç është Ai.6

Lutja, studimi i shkrimeve të shenjta, mbrëmja familjare e shtëpisë dhe “Eja Më Ndiq” janë shtyllat themelore për të krijuar një mjedis që na fton të pendohemi dhe të gjejmë gëzim dhe lumturi që zgjat.

Këto përpjekje e hapin portën e Qiellit për të derdhur zbulesë vetjake dhe dëshirën për pendim të përditshëm.  Ne nuk do të zgjedhim që thjesht ta ndalojmë një mëkat të rëndë si një veprim të vetëm, por ai është fillimi i një rrugëtimi vetjak drejt një ndryshimi të plotë të mendjes.  Duke e vendosur Shpëtimtarin në qendër të jetës sonë, ne fillojmë një proces të një ndryshimi të plotë të zemrës.  Zoti na bekoftë dhe na ndihmoftë me dëshmimin e Frymës së Shenjtë për të gjetur pohimin tonë vetjak për zbulesat e Zotit të dhëna në këto ditë të mëvonshme dhe të pendohemi e ta ndjekim Atë.


1+2 Shih: Rasëll M Nelson “Të Bëhemi Shenjtorë Shembullorë të Ditëve të Mëvonshme”, Liahona dhe Ensign, Nëntor 2018.

3+4 Shih:  Russell M. Nelson, “Repentance and Conversion”, Ensign, maj 2007

5 Shih: Mosia 3:19

6 Shih: 3 Nefi 27:27